Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TV​—«Mësues i fshehtë»

TV​—«Mësues i fshehtë»

TV​—«Mësues i fshehtë»

TELEVIZORI mund të jetë një mjet i fuqishëm për të na mësuar. Nëpërmjet tij, mësojmë për popuj dhe vende që ndoshta nuk do t’i vizitonim asnjëherë. Mund «të udhëtojmë» në xhunglat tropikale e deri në zonat polare ku bora nuk shkrin kurrë, në majat e maleve e deri në thellësitë e oqeaneve. Mund të hulumtojmë botën magjepsëse të atomeve ose të yjeve. Në lajme shohim ç’ngjet ndërkohë në anën tjetër të globit. Informohemi rreth politikës, historisë, ngjarjeve të ditës dhe kulturës. Televizori e përshkruan jetën e njerëzve edhe përballë tragjedive, edhe përballë fitores. Ai të argëton, të mëson e madje të frymëzon.

Megjithatë, një pjesë e mirë e programeve nuk janë as të shëndetshme dhe as edukative. Ka shumë mundësi që kritika më e ashpër vjen nga ata që i dënojnë skenat e shumta dhe të hollësishme me dhunë e seks. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, nga një studim u zbulua se gati 2 në 3 programe televizive kanë skena me dhunë, mesatarisht 6 skena të tilla në orë. Kur të arrijë moshën e rritur, një njeri do të ketë parë në ekran mijëra akte dhune e vrasjeje. Edhe bisedat dhe skenat me seks janë me shumicë. Dy të tretat e të gjitha programeve televizive përfshijnë biseda rreth seksit, dhe 35 për qind zakonisht paraqesin marrëdhënie seksuale që vijnë nga një impuls i çastit, kryhen nga çifte të pamartuara dhe duket sikur nuk kanë asnjë rrezik. *

Programet që kanë skena me seks e dhunë kërkohen shumë në mbarë botën. Filmat amerikanë me aksion që transmetohen në ekranin e vogël kalojnë shumë lehtë në tregun e huaj. Në to nuk sheh medoemos një interpretim mjeshtëror ose nuk kanë një skenar të arrirë dhe kuptohen kollaj. Për ta bërë për vete shikuesin, shfrytëzohen efektet speciale, skenat me përleshje, vrasje dhe seks. Por, që ta mbash gjallë për një kohë të gjatë interesin e teleshikuesve, duhet të ndryshosh. Shikuesit velen shpejt me të njëjtat gjëra; ajo që dikur bënte bujë, më pas u duket e rëndomtë. Për të nxitur interesin, për ta tronditur e për ta ndezur publikun, producentët shkojnë në ekstreme të reja, duke shtuar aktet e dhunës dhe duke i bërë skenat më të gjalla, me më shumë seks, me më shumë sadizëm.

Debati rreth ndikimit të televizorit

Si ndikon te shikuesit ky racion dhune e seksi që televizori jep rregullisht? Kritikët thonë se dhuna në ekran i bën njerëzit agresivë dhe më pak të dhembshur ndaj viktimave të dhunës në jetën reale. Gjithashtu, thonë se skenat me seks nxitin shthurjen dhe minojnë normat morale.

A nxit vërtet televizori këto lloj reagimesh? Kjo pyetje ka ndezur debate të zjarrta prej dekadash dhe rreth kësaj çështjeje janë bërë qindra studime e mijëra libra dhe artikuj. Në zemër të debatit është vështirësia për të provuar nëse një gjë sjell tjetrën, për shembull, që dhuna në ekran, kur shihet që në moshë të njomë, e bën njeriun agresiv kur rritet. Të provosh lidhjen shkak-pasojë ndonjëherë është e vështirë. Le ta ilustrojmë: ta zëmë se merrni një ilaç për herë të parë dhe pas pak orësh ju shpërthejnë puçrra. Është e lehtë të nxirrni përfundimin që alergjinë jua dha ilaçi. Por ndonjëherë, alergjitë fillojnë pak nga pak. Kur ndodh kështu, është shumë më e vështirë të bësh lidhjen mes alergjisë dhe ndonjë ilaçi, pasi alergjitë mund të vijnë nga shumë faktorë.

Po njëlloj, ka qenë e vështirë të provohet se dhuna e shfaqur në ekran shkakton krime dhe sjellje antishoqërore. Shumë studime sugjerojnë se ka një lidhje. Për më tepër, disa kriminelë kanë thënë se karakteri dhe sjellja e tyre e dhunshme u ndikuan nga ajo që shihnin në televizor. Nga ana tjetër, gjatë jetës, te njerëzit ndikojnë shumë faktorë. Kështu, sjelljen agresive mund ta nxitin edhe videolojërat e dhunshme, vlerat morale të miqve e të familjes, si dhe mjedisi ku jetojnë.

