Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Eksperimenti i shenjtë’ i kuakerëve

‘Eksperimenti i shenjtë’ i kuakerëve

‘Eksperimenti i shenjtë’ i kuakerëve

NË KORRIK të vitit 1656, anija Dallëndyshja, që vinte nga Barbadosi i Indive Perëndimore, hodhi spirancën në brigjet e Bostonit të Masaçusetsit, territor që sot i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Riçard Belinghami, zëvendës-guvernator në koloninë e Masaçusetsit, urdhëroi që pasagjeret Meri Fisher dhe Ana Ostin të mos zbritnin. Në plaçkat e tyre u gjetën 100 libra që thuhej se përmbanin «doktrina blasfemuese, heretike dhe të korruptuara».

Librat i dogjën në sheshin e pazarit. Pastaj dy gratë i burgosën, i zhveshën dhe i kontrolluan se mos kishin ndonjë shenjë që tregonte se merreshin me shtrigëri. Dritarja e qelisë së tyre u vulos, dhe për pesë javë ato i mbajtën në errësirë të plotë. Kushdo që guxonte t’u fliste rrezikonte të gjobitej me pesë sterlina. Si përfundim, Meri Fisherin dhe Ana Ostinin i kthyen në Barbados.

«Përse ardhja e dy grave ju tronditi kaq shumë, a thua se një ushtri e frikshme ju pushtoi kufijtë?»,—i pyeti gjyqtarët një kronist i asaj kohe. Këto gra «të rrezikshme» ishin misionaret e para kuakere që shkuan në Amerikën e Veriut. Kush ishin kuakerët dhe përse konsideroheshin të rrezikshëm?

Shoqata e Miqve

Kuakerët ose Shoqata Fetare e Miqve, i patën fillimet në shekullin e 17-të në Angli. Themeluesi i kësaj shoqate ishte Xhorxh Foksi (1624-1691), i biri i një endësi, lindur në Lester. Pasi pretendonte se kishte dëgjuar një zë me anë të një mrekullie, Foksi arriti në përfundimin se mund të komunikonte drejtpërdrejt me Perëndinë dhe se mendja e tij ndriçohej nga lart, jo nga meditimi. «Data e njohur tradicionalisht për lindjen e Shoqatës së Miqve është viti 1652»,—thuhet në librin Histori fetare e popullit amerikan (anglisht).

Si ndodhi që Miqtë u quajtën kuakerë (në anglisht, fjala «kuakerë» vjen nga një folje që do të thotë «të dridhesh»)? Në një vepër referimi thuhet se trupi i tyre «tundej e shkundej para se të merrnin ndonjë zbulim hyjnor». Një enciklopedi thotë se ata «dridheshin nga një ndjesi e thellë përnderimi për shenjtërinë dhe madhështinë e pakufishme të Perëndisë». Synimi i kuakerëve ishte të gjenin të vërtetën fetare dhe të ringjallnin krishterimin e hershëm.

Ata thoshin se për drejtim, mbështeteshin te fryma e shenjtë, te profetët e Biblës, te apostujt e Krishtit dhe te një «ndriçim» ose «zë» i brendshëm që, sipas tyre, u tregonte të vërtetën për Perëndinë. Prandaj mbledhjet ishin kryesisht periudha kur mblidheshin si grup dhe heshtnin, e çdo individ kërkonte udhëheqjen e Perëndisë. Çdokush që merrte një mesazh hyjnor mund ta thoshte me zë të lartë. *

Kuakerët besonin te drejtësia, te një ndershmëri pa kompromise, te një jetesë e thjeshtë dhe ishin kundër dhunës. Gjithashtu ata besonin se të gjithë të krishterët, përfshirë edhe gratë, duhej të merrnin pjesë aktivisht në veprimtaritë fetare. Ngaqë dilnin kundër organizatave fetare të themeluara prej kohësh, nuk donin ritet pompoze dhe thoshin se udhëhiqeshin nga një zë i brendshëm e jo nga një klasë klerikësh, kuakerët ngjallën frikë dhe dyshim. Por më shqetësues ishte zelli i tyre misionar, që ngjalli zemërim, sulme nga turmat dhe ndërhyrjen e autoriteteve.

