«Trena të vegjël» që ndriçojnë në errësirë
«Trena të vegjël» që ndriçojnë në errësirë
▪ Në një mbrëmje të qetë në fshatrat e Brazilit, një «tren» i vockël del nga humusi i pyllit. Dy «drita të përparme» të kuqe i ndriçojnë rrugën, kurse 11 çifte fenerësh të verdhë në të gjelbër ndriçojnë anash. Kuptohet, ky nuk është një tren i zakonshëm. Është një larvë 7 centimetra e gjatë, që rritet në Amerikën e Veriut e të Jugut e që i përket familjes Phengodidae të brumbujve. Meqë femrat, të cilat e ruajnë formën larvore, u ngjajnë vagonëve të ndriçuar nga brenda, shpesh quhen krimbat e hekurudhës. Fshatarët brazilianë i quajnë trena të vegjël.
Gjatë ditës, larva me ngjyrë kafe të zbehtë mezi dallohet. Kurse natën lajmëron praninë e saj me vargun mahnitës të dritave. Këto e marrin energjinë nga një lëndë organike, e quajtur luciferinë, e cila nën veprimin e enzimës luciferazë oksidohet dhe krijon një dritë lumineshente. Kjo dritë mund të jetë e kuqe, portokalli, e verdhë ose e gjelbër.
Dritat e kuqe të përparme ndriçojnë thuajse pa ndërprerje, kurse dritat anësore të verdha në të gjelbër, jo. Studimet tregojnë se dritat e përparme i ndihmojnë larvat të gjejnë shumëkëmbëshat, gjahun e tyre të preferuar, kurse dritat anësore, me sa duket, largojnë grabitqarë të tillë si milingonat, bretkosat dhe merimangat. Me ndriçimin e tyre ato sikur thonë: «Nuk hahem. Ik tutje!» Kështu, dritat anësore ndriçojnë kur larva ndien se po i afrohet një grabitqar. Ato ndriçojnë edhe kur larva sulmon shumëkëmbëshat ose kur femra mblidhet rreth vezëve. Në kushte normale, dritat anësore bëhen gjithnjë e më të ndritshme, gjersa ndriçojnë me tërë fuqinë e tyre e pastaj fiken. Gjithçka ndodh brenda disa sekondash, e ky cikël përsëritet sa herë të jetë e nevojshme.
Po, edhe në humusin e pyllit, mund të gjesh bukuri mbresëlënëse, që të sjellin ndër mend fjalët e lëvdimit që psalmisti i drejtoi Krijuesit: «Toka është plot me ato që ke bërë ti.»—Psalmi 104:24.
[Burimi i figurës në faqen 26]
Robert F. Sisson / National Geographic Image Collection