Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I çliruar nga të gjitha brengat

I çliruar nga të gjitha brengat

I çliruar nga të gjitha brengat

Treguar nga Zhan-Klod Fransuaja

Për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, u dergja shtatë vjet në mbi dymbëdhjetë burgje. Edhe pse hoqa goxha, jam bekuar shumë. Më lejoni t’ju shpjegoj përse them kështu.

LINDA në Algjer të Algjerisë, më 9 janar 1937. Në atë kohë Algjeria sundohej nga Franca, dhe im atë ishte oficer në ushtrinë franceze. Për muaj të tërë shkonte me punë në Egjipt, Irak, Liban dhe Siri, duke i mbetur shumë pak kohë, për të mos thënë fare, për pesë fëmijët.

Më pëlqente shkolla dhe isha me nota të mira. Por vrisja mendjen për pyetje të tilla, si: pse vdesim dhe si ka mundësi që ekziston ligësia kur Perëndia është i plotfuqishëm dhe i mirë? Nuk gjeja përgjigje bindëse. Po ashtu doja shumë të dija se si kishte ardhur jeta. Teoria e Darvinit për evolucionin më dukej i vetmi shpjegim me vend, prandaj, me kalimin e kohës, u bëra ateist.

Më në fund gjej përgjigjet!

Në vitin 1954, një shok me emrin Zhorzh, që ishte bërë Dëshmitar i Jehovait, më dha broshurën Evolucioni dhe Bota e Re (anglisht). * E përpiva me një frymë. Përveçse tregonte dështimin e teorisë së evolucionit, broshura tregonte se dëshmitë fosile vërtetojnë tregimin e Zanafillës, që thotë se Perëndia e krijoi çdo gjallesë «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:12, 25) Kurse pyetja për ligësinë më lëvrinte ende në kokë.

Zhorzhi ishte pionier, shërbëtor në kohë të plotë, dhe kalonte shumë kohë duke u mësuar të tjerëve Biblën, një libër që s’e kisha lexuar asnjëherë. A mund të m’i jepte ai përgjigjet? Shkova në apartamentin e vogël të Zhorzhit, i cili jetonte me disa pionierë të tjerë, dhe për shumë pyetje që kisha, mora përgjigje të bazuara në Shkrime. Pas kësaj, fillova një studim të rregullt dhe shumë të këndshëm të Biblës. Që atëherë, kurrë nuk jam lodhur duke gërmuar në Fjalën e Perëndisë për të gjetur thesaret e saj besimforcuese.—Proverbat 2:1-5.

Fillova të ndiqja edhe mbledhjet e krishtere, që mbaheshin në bodrumin e një restoranti në zemër të Algjerit. Dëshmitarët më mikpritën ngrohtë dhe, me kalimin e kohës, nisa të shkoja rregullisht. Një herë u lajmërua se do të mbahej një mbledhje në filan rrugë, dhe unë vendosa të shkoja. Kur mbërrita, mësova se Dëshmitarët ishin mbledhur për të predikuar shtëpi më shtëpi. (Veprat 20:20) Prapëseprapë qëndrova, dhe ja kështu fillova të predikoja.

Herën e tretë që dola në predikim, shkova vetëm dhe u flisja njerëzve në shtëpitë e tyre. Te një derë, nuk gjeja dot në Bibël shkrimin që kisha cituar. «Djalosh,—më tha i zoti i shtëpisë, —shko mëso të tjerët kur të jesh i aftë ta bësh këtë.» Pastaj e mbylli derën. I mërzitur, u ula në një stol dhe nisa të kërkoja atë shkrim që s’e gjeja dot. Kur e gjeta ca minuta më vonë, u ktheva dhe ia tregova atij burri.

U pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Perëndisë më 4 mars 1956. Gjashtë muaj më vonë, duhet të merrja një vendim të rëndësishëm. A do të shërbeja si pionier i rregullt apo do të pranoja punën si mësues në një zonë të thellë të Algjerisë e kështu të kaloja më pak kohë në shërbim? Vendosa të bëhesha pionier.

Im atë u tërbua nga vendimi që mora, më vuri thikën në fyt dhe më urdhëroi që çdo mbrëmje të kthehesha në shtëpi. Më tha edhe të mos prisja të haja prapë në shtëpi, ndonëse kisha ndër mend të paguaja për çdo shpenzim që do të bëja. Kështu, në mëngjes dilja nga shtëpia i uritur, drekën e haja jashtë me pionierët e tjerë, kurse për darkë haja një sanduiç para se të kthehesha në shtëpi.