Në Angli, kuakerët i përndoqën dhe i burgosën, kurse në Anglinë e Re, SHBA, i dëbuan e madje i vranë. Për shembull, në vitet 1659-1661, në Boston u ekzekutuan me varje misionarët Meri Dajër, Uilliam Ledra, Uilliam Robinson dhe Marmëduk Stivenson. Të tjerë i vunë në pranga, i damkosën ose i rrahën me kamxhik. Disave u prenë veshët. Një burrë me emrin Uilliam Brendi u dënua me 117 fshikullime në kurrizin e zhveshur, me një litar të lyer me zift. Pavarësisht nga këto mizori, kuakerët u shtuan në numër.

Uilliam Peni dhe ‘Eksperimenti i shenjtë’

Duke filluar në vitin 1681, për çudi, jeta e kuakerëve në Amerikën e Veriut mori kthesë për mirë. Uilliam Peni (1644 -1718), një i ri anglez, që ishte bashkuar me Shoqatën e Miqve, themeloi një koloni që mbështetej në idealet kuakere e qeverisej nga kuakerë. Kjo nismë u quajt një «eksperiment i shenjtë» në politikë. Edhe vetë Penin, birin pacifist të një admirali britanik, e kishin burgosur ngaqë predikonte dhe shkruante rreth pikëpamjeve të tij.

Si shlyerje për një borxh që i kishte babait të Penit, kurora angleze i dha Penit një sipërfaqe të madhe toke në Amerikën e Veriut. Me anë të një akti mbretëror, të riut Pen iu dha një pushtet gati i pakufizuar mbi koloninë e re, e cila mori emrin Pensilvani, që do të thotë «Pyjet e Penit», në kujtim të admiralit Pen. Atje, njerëzit e të gjitha besimeve do të gëzonin liri fetare.

Në fillim Peni dërgoi në Amerikë kushëririn e tij, Uilliam Markamin. Ai do të vepronte si përfaqësues i Penit duke siguruar besnikërinë e atyre pak evropianëve që ishin brenda territorit të kolonisë së re dhe të blinte tokë nga indigjenët e Amerikës. Më 1682 Peni lundroi në lumin Delaver dhe për të parën herë pa koloninë e tij. Ai bëri një marrëveshje të paanshme me popujt vendës në Shakamakson (tani quhet Kenzington, pjesë e Filadelfias). Më vonë, as një milje nga Shakamaksoni, ai planifikoi një koloni të re, të cilën e quajti Filadelfia, që do të thotë «dashuri vëllazërore». Kjo koloni u rrit me të shpejtë.

Peni u kthye në Angli dhe i bëri reklamë kolonisë së re që t’i nxiste njerëzit të shpërnguleshin atje. Ai shkroi për toka pjellore dhe pyje të bukura, për një lumë madhështor, për kafshë të egra dhe gëzofin e tyre. Ai premtoi se qeveria e re do t’i jepte shtysë tolerancës fetare dhe bashkëjetesës në paqe. Të gjithë ishin të mirëpritur: tregtarë, njerëz pa një kacidhe në xhep dhe idealistë të etur për të dhënë ndihmën e tyre për një qeveri të mirë.

Shpresa për një çlirim nga problemet shoqërore dhe politike të Evropës tërhoqi kuakerë nga Anglia dhe Irlanda e Veriut. Menonitët dhe grupet e përafërta me ta erdhën nga krahinat përreth lumit Ren në Evropë. Të ardhurit e parë ishin shumica kuakerë, dhe Peni bëri një deklaratë për fillimin premtues të kolonisë. Më 1683, ai shkroi: «Janë mbajtur dy asamble të përgjithshme, . . . dhe janë miratuar të paktën shtatëdhjetë ligje pa asnjë polemikë.» Por optimizmi nuk do ta kishte të gjatë.

Eksperimenti merr të tatëpjetën

Statuti i kolonisë së Penit u siguronte të gjithëve lirinë e ndërgjegjes. Prandaj, kur dhuna shihej e nevojshme për të ruajtur ligjin dhe rendin, pacifizmi i kuakerëve përbënte një problem, i cili u rëndua me kalimin e kohës. Fillimisht Peni e anashkaloi çështjen duke caktuar njerëz që nuk ishin kuakerë dhe që, siç thoshte ai, do të ishin «të ashpër me fqinjët kur të lindte nevoja». Në vitin 1689, rreziku i luftës me Francën i vuri edhe më shumë në provë parimet e kuakerëve.

