Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetë në Luginën e Vdekjes

Jetë në Luginën e Vdekjes

Jetë në Luginën e Vdekjes

NË VITIN 1848, afër Sakramentos, në Kaliforni të SHBA-së, zbuluan ar. Vitin pasues, gati 80.000 veta në kërkim të thesareve, vërshuan në Kaliforni me shpresën që të pasuroheshin sa hap e mbyll sytë. Më 25 dhjetor 1849, një grup njerëzish, që po udhëtonin me një karvan me rreth 100 karro, nga Solt-Lejk-Siti drejt perëndimit, mbërritën në vendin që sot njihet si Lugina e Vdekjes. Ata shpresonin, se po t’i binin nga ajo ultësirë e zhuritur, pranë kufirit Kaliforni-Nevadë, do të dilnin më shkurt.

Në atë periudhë të vitit, lugina ishte e freskët, por terreni ishte i rrezikshëm. U ndanë në disa grupe më të vogla dhe morën secili rrugë të ndryshme. Një grup, që kishte edhe gra e fëmijë, u orvat të gjente ndonjë shteg në male, që të dilte nga lugina e të hidhej në perëndim, por më kot. Të rraskapitur e me ato pak ushqime të mbetura, fushuan pranë një burimi, afër vendit që sot quhet përroi Fërnës. Pastaj ikën që andej dhe u ndalën pranë një pellgu që më vonë u quajt Pusi i Benetit. Prej këtej, dy 20-vjeçarë, Uilliam Manli dhe Xhon Roxhersi, shkuan të kërkonin ndihmë, kurse të tjerët ndenjën aty.

Manli dhe Roxhersi mendonin se do të arrinin në qytetin e Los Anxhelosit brenda pak ditësh. Por nuk ua merrte mendja se ai ishte afro 300 km në jugperëndim. Pasi ecën më këmbë për gati dy javë, mbërritën në Luginën e San-Fernandos, në veri të qytetit. Atje u furnizuan me ç’u nevojitej dhe, pa humbur kohë, morën rrugën e kthimit.

Kur mbërritën në kamp pas 25 ditësh, nuk panë këmbë njeriu. Manli shkrepi një armë dhe ja, poshtë një qerreje doli një burrë. Më vonë, Manli shkroi: «Ai ngriti duart lart dhe thirri: ‘Erdhën djemtë, erdhën djemtë!’» Pastaj dolën edhe të tjerët, që s’gjenin dot fjalët nga emocionet. Falë Manlit dhe Roxhersit, të gjithë mbijetuan, përveç një burri që ishte larguar i vetëm nga kampi, për të kërkuar ndonjë rrugëdalje nga lugina. Thuhet se teksa grupi po nisej, një grua ktheu kokën pas dhe tha: ‘Lamtumirë o Luginë e Vdekjes!’ E nga kjo mori emrin lugina.

Vendi i ekstremeve

Lugina e Vdekjes, afro 225 km e gjatë dhe 8-24 km e gjerë, është vendi më i thatë, më i ulët dhe më i nxehtë në Amerikën e Veriut. Sipas regjistrimeve, temperatura e ajrit në përroin Fërnës ka arritur 57 gradë celsius, kurse temperatura e tokës ka arritur një pikë përvëluese, 94 gradë celsius. Mendoni, vetëm 6 gradë nën temperaturën e vlimit të ujit në nivelin e detit! *

Mesatarja e reshjeve të shiut shkon më pak se pesë centimetra në vit, madje ka vite që nuk bie asnjë pikë shi. Në këtë luginë, pranë një pellgu të kripur në Baduoter, gjendet pika më e ulët në të gjithë Hemisferën Perëndimore—86 metra nën nivelin e detit. Vetëm 140 kilometra larg ngrihet Mali Vitni, 4.418 metra, që është pika më e lartë në Shtetet e Bashkuara, pa përfshirë Alaskën.

Aty nga viti 1850, sasi të vogla ari ishin zbuluar në një luginë në Solt-Spring. Në atë zonë, kërkuesit e mineraleve gjetën edhe argjend, bakër e plumb. Anembanë luginës, u shtuan si kërpudhat pas shiut qytezat e minatorëve, të cilat morën emra interesantë, si Bretkosa–dem ose Uji i gjelbër. Por kur mineralet shteruan, këto qytete, dikur të lulëzuara, u kthyen në qytete–fantazmë. Megjithatë, në vitin 1880, në Luginën e Vdekjes zbuluan boraks, një përbërje e bardhë kristalore që përdoret në prodhimin e sapunit e të artikujve të tjerë. Kjo çoi në periudhën më të ndritur të historisë minerare të luginës. Deri në vitin 1888, karro dyshe, 5 metra të gjata e të ngarkuara me boraks, tërhiqeshin nga 18 mushka dhe dy kuaj, teksa përshkonin largësinë rraskapitëse prej 270 km gjer në qytetin e Mohavit. Por nga qershori në shtator nuk transportohej asnjë ngarkesë, pasi vapa ishte e padurueshme si për njerëzit, edhe për kafshët.

Lugina e Vdekjes u shpall monument kombëtar në vitin 1933. Pak nga pak, kufijtë e saj u zgjeruan duke përfshirë 1,3 milionë hektarë. Më 1994, kjo zonë u bë Parku Kombëtar i Luginës së Vdekjes, parku më i madh kombëtar në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara.