U shpëtoj bombave e plumbave

Në atë kohë, Algjeria ishte në valën e luftës për të fituar pavarësinë nga Franca, dhe Algjeri ishte shkatërruar nga bombardimet dhe aktet e egra ndëshkimore. Gjatë një muaji ndodhën mbi 100 shpërthime. Bombat viheshin në autobusë, lokale dhe stadiume. Shërbimi u bë shumë i vështirë. Njerëzit kishin frikë të hapnin derën dhe, herë pas here, kishte shtetrrethim, kontrolloheshin dokumentet e identifikimit dhe personat.

Një të diel, më 30 shtator 1956, ndërsa bashkë me disa pionierë të tjerë po rregullonim vendin ku kishim bërë mbledhjen, shpërtheu një bombë në restorantin sipër nesh, që vrau e gjymtoi dhjetëra njerëz. Shyqyr që asnjë nga ne aty poshtë nuk u dëmtua. Në dhjetor, po predikoja me një motër në një rrugë plot njerëz kur një makinë kaloi me shpejtësi dhe nga xhamat e hapur të makinës filluan të shtinin me armë mbi turmën. U turrëm te një hyrje, e shtyva motrën përtokë dhe pastaj u shtriva edhe vetë. Plumbat fishkëllenin mbi kokat tona. Pas kësaj, të gjithë ishim shumë më të kujdesshëm kur jepnim dëshmi.

Nuk pranoj të marr armët

Më 1 mars 1957, më thirrën për shërbimin ushtarak. Meqë ndërgjegjja e krishterë nuk më lejonte të merrja armët, u luta që të kisha forcë për t’u përballur me autoritetet. U luta edhe që të shmangia përplasjen me babanë. Sa i lehtësuar u ndjeva kur më thanë të paraqitesha në Lil të Francës, shumë larg shtëpisë!

Gjashtë ditë më vonë, mbërrita në Kalanë e Lilit, një fortesë e shekullit të 17-të, që nga koha e mbretit Luigj XIV. Duke përdorur Biblën, u shpjegova qëndrimin tim asnjanës autoriteteve ushtarake, të cilët më pas më rrasën në burg. Një mëngjes, rojet më nxorën me forcë nga qelia, më kontrolluan dhe gjetën një Bibël të vogël. Pastaj më shtrinë përmbys në dëborë, e hodhën Biblën afër meje, më vunë qytën e pushkës pas kokës dhe më mbajtën ashtu nja 30 minuta. Shyqyr që pas kësaj rojat ma lanë Biblën, të cilën edhe sot e kësaj dite e kam në raftin e librave. Megjithatë, keqtrajtimi që m’u bë atë ditë më la me dhembje të forta stomaku për vite të tëra.

Pak ditë më vonë, komandanti më lexoi një letër që ia kishte dërguar im atë. «Duhet ta bëni të dorëzohet. Dërrmojeni shpirtërisht, po të jetë nevoja»,—shkruante ai. Ngaqë nuk bëra kompromis, komandanti më rrasi në një qeli të errët, ku flija në një dërrasë dhe mbulohesha me një batanije të vogël. S’kisha banjë dhe i kryeja nevojat personale në një cep të qelisë. Nuk kisha mundësi të laja trupin, dhëmbët ose të pastroja enën ku haja. Dy javë më pas, më çuan në burgun Fren në Paris.

Në gjashtë vitet që pasuan, u dënova katër herë dhe qëndrova në 14 burgje. Gjatë një dimri, më mbajtën në Fontëvro, një abaci e shekullit të 12-të që ndodhej në luginën Luarë dhe që përdorej si burg. Kur mbërrita, m’i konfiskuan të gjitha gjërat që kisha. Ngaqë kërkoja me ngulm të më jepnin Biblën, rojat më futën një muaj në një qeli të izoluar. Atje, një tjetër armik, i ftohti, u kthye me egërsi. Si pasojë, fillova të kollitja gjak.