Gjendja u rëndua kur një numër i madh të ardhurish që nuk ishin kuakerë, mbërritën dhe ua zaptuan tokat vendësve. Kështu, kuakerët u bënë pakica dhe marrëdhëniet me vendësit sa vinin e bëheshin më armiqësore.

Goditja e fundit për autoritetet politike kuakere ishte kur guvernatori dhe këshilli i tij u shpallën luftë fiseve të Delaverit dhe Shonisë në vitin 1756. Si kundërpërgjigje, kuakerët u tërhoqën nga qeveria duke i dhënë fund regjimit të tyre. Pra, pas 75 vjetësh, ‘eksperimentit të shenjtë’ të Penit në politikë i erdhi fundi.

Me kalimin e kohës, zelli fetar i kuakerëve nisi të venitej teksa bëheshin më të kamur. Samuel Fadhërgil, një kuaker, tha: «Meqë shpirti i tyre u drejtua nga kjo botë, [të shpërngulurit kuakerë] nuk mund t’u mësonin pasardhësve të tyre parime që vetë i kishin harruar.» Me kalimin e kohës, mes kuakerëve lindën edhe sekte.

Peni dhe përkrahësit e tij mund të kenë pasur synime fisnike dhe sukses për njëfarë kohe. Megjithatë, ata ose nuk i kuptuan siç duhej, ose i shpërfillën fjalët e Jezuit kur tha se ai dhe dishepujt e tij «nuk janë pjesë e botës». (Gjoni 17:16) Kështu, çdo projekt, sado të mira t’i ketë synimet, nëse përpiqet të bashkojë fenë me politikën, nuk ka bekimin e Perëndisë ose të Birit të tij. (Jakovi 4:4; 1 Gjonit 5:19) Prandaj, nuk mund të dalë me sukses.—Psalmi 127:1.

[Shënimi]

^ par. 8 Sot, shumë kisha kuakere kanë një shërbëtor fetar me pagesë që i drejton shërbesat në mënyrë më të organizuar.

[Kutia në faqen 12]

«MBRETËRIA IME NUK ËSHTË PJESË E KËSAJ BOTE»

Përse Jezui i tha këto fjalë që i gjejmë te Gjoni 18:36? Përgjigja bëhet e qartë kur kuptojmë se çfarë është Mbretëria e Perëndisë. Mbretëria e Perëndisë, tema kryesore e mësimdhënies së Jezuit, është një qeveri në duart e vetë Jezu Krishtit, qeveri që do të drejtojë gjithë botën. (Isaia 9:6, 7; Luka 4:43) Në vend që të drejtojë me anë të qeverive njerëzore, Mbretëria do t’u japë fund atyre e do të jetë e vetmja qeveri në tokën mbarë. (Danieli 2:44; 7:13, 14) Pikërisht këtë përmendi Jezui në lutjen model kur tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Nënshtetasit e bindur të kësaj Mbretërie do të kenë një jetë që njerëzit e sinqertë si Uilliam Peni, nuk mund ta sjellin kurrë. Do të gëzojnë shëndet të përsosur dhe jetë të pafund në një ambient parajsor e me paqe.—Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4.

[Figura në faqen 10]

Një mbledhje kuakerësh në Filadelfia, vitet 1800

[Figura në faqen 10]

Meri Dajëri, një kuakere, teksa e çonin për ekzekutim në Koloninë e Gjirit të Masaçusetsit

[Figura në faqen 11]

Kuakerë duke u larguar nga Anglia në vitet 1600

[Figura në faqen 11]

Uilliam Peni bëri një marrëveshje me indigjenët e Amerikës, në vitin 1682

[Burimi i figurave në faqen 10]

Të dyja fotografitë: © North Wind Picture Archives

[Burimet e figurave në faqen 11]

Varkat dhe anija: © North Wind Picture Archives; marrëveshja: Brown Brothers