Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Lidhja mes dhunës që shfaqet në media dhe agresivitetit që shfaqet [nga adoleshentët] në jetën reale, është gati po aq e fortë sa edhe lidhja mes duhanit dhe kancerit të mushkërive.»—THE MEDICAL JOURNAL OF AUSTRALIA.
▪ Janë gjetur fakte që tregojnë se disa lakuriqë nate që ushqehen me fruta dhe që në disa zona të Afrikës përdoren si ushqim, «mund të jenë një inkubator natyror i virusit të Ebolës».—MACLEANS, KANADA.
▪ Të dhënat nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Meksikës tregojnë se gjatë tetë viteve të fundit, në këtë vend janë rrëmbyer të paktën 130.000 fëmijë për t’u shitur, që të shfrytëzohen seksualisht a si krahë pune, ose që t’u merren organet.—MILENIO, MEKSIKË.
Dymbëdhjetë vjet në burg: Pse?
Tre Dëshmitarë të Jehovait kanë 12 vjet në burg në Saua të Eritresë, Afrika Lindore. Kundër tyre nuk është ngritur zyrtarisht asnjë akuzë dhe as kanë dalë ndonjëherë në gjyq. Nuk u lejohen vizita as nga familjarët. Cila është arsyeja? Sepse kanë refuzuar të kryejnë shërbimin ushtarak. Ligji në Eritre nuk merr parasysh kundërshtimin për shkak të ndërgjegjes. Të rinjtë, kur i arrestojnë, i mbajnë në kampe ushtarake dhe shpesh i rrahin mizorisht e i torturojnë në forma të ndryshme.
Interneti—Një rrezik për faunën?
«A po e përshpejton Interneti zhdukjen e elefantit afrikan?»—pyet gazeta The New York Times. Disa mbrojtës të kafshëve mendojnë se po, dhe se përveç elefantëve janë në rrezik edhe shumë lloje të tjera. Me shtrirjen e Internetit, thuhet se është zgjeruar edhe tregtia ilegale që bëhet nëpërmjet tij. Nga kërkimet që u bënë në faqe Interneti në anglisht, gjatë një periudhe tremujore, u pa se «ishin në shitje mbi 6.000 artikuj ilegalë ose që ka shumë të ngjarë të ishin të tillë, të cilët kishin lidhje me faunën». Midis tyre kishte guaska breshkash, skulptura të bëra me kocka elefanti, madje edhe pantera të zeza të gjalla.
Kaldajë ekologjike
«Kanë dalë kaldaja që punojnë me bërthama ulliri»,—raporton gazeta spanjolle El País. Ky burim energjie siguron ngrohje dhe ujë të ngrohtë për të paktën 300 shtëpi në Madrid. Si karburant, bërthamat e ullirit janë të lira, kushtojnë 60 për qind më pak se nafta dhe 20 për qind më pak se qymyri. Nuk e ndotin ambientin, sepse sasia e dyoksidit të karbonit që çlirohet gjatë djegies, është e njëjtë me atë që çlirohet gjatë dekompozimit natyror. Ka edhe një avantazh tjetër: mund t’i gjesh pa problem. Bërthamat janë mbeturinat që dalin pasi nxirret vaji nga ullinjtë, dhe Spanja konsiderohet si numri një në botë për prodhimin e vajit të ullirit.
Makarona peta 4.000-vjeçare
Shkencëtarët thonë se kanë zbuluar «makaronat peta më të lashta në botë», siç i quajnë ata, sipas një artikulli të The New York Times. Makaronat janë të holla, të verdha, 50 centimetra të gjata dhe janë bërë me mel që rritet në Kinë. Ato u gjetën në një tas balte që ishte si i vulosur nën një shtresë lymi 3 metra të trashë, afër lumit Huan në Kinën Veriperëndimore. Sipas revistës Nature, ky vend ka të ngjarë të jetë shkatërruar nga një tërmet dhe «një përmbytje katastrofike» rreth 4.000 vjet më parë. Sipas Time, lidhur me debatin se ku e kanë origjinën makaronat, në Itali, në Lindjen e Mesme apo në Lindje, një nga zbuluesit, Houjuan Lui, i Akademisë së Shkencave të Kinës, thotë: «Ky studim e vulosi se prodhimi më i hershëm i makaronave ishte në Kinë.»