Prandaj nuk është aspak për t’u habitur që ka pikëpamje të kundërta. Një psikolog kanadez shkroi: «Provat shkencore nuk tregojnë dot se skenat e dhunës i bëjnë njerëzit të dhunshëm ose i bëjnë të pandjeshëm ndaj saj.» Megjithatë, Komiteti i Shoqatës së Psikologëve Amerikanë për Median dhe Shoqërinë tha: «Nuk ka pikë dyshimi se sa më shumë dhunë të shohësh në televizor, aq më tolerant bëhesh ndaj sjelljes agresive dhe aq më agresiv bëhesh edhe vetë.»

Të mendojmë rreth ndikimit të televizorit

Mbani mend se specialistët po debatojnë për prova, domethënë nëse mund të provohet që skenat me dhunë e bëjnë njeriun të egër. Megjithatë, pak njerëz do të thoshin se televizori nuk ndikon në mendimet dhe në sjelljen tonë. Mendoni pak: vetëm një fotografi mund të na zemërojë, të na bëjë të qajmë ose të gëzojmë. Edhe muzika i prek thellë ndjenjat tona. Fjalët, edhe kur janë të shkruara, na bëjnë të mendojmë, të ndiejmë dhe të veprojmë. Ç’ndikim i fuqishëm ushtrohet kur filmi, muzika dhe fjalët ndërthuren së bashku me mjeshtëri! Nuk është çudi që televizori është kaq tërheqës. Veç kësaj, mund ta gjesh kudo. Një shkrimtar thotë për ndikimin e televizorit: «Që kur njeriu mësoi për herë të parë t’i hidhte me shkrim mendimet . . . asnjë metodë tjetër për të përcjellë ide nuk ka ndikuar kaq shumë te qytetërimi.»

Kompanitë harxhojnë çdo vit miliarda dollarë për reklama sepse e dinë se njerëzit ndikohen nga ajo që shohin dhe dëgjojnë. Ato nuk i derdhin paratë lumë ngaqë mendojnë se reklamat edhe mund të ndikojnë; ato e dinë që reklamat ndikojnë. Reklamat i bindin njerëzit të blejnë. Më 2004, kompania Coca-Cola harxhoi 2,2 miliardë dollarë për të reklamuar produktet e saj në mbarë botën me anë të reklamave të shtypura, radios dhe televizorit. A ia vlejti gjithë ky investim? Kompania fitoi gati 22 miliardë dollarë atë vit. Reklamuesit e kuptojnë se një reklamë e vetme mund të mos bëjë punë. Por ata shfrytëzojnë ndikimin që ushtrojnë reklamat pak nga pak teksa transmetohen vite me radhë.

Nëse ato 30 sekonda reklamë ndikojnë në qëndrimin dhe sjelljen tonë, mund të jemi të sigurt se edhe orë të tëra para televizorit ndikojnë te ne. Autori i librit Televizori—Histori ndërkombëtare (anglisht), thotë: «Edhe nëpërmjet programit më të zakonshëm a më të rëndomtë, ky mjet vepron si një mësues i fshehtë». Në librin Histori me ilustrime e televizorit (anglisht) thuhet: «Televizori po ndryshon mënyrën si mendojmë.» Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: ‘Ajo që shoh, a ndikon te mendimet e mia ashtu siç dua unë?’

Për ata që i shërbejnë Perëndisë, kjo pyetje ka një rëndësi të veçantë. Shumë nga ato që shfaqen në televizor bien ndesh me parimet dhe normat e larta morale që mësohen në Bibël. Mënyrat e jetesës dhe praktikat që Shkrimet i dënojnë, në televizor paraqiten si të pranueshme, normale e madje moderne. Nga ana tjetër, vlerat morale të Biblës dhe ata që veprojnë sipas tyre shpesh shpërfillen, tallen e përçmohen në televizor. Një shkrimtar tha me keqardhje: «Nuk mjafton që sjellja e mbrapshtë të paraqitet si normale. Normalja duhet të paraqitet si e mbrapshtë.» Shumë shpesh ky «mësues i fshehtë» pëshpërit: «E mira është e keqe dhe e keqja është e mirë.»—Isaia 5:20.

