Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbrohuni nga grabitësit e makinave!

Mbrohuni nga grabitësit e makinave!

Mbrohuni nga grabitësit e makinave!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

GRABITJA e makinave është një problem që sa vjen e rritet në qytetet kudo në botë, nga Karaçi deri në Lisbonë, e nga Najrobi deri në Rio-de-Zhanejro. Sipas Agjencisë së Statistikave të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, nga viti 1993 deri në vitin 2002, në këtë vend ndodhën rreth 38.000 grabitje makinash në vit.

Afrika e Jugut, me popullsi sa një e gjashta e popullsisë së Shteteve të Bashkuara, ka një përqindje edhe më të lartë të grabitjes së makinave—më se 14.000 raste në vit. Pasi të keni shqyrtuar disa raste, do të kuptoni pse për shumë veta grabitja e makinave është një nga krimet që i tremb më tepër. Më poshtë janë disa përvoja nga jeta e disa individëve që jetojnë në qytetin më të madh të Afrikës së Jugut, në Johanesburg. Duke lexuar përvojat e tyre, mund të mësoni çfarë të bëni në rast se ju grabitin ndonjëherë makinën, ose më e mira, si ta zvogëloni rrezikun që të mos bini viktima të këtij krimi.

Përvoja nga jeta

▪ «Bashkë me shoqen time, Suzanën, kishim një vit që punonim së bashku në veprën ungjillëzuese. Një të mërkurë, ishim me makinë dhe, para se të shkonim te studimi tjetër, ndaluam për një çaj nën një pemë anash një rruge të banuar. Suzana doli nga makina për të marrë shportën mbrapa. Në momentin që më zgjati filxhanin, dy burra u shfaqën sikur mbinë nga dheu, dhe njëri i vuri Suzanës një armë në qafë. E tronditur, u përpoqa të dilja nga makina, por burri tjetër më shtyu brenda. Si përfundim, ja ku ishim dy gra që mbaheshim me forcë në makinë nga dy burra, njëri prej të cilëve i jepte makinës. Mendoja se do të na përdhunonin ose do të na vrisnin.»—Anika, një grua e re e martuar.

▪ «Ishte ora 7 e mëngjesit dhe po shkoja në punë me makinë. Ndalova në një kryqëzim ku rrinë shpesh të papunë që kërkojnë punë. Nuk e kisha mendjen fare, kur dikush më vuri armën në qafë nga dritarja e hapur e makinës dhe më tha: ‘Dil jashtë ose do të qëlloj!’ Në atë çast, një helikopter që kontrollon trafikun u duk sipër kokave tona. Duke menduar se ishte policia, grabitësi tërhoqi këmbëzën e armës dhe ia shkeli vrapit. Më qëlloi në qafë, dhe m’u dëmtua rëndë palca kurrizore. Kjo më la të paralizuar nga qafa e poshtë. Nuk i përdor dot duart e këmbët dhe nuk i ndiej më.»—Beri, prind i një djali adoleshent.

▪ «Bashkë me gruan, Lindzin, do të shkonim të hanim drekë. Po e prisja në makinë. Dyert e makinës ishin të mbyllura, kurse dritaret ishin pak të hapura ngaqë bënte vapë. Isha ulur te vendi i shoferit dhe po shihja përpara, kur nga kthesa dolën dy burra si fare rastësisht. Kur ishin nja tetë hapa larg makinës, u ndanë, njëri mori nga e majta, tjetri nga e djathta e makinës. Ia behën te dyert, më drejtuan armë nga të dyja krahët dhe më jepnin urdhra duke ulëritur. Pasi iu binda urdhrit të tyre dhe nisa makinën, më bërtitën të dilja dhe të ulesha prapa. Njëri i jepte makinës, kurse tjetri ma mbante me forcë kokën poshtë. ‘Më jep një arsye pse s’duhet të të vras’,—më tha ai. ‘Jam Dëshmitar i Jehovait’,—iu përgjigja. Ai vazhdonte të më kërcënonte se do të më vriste, kurse unë vazhdoja të lutesha e të mendoja për gruan time të dashur. Pyesja veten se si do të reagonte kur të shihte se unë dhe makina ishim zhdukur.»—Alani, mbikëqyrës udhëtues dhe prind.

Këto përvoja tregojnë se sa shpejt dhe sa papritur mund të ndodhë një grabitje makine. Po ashtu tregojnë situatat e zakonshme që shfrytëzojnë grabitësit. Në shumë vende, nuk është më e sigurt të presësh ose të çlodhesh në një makinë të parkuar anash rrugës në një zonë të banuar. Vende të tjera të rrezikshme janë kryqëzimet dhe rrugët dytësore që të çojnë në shtëpi.

