Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

NDONJËHERË dikush që pyet: «Pse?» nuk kërkon vetëm përgjigje, por edhe ngushëllim, sepse kur kjo pyetje lind nga një humbje e rëndë, njeriu ka nevojë që të lehtësojë dhembjen. A e jep Bibla këtë ngushëllim? Le të shqyrtojmë tri të vërteta biblike të rëndësishme që lidhen me këtë çështje.

Së pari, nuk është gabim të pyesësh pse i lejon Perëndia vuajtjet. Disa njerëz kanë merak se mos një pyetje e tillë nënkupton mungesë besimi te Perëndia ose mungesë respekti për të. Por është krejt e kundërta. Nëse kjo pyetje ju buron nga një zemër e sinqertë, nuk jeni të vetmit, pasi shumë njerëz të respektuar kanë bërë të njëjtën pyetje. Profeti besnik Habakuku e pyeti Perëndinë: «Pse më bën të shoh këtë padrejtësi të tmerrshme? Pse lejon që dhuna, paligjshmëria, krimi dhe mizoria të përhapen kudo?» (Habakuku 1:3, Contemporary English Version) Perëndia Jehova nuk e qortoi Habakukun. Përkundrazi, ai i regjistroi pyetjet e këtij njeriu besnik, që të gjithë ne të kemi mundësi t’i lexojmë.—Romakëve 15:4.

Së dyti, është e rëndësishme të kuptoni se Perëndisë i dhimbset dikush që është në hall. Ai nuk është i ftohtë dhe misterioz; ai «e do drejtësinë» dhe urren ligësinë e vuajtjen që sjell ajo. (Psalmi 37:28; Proverbat 6:16-19) Në ditët e Noesë, Perëndia «u hidhërua në zemër», pasi dhuna po përhapej në tokë. (Zanafilla 6:5, 6) Perëndia nuk ka ndryshuar; ai ndien të njëjtën gjë për çka ndodh sot.—Malakia 3:6.

Së treti, Perëndia nuk është kurrë burimi i ligësisë. Bibla na e bën shumë të qartë këtë. Ata që thonë se Perëndia shkakton gjëra të tilla, si vrasjet dhe terrorizmin, shpifin për të. Vini re se çfarë thuhet te Jobi 34:10: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi!» Po kështu, Jakovi 1:13 thotë: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» Pra, nëse vuani, jini të sigurt se shkaktari nuk është Perëndia.

Kush e sundon botën?

Pavarësisht nga ato që thamë më sipër, ende mbetet një pyetje pezull: nëse Perëndia është i dashur, i drejtë dhe i fuqishëm, pse na rrethon ligësia? Pikësëpari duhet sqaruar një koncept i gabuar, por goxha i përhapur. Shumë veta mendojnë se Perëndia i Plotfuqishëm është sundimtari i kësaj bote, pra që ai ka në dorë gjithçka. Drejtuesi i një instituti teologjik tha: «Asnjë atom a molekulë në univers nuk del jashtë kontrollit të tij.» A thotë vërtet kështu Bibla?

Aspak. Shumë veta çuditen kur mësojnë se çfarë thotë në të vërtetë Bibla se kush e sundon botën. Për shembull, te 1 Gjonit 5:19 thuhet: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» Kush është i ligu? Jezu Krishti tha se ai është Satana Djalli, të cilin e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30) E pra, a nuk shpjegon shumë gjëra ky fakt? Satanai është mizor, mashtrues dhe plot urrejtje, karakteristika që janë shkaku i mjaft vuajtjeve që kalojnë njerëzit. Po atëherë, përse Perëndia e lejon Satanain të sundojë?

Një çështje e ngritur në Eden

Si do të ndihej një prind i dashur dhe i mirë po ta akuzonin publikisht se i gënjen bijtë e tij, se abuzon me autoritetin që ka dhe se po u mban atyre të mirat? A do të provonte dot se akuzat ishin vetëm shpifje, nëse do ta sulmonte fizikisht akuzuesin? Sigurisht që jo! Përkundrazi, duke reaguar në këtë mënyrë, mund të dukej sikur akuzat ishin të vërteta.

Ky ilustrim na ndihmon të shpjegojmë mënyrën si e trajtoi Perëndia Jehova sfidën që u ngrit kundër tij në zanafillën e historisë njerëzore, në një vend që quhej Eden. Atje Perëndia u tregoi dy njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, se çfarë projekti të mrekullueshëm kishte për fëmijët e tij në tokë. Ata duhej të mbushnin tokën, ta sundonin dhe ta kthenin atë në një parajsë që do të shtrihej në çdo skaj. (Zanafilla 1:28) Për më tepër, qindra milionë bij frymorë të Perëndisë ishin mjaft të interesuar për këtë projekt entuziazmues.—Jobi 38:4, 7; Danieli 7:10.