Duhet të kemi kujdes për ato që shohim, sepse do të ndikojnë në mendimet tona. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Adam Klarku, një studiues i Biblës, thotë: «Të ecësh me një njeri do të thotë ta duash e të jesh i afërt me të; dhe është e pamundur të mos imitojmë ata që duam. Prandaj themi: ‘Më thuaj me kë rri, të të them se cili je.’ Më thuaj ç’shoqëri ka dhe merret me mend kollaj se çfarë morali ka.» Siç e kemi parë, shumë veta harxhojnë mjaft kohë në shoqërinë e personazheve televizive që nuk janë aspak të mençur e që një i krishterë i vërtetë as do ta çonte nëpër mend t’i ftonte në shtëpi.

Në rast se mjeku ju jep një ilaç të fortë, patjetër që do t’i shqyrtoni me kujdes dobitë dhe rreziqet që mund të ketë ai. Shëndeti juaj mund të dëmtohet po të merrni ilaçin e gabuar ose po ta tejkaloni dozën, qoftë edhe kur merrni ilaçin e duhur. E njëjta gjë ndodh edhe me shikimin e televizorit. Prandaj është e mençur të mendohemi mirë për gjërat që shohim.

Apostulli Pavël, i frymëzuar nga Perëndia, i nxiti të krishterët të mendonin për gjëra që janë të vërteta, që vlerësohen si serioze, që janë të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, për çfarëdo virtyti dhe gjëje të denjë për t’u lëvduar. (Filipianëve 4:6-8) A do t’ia vini veshin kësaj këshille? Do të jeni të lumtur po ta zbatoni.

[Shënimi]

^ par. 3 Statistikat për Shtetet e Bashkuara janë të ngjashme me kudo gjetkë, pasi programet televizive dhe filmat amerikanë transmetohen në të gjithë botën.

[Diçitura në faqen 5]

«Televizori është një shpikje që të jep mundësi të argëtohesh në dhomën e ndenjes me njerëz që nuk do t’i kishe ftuar në shtëpi.»​—Dejvid Frosti, prezantues televiziv në Britani

[Kutia në faqen 5]

Ç’TË THEMI PËR MARRËDHËNIET SEKSUALE DHE DHUNËN NË BIBËL?

Cili është ndryshimi midis dhunës e marrëdhënieve seksuale që shfaqen në televizor dhe rasteve të tilla të përshkruara në Bibël? Në Bibël gjëra të tilla janë shkruar për të na mësuar, jo për të na argëtuar. (Romakëve 15:4) Fjala e Perëndisë përmban fakte historike. Ajo na ndihmon të kuptojmë pikëpamjen e Perëndisë për çështje të ndryshme dhe të mësojmë nga gabimet e të tjerëve.

Në shumë vende ku reklamat janë të përhapura, skenat me seks e dhunë në televizor nuk jepen për të na mësuar, por për të vjelë para. Reklamuesit duan të tërheqin sa më shumë njerëz të jetë e mundur, dhe seksi e dhuna i bëjnë shikuesit të mos shkulen nga karrigia. Dhe, rezultati: ata do të shohin reklamat dhe do të blejnë artikujt që reklamohen. Prezantuesit e lajmeve zbatojnë parimin: kronika e zezë zë vendin e parë. Pra, e thënë thjesht, ngjarjet tronditëse me krime, shkatërrime, dhe luftë kanë përparësi nga lajmet që janë më pak drithëruese.

Ndonëse Bibla flet për disa akte dhune, ajo i nxit njerëzit të jetojnë në paqe, të mos hakmerren, por t’i zgjidhin paqësisht problemet. Gjithkund në Bibël inkurajohet një jetë e moralshme në aspektin seksual. Një pjesë e madhe e materialit që shfaqet në televizor nuk e përcjell këtë mesazh.—Isaia 2:2-4; 1 Korintasve 13:4-8; Efesianëve 4:32.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

TELEVIZORI DHE FËMIJËT

«Qarqet shkencore dhe të shëndetit publik, duke u bazuar në provat gjithnjë e më të shumta nga studimet e bëra gjatë disa dekadave, kanë arritur njëzëri në përfundimin se skenat me dhunë janë të dëmshme për fëmijët.»​—Fondacioni për Familjen «Henri J. Kajzer».

«[Jemi në një mendje me] Akademinë Amerikane të Pediatrisë që ‘fëmijët dy vjeç e poshtë nuk duhet [të shohin televizor]’. Këta fëmijë, truri i të cilëve po pëson një zhvillim të jashtëzakonshëm, kanë nevojë të luajnë, të japin e të marrin me njerëz realë, për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar nga ana fizike e shoqërore.»​—Instituti Ndërkombëtar për Median dhe Familjen.

[Figura në faqet 6, 7]

Ajo që shoh, a ndikon te mendimet e mia ashtu siç dua unë?