Në këtë kohë më transferuan në një burg më njerëzor, në Shato dë Tuerka, afër Somuerit, ku të burgosurit kryenin punë shtëpiake për gjykatës pensionistë. Mes të burgosurve ishte edhe Ahmet Ben-Bela, presidenti i ardhshëm i republikës së Algjerisë. Për muaj me radhë i dhashë dëshmi. «Ti je banor i Algjerit,—më tha njëherë,—dhe je këtu ngaqë nuk pranove të merrje armët kundër algjerianëve.» Ai e respektonte qëndrimin tim.

I forcuar për të duruar sprova të tjera

Shëndeti m’u keqësua, u diagnostikova me tuberkuloz dhe më çuan në një sanatorium në jug të Francës, ku lëngova në shtrat për disa muaj. Mjeku më këshilloi të bëja operacion për të hequr mushkërinë e infektuar dhe unë rashë dakord, me kusht që të ‘rrija larg nga gjaku’. (Veprat 15:29) I zemëruar, mjeku refuzoi të më operonte. Ishte viti i gjashtë që isha në burg.

M’u desh të dilja nga sanatoriumi në palcë të dimrit, vetëm me rrobat e trupit. Por, ashtu si dërgoi Onesiforin për të ndihmuar apostullin Pavël, Jehovai më dërgoi edhe mua një ndihmës—vëlla Adolf Garatonin, i cili më strehoi dhe u bë «ndihmë fuqizuese» për mua. (Kolosianëve 4:11; 2 Timoteut 1:16-18) Me ndihmën e tij dhe të një mjeku nga jugu i Francës, shëndeti m’u përmirësua pak nga pak.

Gjatë kësaj kohe, pata goxha shpenzime dhe më duheshin para për t’i mbuluar. S’dija si të bëja. Pastaj një ditë, më vizitoi një e panjohur. «Jam avokate,—më tha ajo.—Presidenti i Algjerisë, z. Ben-Bela më dërgoi t’ju jap këtë.» Më zgjati një zarf që kishte aq para sa më dilnin e më tepronin për të mbuluar shpenzimet. Falënderova me gjithë zemër Jehovain, ‘Dëgjuesin e lutjes’.—Psalmi 65:2.

Privilegje të mrekullueshme dhe një shoqe e bukur

Tani që isha i lirë, fillova sërish shërbimin e plotkohor. Në kongregacionin e Mëlonit, afër Parisit, takova një vejushë 35-vjeçare, Andre Morelin. I shoqi, edhe ai Dëshmitar, i kishte vdekur në një aksident me makinë. U martuam më 26 shtator 1964. Më 1 gusht 1965, morëm caktimin si pionierë specialë. Ndonëse Andrea nuk ishte mirë me shëndet, qëndroi në shërbimin e plotkohor për 28 vjet.

Në 1967 u emërova mbikëqyrës qarkor, një shërbëtor udhëtues që viziton dhe inkurajon kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Shërbyem në Francën Jugore nga Bordoja deri në Monako, dhe në Paris për një vit. Për shkak të shëndetit tonë, vepra udhëtuese nuk ishte e lehtë, por me ndihmën e Jehovait u shërbyem vëllezërve për 20 vjet, deri në vitin 1986, kur u bëmë prapë pionierë specialë.

Jeta ime sot

Tani jam gati 70 vjeç dhe e kam parë shumë e shumë herë se Jehovai u jep gjithmonë shërbëtorëve të tij forcë për të duruar sprovat. Sigurisht, një pjesë e kësaj force vjen duke studiuar Fjalën e tij të frymëzuar, të cilën përpiqem ta lexoj çdo vit nga fillimi në fund.—Isaia 40:28-31; Romakëve 15:4; 2 Timoteut 3:16.

Bashkë me Andrean marrim zemër kur shohim njerëz që i përgjigjen lajmit të mirë dhe ia kushtojnë jetën Jehovait. Me kalimin e viteve kemi parë 70 nga studentët tanë të Biblës ta bëjnë këtë, e kjo na ka gëzuar pa masë. Kur mendoj për jetën tonë, më duket sikur psalmisti foli për secilin prej nesh kur shkroi: «Ky i munduar thirri, dhe Jehovai e dëgjoi e nga të gjitha brengat e çliroi.»—Psalmi 34:6.

[Shënimi]

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 21]

Në burgun e Shato dë Tuerka, afër Somuerit

[Figurat në faqen 23]

Me gruan në vitin 1967, dhe sot