Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Në mbarë botën, çdo ditë bëhen 5,7 milionë orvatje për të mashtruar përdoruesit e Internetit.​—MAGAZINE, SPANJË.

«Në vitin 2005, në Japoni vetëvrasjet kaluan shifrën 30.000 për të tetin vit radhazi.» Japonia është ndër vendet me përqindjen më të lartë në botë.​—MAINICHI DAILY NEWS, JAPONI.

«Këto 500 vitet e fundit, aktiviteti njerëzor ka bërë që 844 lloje të zhduken fare (ose të zhduken nga habitati i tyre).»​—IUCN, WORLD CONSERVATION UNION, ZVICËR.

Sipas shifrave zyrtare, 6 për qind e britanikëve—burra dhe gra—janë homoseksualë. Ligji i miratuar në 2005-n «lejon që partnerët e të njëjtit seks ‘të martohen’» dhe u jep të drejta të ngjashme me ato të çifteve heteroseksuale.​—THE DAILY TELEGRAPH, ANGLI.

Akullnajat po lëvizin më shpejt

«Po përshpejtohet lëvizja e disa akullnajave të mëdha që shkëputen nga shtresat e akullit të Grënlandës»,—raporton revista Science. Nga vëzhgimi me satelit tregohet se gjatë pesë viteve të fundit, shpejtësia e lëvizjes së disa akullnajave grënlandeze thuajse është dyfishuar, duke arritur mbi 12 kilometra në vit. Këto dhjetë vitet e fundit, masa neto e akullit të shkrirë u rrit nga më shumë se 90 kilometra kub në vit, në 220 kilometra kub në vit. Prandaj shkencëtarët thonë se «përllogaritja e tashme për rritjen e ardhshme të nivelit të deteve është goxha e vogël».

Kishat nderojnë Darvinin

Në shkurt të 2006-s, në Shtetet e Bashkuara, rreth 450 kisha «të krishtere» festuan 197 vjetorin e lindjes së Çarls Darvinit. Ngjarja përfshiu «programe dhe predikime që theksonin se teoria e tij e evolucionit biologjik është në përputhje me besimin e tyre të krishterë dhe se të krishterët nuk kanë nevojë të zgjedhin o fenë, o shkencën». Sipas gazetës Chicago Tribune, Majkëll Zimermani, organizator i këtyre festimeve, biolog dhe dekan në Kolegjin e Letërsisë dhe të Shkencës në Universitetin e Oshkoshit në Viskonsin, tha: «Nuk ka nevojë të zgjidhni. Mund t’i keni të dyja.»

Vrazhdësia në vendin e punës

«Vrazhdësia në vendin e punës bën që një kompani të humbasë kohë, përpjekje e talentin e njerëzve»,—thotë The Wall Street Journal. Nga një sondazh me afro 3.000 veta u zbulua se mbi 90 për qind e tyre «kishin provuar vrazhdësinë në punë». Gjysma e këtyre thanë se «harxhuan kot kohën e punës duke u shqetësuar për incidentin», 25 për qind ulën rendimentin në punë», dhe 1 në 8 veta e lanë fare punën. Gazeta Journal raporton fjalët e Kristina Porathit, profesoreshë ne fushën e biznesit, në Universitetin e Kalifornisë Jugore, e cila thotë se «angazhimi jo maksimal në punë, mungesa, madje edhe vjedhja, të gjitha mund të jenë shenja se në një kompani ka probleme me vrazhdësinë».

Sasi gjigante mbeturinash oqeanike

Nga fillimi i 2006-s, një sasi gjigante mbeturinash oqeanike «lundruan në jug të ujërave të ishujve Havai, duke marrë me vete një sasi të madhe mjetesh peshkimi të braktisura dhe mbeturina plastike në plazhet e Islandës», sipas një raporti të The Honolulu Advertiser. Rrymat e shtyjnë pjesën më të madhe të mbeturinave pluskuese të Paqësorit Verior në një pjesë të qetë të oqeanit, por për shkak të disa kushteve të veçanta atmosferike mbeturinat shkojnë drejt Havait. Në vitin 2005, «u gjetën mbi 2.000 copëra mbeturinash», si dhe më shumë se 100 rrjeta peshkimi. Plehrat janë të rrezikshme për jetën detare. Çarls Muri, themeluesi i Fondacionit të Kërkimeve Detare Algalita, thotë: «Tani në oqeane, peshq që ushqehen vetëm me gjëra organike nuk ka. Të gjithë hanë sende plastike.»