Meqë është një Perëndi bujar, Jehovai u dha si shtëpi Adamit dhe Evës një kopsht të bukur dhe gjithë frutat e shijshme që rriteshin aty. Vetëm një pemë nuk u takonte atyre—«pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Duke mos ngrënë nga ajo pemë, Adami dhe Eva do të tregonin se kishin besim të plotë tek Ati i tyre, duke pranuar që ai kishte të drejtën të vendoste se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe për fëmijët e tij.—Zanafilla 2:16, 17.

Mjerisht, një nga bijtë frymorë të Perëndisë, i shtyrë nga dëshira që të adhuronin atë vetë, i tha Evës se po të hante nga fryti i ndaluar s’kishte për të vdekur. (Zanafilla 2:17; 3:1-5) Kështu, ky engjëll i lig, Satanai, doli hapur kundër Perëndisë, duke thënë në thelb se Perëndia ishte gënjeshtar. Pas kësaj, Satanai e akuzoi Perëndinë edhe se po i mbante Adamit dhe Evës një njohuri jetësore. Satanai la të nënkuptohej se njerëzit duhej të kishin mundësinë të vendosnin vetë ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Me fjalë të thjeshta, Satanai e akuzoi Perëndinë se nuk ishte Sundimtar dhe Atë i mirë, duke nënkuptuar se ai vetë, pra Satanai, mund të ishte më i aftë.

Me anë të këtyre gënjeshtrave dinake e dashakeqe, engjëlli u bë Satana Djalli. Këta emra do të thonë «Kundërshtar» dhe «Shpifës». Çfarë bënë Adami dhe Eva? Ata morën anën e Satanait, duke i kthyer shpinën Perëndisë.—Zanafilla 3:6.

Jehovai mund t’i kishte shfarosur rebelët sa hap e mbyll sytë. Por siç u tha në ilustrimin e mësipërm, këto çështje nuk mund të zgjidheshin duke u kundërpërgjigjur me dhunë. Gjithashtu, mbani mend se kur Satanai e sfidoi Perëndinë, miliona engjëj po dëgjonin. Në fakt, më vonë, u bashkuan me të në rebelim edhe një numër i konsiderueshëm, por i papërcaktuar engjëjsh, të cilët në këtë mënyrë u bënë demonë.—Marku 1:34; 2 Pjetrit 2:4; Juda 6.

Pse nuk ka ndërhyrë Perëndia?

Duke e joshur Adamin dhe Evën që të zgjidhnin pavarësinë nga Krijuesi, Satanai po ngrinte një familje që në të vërtetë nuk ishte e pavarur, por ishte nën autoritetin e tij. Me vetëdije a pavetëdije, nën ndikimin e ‘atit’ të saj, Djallit, kjo familje do të zgjidhte synimet dhe normat e tij të sjelljes. (Gjoni 8:44) Por, a do t’u sillte ajo jetë liri të vërtetë dhe lumturi të përhershme? Jehovai e dinte fare mirë që jo. Megjithatë, ai i lejoi rebelët të ndiqnin rrugën e tyre të pavarur, sepse vetëm në këtë mënyrë çështjet e ngritura në Eden do të zgjidheshin një herë e mirë.

Tashmë kanë kaluar më shumë se 6.000 vjet që njerëzit kanë ngritur një sistem mbarëbotëror, duke provuar të gjitha llojet e sundimeve dhe çdo lloj kodi moral. A jeni të kënaqur me rezultatin? A është vërtet e lumtur, në paqe dhe e bashkuar familja njerëzore? Shihet qartë se jo. Përkundrazi, luftërat, zitë e bukës, katastrofat natyrore, sëmundjet dhe vdekja kanë pllakosur njerëzimin, duke sjellë ‘kotësi’, «dhembje» e ‘rënkim’, siç thotë Bibla.—Romakëve 8:19-22; Eklisiastiu 8:9.

Gjithsesi, disa mund të pyesin: ‘Përse Perëndia nuk i ka parandaluar tragjeditë?’ Në të vërtetë, kjo do të ishte padrejtësi dhe do ta mjegullonte çështjen, pasi do të dukej sikur rebelimi kundër Perëndisë nuk sjell pasoja. Prandaj, Jehovai nuk ka punuar prapa skene, duke i parandaluar të gjitha krimet dhe tragjeditë që vijnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga mosbindja ndaj tij. * Jehovai kurrë nuk do ta përkrahte gënjeshtrën shkatërrimtare se sistemi i Satanait mund t’ia dalë mbanë, se ky sistem ka gjetur çelësin e suksesit. Megjithatë, Jehovai nuk është indiferent për ato që ndodhin. Përkundrazi, siç do ta shohim, ai ka punuar shumë.

«Ati im vazhdon të punojë»

Këto fjalë të Jezuit tregojnë se Perëndia nuk ka ndenjur duarkryq, vetëm duke parë si shkojnë punët. (Gjoni 5:17) Përkundrazi, që nga rebelimi në Eden, ai ka qenë shumë i zënë. Për shembull, ai i frymëzoi shkrimtarët e Biblës të shkruanin premtimin e tij se në të ardhmen një ‘farë’ do ta dërrmonte Satanain dhe të gjithë ata që do t’i shkonin pas. (Zanafilla 3:15) Veç kësaj, me anë të asaj Fare, Perëndia do të krijonte një qeveri, një Mbretëri qiellore, që do t’u sillte bekime njerëzve të bindur e do t’u jepte fund të gjitha shkaqeve të vuajtjeve, madje edhe vdekjes.—Zanafilla 22:18; Psalmi 46:9; 72:16; Isaia 25:8; 33:24; Danieli 7:13, 14.

