Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ura-Kullë: Portë drejt Londrës

Ura-Kullë: Portë drejt Londrës

Ura-Kullë: Portë drejt Londrës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

EDHE të huajt që s’kanë qenë kurrë në Angli, e njohin atë. Vit për vit ajo vizitohet nga mijëra turistë. Çdo ditë, londinezët kalojnë mbi të, mbase pa ia hedhur sytë fare ose pa menduar gjatë për origjinën e saj. Ura-Kullë (Tower Bridge), është një nga pikat kyçe më të njohura të Londrës.

Ura-Kullë ka lidhje me Kullën e Londrës që është aty afër, dhe nuk duhet ngatërruar me Urën e Londrës (London Bridge) që është fqinje me të. Në vitin 1872, parlamenti anglez shqyrtoi një projektligj për të autorizuar ndërtimin e një ure mbi Tamiz. Me gjithë kundërshtimet e guvernatorit të Kullës së Londrës, parlamenti vendosi të zbatonte këtë ide për ndërtimin e një kalimi tjetër mbi lumë, por me kusht që arkitektura të ishte në harmoni me stilin e Kullës. Ura-Kullë e sotme u ndërtua nga ky propozim zyrtar.

Gjatë shekujve 18 dhe 19, ura të shumta lidhnin brigjet e Tamizit, dhe më e famshmja ishte Ura e Vjetër e Londrës (Old London Bridge). Aty nga viti 1750, themelet e kësaj ure ishin dobësuar dhe kishte bllokim trafiku. Nën të, anije nga e gjitha bota ngjesheshin si e si të zinin një vend në portin e tejmbushur. Në atë kohë, mblidheshin kaq shumë anije, saqë thuhej se mund të ecje për kilometra të tëra mbi kuvertat e anijeve të ankoruara njëra pas tjetrës.

Me kërkesë të Korporatës së Londrës, Horës Xhonsi, një arkitekt i qytetit, propozoi që më poshtë nga Ura e Londrës, në drejtim të rrjedhës, të ndërtohej një urë ngritëse e stilit gotik. Kështu, anijet që lundronin në Tamiz e që shkonin drejt perëndimit, mund të kalonin lirisht për të arritur te doket. Ky projekt përfshinte diçka që shumë veta e konsideronin një risi.

Projekt i veçantë

Xhonsi kishte udhëtuar shumë, dhe pikërisht nga urat e vogla ngritëse që lidhnin anët e kanaleve në Holandë i lindi ideja për një urë ngritëse me kundërpesha. E projektuar me metoda moderne ndërtimi, me skelet çeliku dhe me një veshje me tulla, forma e tanishme e famshme e Urës-Kullë u ngrit duke u bazuar te projekti i skuadrës së tij me inxhinierë dhe arkitektë.

Ura-Kullë ka dy kulla kryesore, që lidhen nga dy vendkalime. Këto janë në lartësinë 34 metra mbi rrugë dhe rreth 42 metra mbi nivelin më të lartë që ka arritur mesatarisht lumi. Rrugët që nisin nga të dyja brigjet e lumit përfundojnë te kapriatat e lëvizshme, ose krahët e urës, që ngrihen në saje të kundërpeshave. Këta krahë gjigantë të urës peshojnë rreth 1.200 tonë secili, dhe ndahen e ngrihen sipër duke formuar një kënd 86 gradë. Nën urë mund të kalojnë pa problem anijet me tonazh deri në 10.000 tonë.

Energjia për kapriatat e lëvizshme

Për të ngritur kapriatat e lëvizshme, për të lëvizur ashensorët e pasagjerëve nga rruga te vendkalimet, madje edhe për funksionimin e sinjaleve që kontrollonin trafikun, përdorej hidroenergjia. Po, shfrytëzohej uji për të vënë në punë urën. Dhe energjia e siguruar prej tij ishte me bollëk—dyfish më shumë nga ç’nevojitej.

