Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të shihni televizor pa e tepruar

Si të shihni televizor pa e tepruar

Si të shihni televizor pa e tepruar

«PO TA ndiznim, shihnim ç’të kishte, program pas programi,—tha Klodina.—Nuk e fiknim derisa shkonte ora që të binim në shtrat.» Disa thonë: «Nuk i heq dot sytë që andej». Kurse të tjerë thonë: «Nuk dua të shoh kaq shumë televizor, por nuk përmbahem dot.» A shikoni tepër televizor? A jeni të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë televizori në familjen tuaj? Ja tek keni disa sugjerime që mund t’ju ndihmojnë të shihni televizor pa e tepruar.

1. ZBULONI SA KOHË HARXHONI. Te Proverbat 14:15 thuhet: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» Është e mençur të shqyrtoni se cilat janë zakonet tuaja për sa i përket televizorit, për të kuptuar nëse ka nevojë për ndryshime. Mbani shënime për pak a shumë një javë, duke shkruar sa kohë kaloni para televizorit. Mund të shënoni edhe se cilat programe patë, çfarë mësuat dhe sa u kënaqët me këto programe. Megjithatë, kryesorja është të llogaritni sa kohë harxhoni para televizorit. Ajo që do të zbuloni mund t’ju çuditë. Thjesht duke ditur se sa kohë nga jeta juaj i kushtoni televizorit, mund të nxiteni të bëni ndryshime.

2. PAKËSONI KOHËN PARA TELEVIZORIT. Përpiquni të rrini pa parë televizor një ditë në javë, një javë të tërë ose një muaj. Një mënyrë tjetër është të kufizoni kohën që kaloni çdo ditë para ekranit. Nëse hiqni gjysmë ore çdo ditë nga koha që i kushtoni televizorit, çdo muaj do të fitoni 15 orë. Shfrytëzojeni këtë kohë për veprimtari të dobishme, siç janë ato frymore, lexoni ndonjë libër për të qenë ose rrini me familjen dhe me miqtë. Studimet kanë treguar se njerëzit që shohin pak televizor e shijojnë më shumë se ata që shohin me orë të tëra.

Një mënyrë për të pakësuar kohën që shihni televizor është të mos e mbani në dhomën e gjumit. Fëmijët që kanë televizor në dhomën e tyre harxhojnë çdo ditë gati një orë e gjysmë më shumë para ekranit sesa fëmijët e tjerë. Për më tepër, kur televizori është në dhomën e fëmijës, prindërit nuk e dinë se çfarë sheh ai. Prindërit dhe çiftet do të shohin se do të kenë më shumë kohë për njëri-tjetrin nëse nuk e mbajnë televizorin në dhomën e gjumit. Disa kanë vendosur të mos kenë fare televizor.

3. PROGRAMONI SE ÇFARË DO TË SHIHNI. Sigurisht, ka shumë programe të mira për t’u parë. Në vend që të kaloni sa në një stacion në tjetrin ose të shihni ç’t’ju dalë, interesohuni që më parë për programet dhe orën e transmetimit dhe zgjidhni emisionet a filmat që doni të ndiqni. Ndizeni televizorin kur të fillojë programi që keni zgjedhur dhe fikeni sapo ai të mbarojë. Ose, në vend që ta ndiqni një program kur transmetohet, mund ta regjistroni e ta shihni më vonë. Kështu mund ta shikoni në një kohë më të përshtatshme dhe t’i kaloni shpejt reklamat.

4. JINI PËRZGJEDHËS. Bibla paratha se në kohën tonë njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, [dhe] kënaqësidashës në vend se perëndidashës». Ka shumë të ngjarë që edhe ju jeni dakord se shumë personazhe televizive janë tamam ashtu. Bibla këshillon: «Nga këta largohu.» (2 Timoteut 3:1-5) Ajo na paralajmëron: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Korintasve 15:33.

Që të jesh përzgjedhës duhet vetëkontroll. A ju ka ndodhur të shihni minutat e para të një teatri a të një filmi dhe, megjithëse e kuptuat që nuk ishte aspak edukativ, e ndoqët deri në fund sa për të shuar kureshtjen se ç’do të ndodhte më tej? Shumë kanë vepruar kështu. Megjithatë, në qoftë se keni aq vullnet sa të fikni televizorin për të bërë diçka tjetër, ka shumë mundësi që të kuptoni se në të vërtetë nuk ju intereson dhe aq shumë se çfarë ndodhi.

Shumë kohë para se të shpikej televizori, psalmisti shkroi: «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.» (Psalmi 101:3) Çfarë synimi i mirë për t’u mbajtur parasysh kur zgjedhim se ç’do të shohim. Disa të tjerë si Klodina e kanë hequr fare televizorin. Ajo tha: «S’e kisha kuptuar fare sa të pandjeshme më kishte bërë televizori. Kur ka raste që shoh televizor tani, tronditem nga gjërat që më parë nuk më bezdisnin. Mendoja se dija t’i zgjidhja gjërat që shihja, por tani e kuptoj që nuk ishte ashtu. Kur shoh gjëra edukative, kënaqem edhe më shumë.»

[Figura në faqen 8]

Shënoni sa kohë kaloni para televizorit

[Figura në faqen 8]

Zëvendësojeni kohën që shihni televizor me veprimtari më të dobishme

[Figura në faqen 9]

Mos ngurroni ta fikni televizorin!