Një hap përpara drejt plotësimit të qëllimeve të tij të mrekullueshme, Jehovai e bëri kur dërgoi në tokë atë që do të bëhej Sundimtari kryesor i kësaj Mbretërie. Ky nuk ishte askush tjetër veç Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. (Galatasve 3:16) Në përputhje me qëllimin që kishte Perëndia për të, Jezui e përqendroi mësimin e tij te Mbretëria e Perëndisë. (Luka 4:43) Në fakt, Krishti dha një tablo të gjallë se çfarë do të bëjë si Mbret i asaj Mbretërie. Ai ushqeu mijëra të uritur, shëroi të sëmurë, ringjalli të vdekur e madje tregoi se kishte fuqi edhe mbi elementët e natyrës, kur qetësoi një stuhi të egër. (Mateu 14:14-21; Marku 4:37-39; Gjoni 11:43, 44) Bibla thotë për Jezuin: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të tij.»—2 Korintasve 1:20.

Ata që dëgjojnë Jezuin dhe dalin «nga bota», nga ky sistem që është në armiqësi me Perëndinë e që sundohet nga Satanai, janë të mirëpritur në familjen e Jehovait. (Gjoni 15:19) Kjo familje mbarëbotërore me të krishterë të vërtetë drejtohet nga dashuria, i është kushtuar paqes dhe karakterizohet nga vendosmëria për të çrrënjosur çdo gjurmë paragjykimi dhe racizmi nga gjiri i saj.—Malakia 3:17, 18; Gjoni 13:34, 35.

Në vend që të përkrahin botën e tanishme, të krishterët e vërtetë mbështetin dhe shpallin Mbretërinë e Perëndisë duke iu bindur urdhrit të Jezuit, të shkruar te Mateu 24:14. Mendoni pak: kush po e predikon anekënd botës ‘lajmin e mirë për mbretërinë’? Kush nuk ka pranuar, si një vëllazëri mbarëbotërore në besim, të përfshihet në luftëra dhe konflikte përçarëse kombëtare e fisnore? Cilët po e lejojnë Fjalën e Perëndisë të drejtojë sjelljen e tyre, pavarësisht nëse shumica i pranon ose jo normat e saj të larta? (1 Gjonit 5:3) Shumë veta i kanë gjetur këto veçori te Dëshmitarët e Jehovait. Ju lutemi t’i shqyrtoni vetë provat.

Zgjidhni sundimin e Perëndisë!

Njerëzimi i larguar nga Perëndia dhe i mashtruar nga Satanai ka ndërtuar një sistem botëror që po sjell gjithnjë e më shumë mjerim e dëshpërim. Edhe vetë toka po rrënohet! Nga ana tjetër, Jehovai ka vënë një qeveri qiellore që ka ndryshuar për mirë jetën e miliona njerëzve dhe që i ka dhënë secilit një shpresë të sigurt. (1 Timoteut 4:10) Çfarë do të zgjidhni?

Tani është koha për të vendosur, sepse Perëndia nuk do ta lejojë Satanain dhe botën e tij të ligë të vazhdojë pa fund. Qëllimi fillestar i Perëndisë për ta bërë këtë tokë një parajsë, nuk ka ndryshuar kurrë. Për të arritur këtë, Mbretëria e Perëndisë dhe përkrahësit e saj do të fuqizohen gjithnjë e më shumë, kurse bota nën sundimin e Satanait do të përjetojë gjithnjë e më shumë ‘dhembjet e lindjes’, derisa Perëndia t’i japë fund. (Mateu 24:3, 7, 8) Kështu, nëse me sinqeritet e keni pyetur Perëndinë: «Pse?», dëgjojeni atë duke marrë për zemër mesazhin e Biblës i cili sjell ngushëllim dhe shpresë. Që tani, lotët e pikëllimit mund t’ju kthehen në lot gëzimi.—Mateu 5:4; Zbulesa 21:3, 4

[Shënimi]

^ par. 19 Ndonëse herë pas here, Perëndia ka ndërhyrë në çështjet e njerëzve, ai nuk e ka bërë për të mbështetur këtë sistem. Përkundrazi, kjo ka pasur lidhje me plotësimin e qëllimit të tij.—Luka 17:26-30; Romakëve 9:17-24.

[Figurat në faqen 7]

A jeni të kënaqur me rezultatet e sundimit nga njeriu?

[Burimet]

Foshnjë: © J. B. Russell/Panos Pictures; grua që qan: © Paul Lowe/Panos Pictures

[Figura në faqet 8, 9]

Jezui do të rivendosë sërish Parajsën, e madje edhe të vdekurit do t’i kthejë në jetë