Pasojat e grabitjes së makinës

Shyqyr që përvoja e Suzanës dhe e Anikës përfundoi mirë. Ndërkohë që grabitësit i jepnin makinës, dy gratë filluan t’u shpjegonin veprën që bënin lidhur me studimin e Biblës. Me sa duket, burrat filloi t’i vriste ndërgjegjja. «Kërkuan ndjesë për atë që po bënin,—shpjegon Anika,—por thanë se për shkak të kohëve që jetojmë, ishin të detyruar të vidhnin dhe të grabitnin makina për të siguruar jetesën. U shpjeguam pse Perëndia lejon varfërinë dhe vuajtjet.» Mesazhi i Biblës u preku zemrat dy grabitësve, dhe ata vendosën t’ua kthenin Suzanës e Anikës paratë dhe orët e dorës që u kishin marrë, duke i siguruar se nuk do t’u bënin keq. «Pastaj njëri prej tyre filloi të na mësonte si të vepronim që të mos na e grabitnin prapë makinën»,—kujton Suzana. «Na kërkuan doemos t’u premtonim,—shton Anika,—se nuk do të ndalonim kurrë buzë rrugës për të pirë çaj.» Pastaj, ashtu siç u kishin thënë, grabitësit ndaluan makinën, dolën jashtë, pranuan me mirënjohje literaturë biblike dhe i lanë Suzanën e Anikën të largoheshin shëndoshë e mirë.

Alanin, mbikëqyrësin udhëtues, e urdhëruan të dilte nga makina kur mbërritën në një vend të izoluar. Edhe pse humbi gjëra me vlerë, Alani ishte i kënaqur që nuk pësoi ndonjë dëm fizik. «Mendoj se shpëtova paq,—kujton Alani,—ngaqë bashkëpunova, nuk isha agresiv dhe s’më zuri paniku. Por sigurisht, mund të isha treguar më i vëmendshëm. Nga ky incident mësova se nuk është koha që të tregohemi pakujdesshëm tani që jetojmë kaq thellë në ditët e fundit të sistemit të lig të Satanait.» Të nesërmen, Alani dhe Lindzi u kthyen tek i njëjti territor për të vazhduar predikimin me kongregacionin ku ishin caktuar të shërbenin. Alani shpjegon: «U lutëm, dhe i bëmë sytë katër gjithë ditën. Nuk e patëm të lehtë, por Jehovai na dha ‘fuqi përtej asaj që është normale’.»—2 Korintasve 4:1, 7.

Viktima që u dëmtua më shumë, Beri, ka 11 vjet që është në karrige me rrota. Është për t’u admiruar që Beri ka mbajtur një pikëpamje pozitive dhe nuk ka lejuar që ajo çka i ndodhi ta mbushë me maraz. Nuk i është lëkundur besimi te premtimi i Perëndisë Jehova për një botë të re të drejtë. (2 Pjetrit 3:13) Beri vazhdon t’i ndjekë rregullisht mbledhjet e krishtere dhe shfrytëzon çdo rast për t’u folur të tjerëve për besimin e tij. Ai thotë: «T’i shërbej Jehovait më ka sjellë gjithnjë gëzim. Edhe pse jam në një karrige me rrota dhe s’bëj dot shumë për veten, shpesh mendoj për atë që ka bërë Jehovai për mua, dhe kjo më ndihmon të duroj. Shpejt këtij sistemi të lig do t’i vijë fundi, dhe sa e mrekullueshme do të jetë dita kur të eci përsëri!»—Isaia 35:6; 2 Timoteut 3:1-5.

Disa masa që janë marrë nga autoritetet në Afrikën e Jugut, i kanë pakësuar rastet e grabitjes së makinave. Prapëseprapë, grabitja e makinave vazhdon të ndodhë dhe po shtohen rastet në vende të tjera të botës. Të krishterët e vërtetë kanë shpresë te Mbretëria e Perëndisë, si e vetmja qeveri që do t’u japë fund gjithë krimeve dhe dhunës.—Psalmi 37:9-11; Mateu 6:10.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

SUGJERIME PËR TË ZVOGËLUAR RREZIKUN E GRABITJES SË MAKINËS

▪ Nëse po kaloni në një zonë ku kanë ndodhur grabitje makinash, mbajini dyert të kyçura dhe dritaret e makinës të mbyllura.

▪ Kur ngadalësoni shpejtësinë për të ndaluar në një kryqëzim, mbajini sytë hapur për të vërejtur njerëzit e dyshimtë që enden në të dyja anët e rrugës.

▪ Duke mbajtur një distancë të arsyeshme nga makina përpara, do të manovroni më lehtë për t’iu larguar rrezikut.

▪ Nëse një makinë ju godet në pjesën e pasme, mendohuni mirë a është e rrezikshme që të dilni jashtë e të kontrolloni dëmin. Mund të jetë ndonjë rreng. Po t’ju ndodhë një incident i tillë në një zonë goxha të rrezikshme, do të ishte më e sigurt të shkonit në rajonin më të afërt të policisë.

▪ Shihni me kujdes nëse para hyrjes së shtëpisë suaj enden përqark të huaj. Në qoftë se vëreni një situatë të tillë, do të ishte më e sigurt të vazhdonit rrugën dhe të ktheheshit më vonë në shtëpi, ose mund të vendosni të shkoni në rajonin më të afërt të policisë.

▪ Po t’ju duhet të pritni në makinë dhe e keni parkuar në një zonë të rrezikshme ose në një zonë ku ka pak lëvizje, hapni sytë se çfarë ndodh përpara ose pas jush. Në rast se nuhatni ndonjë rrezik, bëni disa xhiro me makinë dhe kthehuni po ta shihni me vend.

[Figura në faqen 14]

Beri ka mbajtur një pikëpamje pozitive, edhe pse ka përfunduar në një karrige me rrota