Të instaluar nën skajin jugor të urës, katër bolierë që nxeheshin me qymyrguri dhe prodhonin avull me një presion 5-6 kg/cm2, siguronin energji për dy pompa gjigante. Këto lëshonin ujë me presion 60 kg/cm2. Për të pasur energjinë që nevojitej për të ngritur kapriatat, brenda gjashtë akumulatorëve të mëdhenj depozitohej uji që mbahej nën presion. Këta ushqenin me energji tetë motorë që vinin në lëvizje kapriatat. Pasi lëshohej energjia, kapriatat e lëvizshme me kundërpesha ngriheshin lart duke u rrotulluar secila rreth një boshti me diametër 50 centimetra. Duhej vetëm një minutë që ato të ngriheshin plotësisht.

Një vizitë sot në Urën-Kullë

Sot, energjia elektrike ka zëvendësuar energjinë e avullit. Por ashtu si në vitet e shkuara, kur hapet Ura-Kullë, trafiku rrugor ndërpritet. Kalimtarët, turistët dhe vizitorë të tjerë mrekullohen me mënyrën si funksionon ura.

Dëgjohet sinjali i alarmit, barrierat ulen dhe bllokojnë rrugët, makina e fundit del nga ura dhe kontrolluesit e urës sinjalizojnë që ajo është e lirë. Pa bërë zhurmë, katër mbërthyesit që bashkojnë kapriatat hapen, dhe ato ngrihen lart. Atëherë vëmendja kthehet te lumi. Qoftë nëse është një rimorkiator, qoftë anije turistike ose anije me vela, çdo sy ndjek kalimin e saj. Pas ca minutash sinjalet ndryshojnë. Kapriatat ulen, kurse barrierat e rrugës ngrihen. Ata që janë me biçikleta sulen para makinave të ndaluara, për të kaluar të parët. Disa sekonda më vonë, Ura-Kullë nuk lëviz më, derisa sinjalet ta zgjojnë sërish.

Një vizitor kureshtar nuk kënaqet thjesht duke parë këtë zinxhir veprimesh që përsëriten shpesh. Bashkë me të tjerë, ai hipën në ashensor dhe ngjitet në kullën veriore, për të admiruar hollësitë e historisë së urës, që tregohen me kujdes nga një personazh i animuar që shfaqet në ekspozitën «Historia e Urës-Kullë». Bëmat inxhinierike dhe ceremonia e kushtueshme e përurimit të saj, janë paraqitur në kanavacat e piktorëve. Fotografitë me ngjyrë kafe që duken si të bëra me kokrriza dhe tablotë e ekspozuara nxjerrin në pah sa e mahnitshme është Ura-Kullë.

Vendkalimet e larta lejojnë që vizitorët të shijojnë pamje të hatashme tej në horizontin e Londrës. Që këtu, në perëndim mund të shihni katedralen e Shën-Pavlit dhe ndërtesat bankare të qendrës së biznesit, kurse tutje larg, kullën e Postës. Dikush mund të presë që nga ana lindore të shohë doket, por ato tani janë spostuar tej në drejtim të rrjedhës së lumit, larg metropolit modern. Në vend të tyre, «Doklendsi», një zonë urbanizimi, të befason me arkitekturën novatore të ndërtesave. Spektakolare, magjepsëse, interesante—po, të gjithë këta terma përshkruajnë në mënyrë të përshtatshme pamjen nga kjo pikë kyçe e famshme e Londrës.

Kur të vizitoni Londrën, pse të mos e njihni më mirë këtë ndërtim historik? Kjo arritje e jashtëzakonshme inxhinierike do t’ju lërë mbresa për një kohë të gjatë.

[Figura në faqen 16]

Një nga dy pompat me avull, që dikur siguronte energjinë për motorët

[Burimi]

Copyright Tower Bridge Exhibition

[Figura në faqet 16, 17]

Dy kapriatat e lëvizshme të urës ngrihen plotësisht në më pak se një minutë

[Burimi]

©Alan Copson/Agency Jon Arnold Images/age fotostock

[Burimi i figurës në faqen 15]

© Brian Lawrence/SuperStock