Ejani të shihni Mekongun madhështor!
Ejani të shihni Mekongun madhështor!
LUMI Mekong gjarpëron nëpër gjashtë vende aziatike dhe ua lehtëson jetën afro 100 milionë njerëzve nga rreth 100 grupe indigjene dhe etnike. Çdo vit, lumi jep 1,3 milionë tonë peshq, katër herë më shumë se sasia që kapet në Detin e Veriut. Me një gjatësi 4.350 km, ai është lumi më i gjatë në Azinë Juglindore. Meqë rrjedh në disa vende, lumi ka shumë emra, por më shumë njihet me emrin Mekong. Ky është shkurtimi i emrit tajlandez Me Nam Kong.
Mekongu buron nga malet Himalaje dhe vërshon vrullshëm nëpër shpatet e maleve e rrjedh furishëm përmes luginave të thella. Kur ujërat e tij dalin nga Kina, ku ai quhet Lancang, tashmë ka përshkuar pothuajse gjysmën e rrugës dhe ka zbritur nga një lartësi e madhe prej 4.500 metrash. Kurse në gjysmën e dytë të rrugës, Mekongu zbret nga një lartësi prej vetëm 500 metrash. Si pasojë, në këtë pjesë, lumi është shumë më i qetë. Pasi lë Kinën, Mekongu krijon kufirin që ndan Mjanmarin dhe Laosin, si edhe pjesën më të madhe të kufirit mes Laosit dhe Tajlandës. Ai ndahet në Kamboxhia dhe futet në Vietnam, ndërkohë që dy degët e tij degëzohen përsëri para se të derdhen në Detin e Kinës Jugore.
Nga fundi i viteve 1860, francezët u përpoqën të gjenin një rrugë të lundrueshme në Mekong për të hyrë në Kinë. Megjithatë shpresat e tyre u shuan kur afër qytetit të Kratiesë në Kamboxhia, u ndeshën me rrëmbesa të lumit, kurse në jug të Laosit hasën një varg ujëvarash të frikshme, të quajtura Ujëvarat e Konit. Nga Ujëvarat e Konit derdhet më shumë ujë se nga çdo ujëvarë tjetër në botë, madje dyfishi i sasisë që derdhet nga Ujëvara e Niagarës, që gjendet në të dy anët e kufirit midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Lumë jetëdhënës
Mekongu është jetësor për ekonominë e Azisë Juglindore. Si Vientiana, kryeqyteti i Laosit, ashtu dhe Pnom-Peni, kryeqyteti i Kamboxhias, janë qytete-port mbi lumë. Në rrjedhën e poshtme, Mekongu është vetë jeta për Vietnamin. Atje lumi ndahet në shtatë degë, duke formuar një deltë 25.000 kilometra katrorë dhe, gjatësia e përgjithshme e të gjitha degëzimeve arrin rreth 3.200 kilometra.
Ky ujë i bollshëm vadit fusha e orizore dhe i pasuron ato me lymin ushqyes, duke u bërë të mundur bujqve të mbjellin e të marrin tri herë në vit prodhim nga orizi. Në fakt, Vietnami vjen i dyti në botë, menjëherë pas Tajlandës, për sa i përket eksportimit të këtij ushqimi bazë për rajonin.Në Mekong rriten rreth 1.200 lloje peshqish, dhe disa prej tyre, si edhe karkalecat, kultivohen për tregti. Një peshk i përhapur në këtë zonë, rieli tresh, është bërë i famshëm për një arsye të veçantë, pasi monedha e Kamboxhias, rieli, e ka marrë emrin prej tij. Në Mekong gjendet edhe një lloj peshk-mace që është në rrezik, i cili mund të rritet deri në 2,75 metra. Më 2005, peshkatarët zunë me rrjetë një peshk-mace 290 kg, që ndoshta ishte peshku më i madh që është parë ndonjëherë në ujërat e ëmbla në të gjithë botën. Një lloj tjetër i rrezikuar, të paktën në lumin Mekong, është delfini i Iravavit. Studiuesit thonë se në lumë mund të kenë mbetur më pak se 100 të tillë.
Përveç se ushqen miliona njerëz, Mekongu shërben edhe si rrugë kryesore për mjetet lundruese të të gjitha përmasave: për anijet e vogla të transportit të pasagjerëve, për mjete lundrimi më të mëdha për mallra dhe për anije oqeanike mallrash. Lumi bën për vete edhe turistët, shumë prej të cilëve u pëlqen të kalojnë Ujëvarat e Konit, për të vizituar Vientianën. Qyteti, i cili është i famshëm për kanalet, për pagodat ose faltoret, dhe për shtëpitë mbi shtylla druri, ka qenë një qendër tregtare, politike dhe fetare për më shumë se 1.000 vjet. Kush ka guxim, mund të udhëtojë që nga Vientiana në rrjedhën e sipërme të lumit drejt Luang-Prabangut. Ky qytet-port, dikur ishte kryeqyteti i shtetit të madh tajlandezo-laosian dhe, për njëfarë kohe, edhe gjatë periudhës së sundimit francez, kryeqyteti mbretëror i Laosit. Në këtë qytet historik, ende ndihet atmosfera e një kolonie franceze.
Kohët e fundit kanë ndodhur ndryshime shqetësuese përgjatë Mekongut. Ndër to janë metodat shkatërrimtare të peshkimit, shpyllëzimi dhe ndërtimi i digave gjigante hidroelektrike. Shumë njerëz mendojnë se gjendja ka dalë jashtë kontrollit. Gjithsesi ka shpresë.
Bibla premton se Krijuesi ynë i dashur së shpejti do të ndërhyjë në çështjet e njerëzimit me anë të Mbretërisë së tij. (Danieli 2:44; 7:13, 14; Mateu 6:10) Nën drejtimin e kësaj qeverie të përsosur mbarëbotërore, krejt toka do të ripërtërihet dhe, në kuptimin figurativ, lumenjtë do të «duartrokasin» gjithë gëzim. (Psalmi 98:7-9) U bashkoftë me këtë duartrokitje edhe Mekongu madhështor!
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
KINË
MJANMAR
LAOS
TAJLANDË
KAMBOXHIA
VIETNAM
Lumi Mekong
[Figura në faqen 24]
Orizore në deltën e Mekongut
[Figura në faqen 24]
Në Mekong rriten rreth 1.200 lloje peshqish
[Figura në faqen 25]
Treg mbi ujë, Vietnam
[Burimet e figurave në faqen 24]
Orizore: ©Jordi Camí/age fotostock; peshkimi: ©Stuart Pearce/World Pictures/age fotostock; sfondi: © Chris Sattlberger/Panos Pictures
[Burimet e figurave në faqen 25]
Tregu: ©Lorne Resnick/age fotostock; gruaja: ©Stuart Pearce/World Pictures/age fotostock