Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetja më e vështirë

Pyetja më e vështirë

Pyetja më e vështirë

«PSE?» Është e trishtueshme të shohësh se sa shumë pikëllim e dhembje mund të shprehë kjo fjalë e thjeshtë. Shpesh njerëzit e bëjnë këtë pyetje pas një katastrofe ose tragjedie, siç mund të jetë një uragan që përfshin një rajon të tërë. Ai lë pas vdekje e shkatërrime. Një tërmet kthen një qytet në rrënoja. Një sulm terrorist bën që një ditë e qetë si gjithë të tjerat, të kthehet në një ditë makthi, plot frikë e dhunë. Ose një aksident dëmton a i rrëmben jetën një të afërmi.

Mjerisht, shpesh, ndodh që mes viktimave janë edhe më të pafajshmit e më të pambrojturit. Kohët e fundit ka pasur shumë tragjedi të tilla dhe shumë veta, të pikëlluar, i kanë thirrur Perëndisë: «Pse?» Le të marrim disa shembuj:

▪ «O Zot, pse na e bëre këtë? Ç’kemi bërë që u zemërove?» Agjencia e lajmeve Rojters raportoi se një grua e moshuar në Indi i bëri këto pyetje kur tsunami shkatërroi fshatin e saj.

▪ «Ku ishte Zoti? Nëse ka në dorë gjithçka, pse Zoti lejoi që të ndodhte kjo?» Këto pyetje i ngriti një gazetë në Teksas, SHBA, pasi një burrë i armatosur hapi zjarr në një kishë, duke plagosur e duke vrarë disa besimtarë.

▪ «Pse Zoti e la të vdiste?» Një grua e bëri këtë pyetje kur kanceri i mori jetën një shoqes së saj, duke e lënë bashkëshortin e së ndjerës të kujdesej për pesë fëmijët.

Këta njerëz nuk janë të vetmit që mendojnë se Perëndia ka gisht në fatkeqësitë që u ndodhin atyre. Për shembull, gjatë një ankete që u zhvillua kohët e fundit në Internet, gati gjysma e atyre që u përgjigjën, mendonin se katastrofat natyrore, siç janë uraganet, vijnë nga Perëndia. Përse kaq shumë veta mendojnë kështu?

Pështjellim fetar

Në vend që t’u japin përgjigje bindëse, shpesh, krerët fetarë i pështjellojnë më shumë njerëzit. Le të përqendrohemi në tri nga përgjigjet që japin zakonisht.

Së pari, shumë udhëheqës fetarë predikojnë se Perëndia shkakton katastrofa që të dënojë njerëzit e pabindur. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, kur uragani Katrina shkatërroi Nju-Orleansin në Luizianë, disa klerikë thanë se Zoti e kishte ndëshkuar qytetin. Ata folën për përhapjen e madhe të korrupsionit, bixhozit dhe imoralitetit. Madje disa, për ta provuar, cituan vargje nga Bibla, duke nxjerrë në pah rastet kur Perëndia i shkatërroi të ligjtë me anë të përmbytjes ose me zjarr. Megjithatë, këto deklarata e shtrembërojnë atë që thotë Bibla.—Shih kutinë «A është dora e Perëndisë?»

Së dyti, disa klerikë thonë se Perëndia ka arsyet e veta që sjell fatkeqësi mbi njerëzit, por këto arsye ne nuk i kuptojmë dot. Shumë njerëzve ky mendim nuk u duket bindës. Ata pyesin: ‘A është vërtet e mundur që një Perëndi i dashur të sjellë gjëma të tilla e pastaj të mos denjojë as t’u japë një përgjigje atyre që digjen nga dëshira për t’u ngushëlluar e që me përgjërim pyesin: «Pse?»’ Në të vërtetë, Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.

Së treti, udhëheqës të tjerë fetarë mendojnë se ndoshta Perëndia nuk është as i plotfuqishëm dhe as i dashur. Edhe ky shpjegim ngre pyetje të rëndësishme. A është i paaftë për të ndalur vuajtjet mbi një planet, ai që ‘krijoi gjithçka’, përfshirë edhe universin e paanë? (Zbulesa 4:11) Si ka mundësi që Ai që na dha aftësinë për të dashur, Fjala e të cilit e përshkruan si personifikimin e dashurisë, të mos preket nga vuajtjet e njerëzve?—Zanafilla 1:27; 1 Gjonit 4:8.

Sigurisht, tri përgjigjet e sapopërmendura janë vetëm disa nga mënyrat se si përpiqen njerëzit të shpjegojnë pse Perëndia i lejon vuajtjet. Prej shekujsh, kjo pyetje i ka vënë në mendime njerëzit që përpiqen të gjejnë një përgjigje. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se çfarë thotë Bibla për këtë çështje të rëndësishme dhe të kohës. Siç do ta shihni, shpjegimi i besueshëm dhe logjik që gjejmë në Bibël fashit çdo pështjellim. Për më tepër, Bibla u jep shumë ngushëllim të gjithë atyre që kanë përjetuar tragjedi në jetë.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

A është dora e Perëndisë?

A tregon Bibla se shkaktari i katastrofave natyrore që shohim sot është Perëndia? Absolutisht jo! Gjykimet e Perëndisë, që përshkruhen në Bibël, ndryshojnë krejt nga katastrofat natyrore. Pikësëpari Perëndia është përzgjedhës; ai lexon zemrën e secilit dhe shkatërron vetëm ata që i gjykon si të ligj. (Zanafilla 18:23-32) Për më tepër, Perëndia në fillim jep paralajmërime, e kështu u jep mundësi të drejtëve të shpëtojnë.

Nga ana tjetër, katastrofat natyrore japin fare pak shenja paralajmëruese ose godasin krejt papritur. Ato vrasin e gjymtojnë pa dallim. Deri diku, njerëzit i kanë keqësuar vetë këto katastrofa, duke dëmtuar mjedisin dhe duke ndërtuar në zona që preken më tepër nga tërmetet, nga përmbytjet dhe kushtet e këqija të motit.

[Burimi]

SENA VIDANAGAMA/​AFP/​Getty Images

[Figura në faqen 4]

Udhëheqësit fetarë i kanë pështjelluar njerëzit me lloj-lloj përgjigjesh