Në Luginën e Vdekjes zien jeta

Është e kuptueshme që dikush mund të mendojë se Lugina e Vdekjes ka mbetur e shkretë. Por aty kalojnë ose jetojnë qindra lloje kafshësh, shumë prej të cilave dalin natën për shkak të nxehtësisë. Më e madhja nga gjitarët është delja brimadhe e shkretëtirës, një kafshë madhështore, që herë pas here vjen në luginë nga malet përreth. Krijesa të tjera janë: baldosat, lakuriqët, luqerbullat, kojotat, dhelprat gri, minjtë kangur, luanët e maleve, ferrëgjatët, lepujt, qelbësit, gomarët e egër, hardhucat, gjarpërinjtë dhe breshka e shkretëtirës. Ndër shpendët janë: bajza, fajkoi, çafka e përhime, shkurta, korbi, këmbëqirithi, huta dhe qindra lloje të tjera.

Ndër kafshët më rezistente, janë minjtë kangur. Ata mund të jetojnë gjithë jetën pa një gllënkë ujë. «I gjithë uji që u duhet për të mbijetuar mund të prodhohet brenda trupit të tyre nga përpunimi i amidonit dhe i vajit të farërave të thata që hanë»,—thuhet në një revistë. Gjithashtu, në krahasim me veshkat e njeriut, veshkat e tyre mund të mbajnë pesë herë më shumë urinë. Këta brejtës të vegjël i shpëtojnë nxehtësisë përvëluese të ditës duke dalë nga strofka natën për t’u ushqyer.

Më shumë se një mijë varietete bimësh lulëzojnë në luginë. Indianët Shoshoni, që kanë jetuar atje për më shumë se një mijë vjet, i përdorin bimët vendëse si ushqim e si lëndë të parë për enë a vegla të ndryshme. Ata thonë se po të dish se çfarë të kërkosh, do të gjesh lloj-lloj ushqimesh në Luginën e Vdekjes.

Kur shkretëtira lulëzon

Një herë në të rrallë, Lugina e Vdekjes shfaq një spektakël të mrekullueshëm me lule të egra. Këto shpërthejnë nga farërat e panumërta që flenë në tokë, ndonjëherë për dekada të tëra, duke pritur që të mbijnë kur të krijohen kushtet për kombinimin e duhur të reshjeve dhe temperaturës. «Mund të kalojnë vite e vite dhe të mos na zërë syri asnjë lule»,—thotë Tim Krosanti, botanist në Shërbimin e Parkut Kombëtar.

Por gjatë dimrit 2004-2005, në Luginën e Vdekjes, sasia e shiut tejkaloi çdo vit tjetër—më shumë se trefishi i sasisë që bie normalisht. Si rrjedhojë shpërthyen më shumë se 50 lloje lulesh të egra, ku kishte edhe zhabina, zambakë, orkide, lulëkuqe, aguliçe, luledielli dhe shporriza. Një vizitor tha se lugina kundërmonte si të ishte një dyqan lulesh. Sigurisht, lulet bëjnë për vete bletët dhe insektet e tjera. Kështu, kur Lugina e Vdekjes lulëzon, në të njëjtën kohë edhe gumëzhin nga moria e flatrave të vogla.

Nëse do të vendosni ndonjëherë të shkoni te kjo luginë ekstremesh, sigurohuni që të keni një makinë të fortë dhe ujë me bollëk. E po të rastisni kur vijnë bletët, merrni me vete edhe kamerën. Familjarët dhe miqtë në shtëpi do të mahniten kur të shohin se si zien jeta në Luginën e Vdekjes.

[Shënimi]

^ par. 7 Rekordi botëror i tanishëm i temperaturës më të lartë është regjistruar në vitin 1922, në Libi, me 58 gradë celsius. Megjithatë, po të marrësh në përgjithësi temperaturat gjatë verës, me sa duket Lugina e Vdekjes është vendi më i nxehtë në tokë.

[Diçitura në faqen 15]

Vendi më i thatë, më i ulët dhe më i nxehtë në Amerikën e Veriut

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

Peshq në shkretëtirë?!

Katër lloje të një peshku të vogël të mrekullueshëm, që quhet peshku flutur i shkretëtirës, rriten në Luginën e Vdekjes. Në dimër, këto krijesa gjashtë centimetra me ngjyrë të argjendtë, flenë në llucën që gjendet në fund të përrenjve dhe të pellgjeve të izoluara. Pastaj, kur dielli pranveror ngroh ujërat, ato gjallërohen e shumohen. Meshkujt e ndryshojnë ngjyrën dhe ajo kthehet në blu të ylbertë. Veç kësaj, ata mbrojnë gjithë zell territorin e tyre nga meshkujt e tjerë. Por shpejt nxehtësia përvëluese e verës than shumicën e ujërave, dhe peshqit flutur ngordhin në masë. Atyre që mbijetojnë u duhet të rezistojnë në ujin që bëhet shumë i kripur dhe që mund të arrijë deri në 44 gradë celsius.

[Burimet]

Peshqit sipër: © Neil Mishalov--www.mishalov.com; peshku poshtë: Donald W. Sada, Desert Research Institute

[Hartat në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

SHBA

Kaliforni

Parku Kombëtar i Luginës së Vdekjes

[Burimi i figurës në faqen 15]

Mushka: Me mirësjellje nga Bancroft Library/University of California, Berkeley

[Burimet e figurave në faqen 16]

Gomarë të egër: ©Joseph C. Dovala/age fotostock; fotografia në krye: © Neil Mishalov--www.mishalov.com; lule: fotografi nga David McNew/Getty Images