Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të pish pije alkoolike?

A është e gabuar të pish pije alkoolike?

Pikëpamja e Biblës

A është e gabuar të pish pije alkoolike?

«VERA sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj, nuk është i mençur.» A do të thotë ky shkrim që lexojmë në Bibël, te Proverbat 20:1, se është e gabuar të përdorësh pije alkoolike? Disa mendojnë kështu. Si provë të mëtejshme, ata përmendin tregime biblike ku tregohen veprimet e këqija që kanë ardhur si pasojë e abuzimit me alkoolin.—Zanafilla 9:20-25.

Veç kësaj, janë pasojat shkatërrimtare që vijnë nga pirja e tepërt, për shembull sëmundjet, të tilla si cirroza e mëlçisë ose edhe aksidentet tragjike, rrënimi financiar, abuzimi në familje dhe dëmtimi i foshnjave të palindura. Sipas The World Book Encyclopedia, ka shumë të ngjarë që për shkak të pasojave kaq të tmerrshme, «shumë fe filluan të mësonin se përdorimi i alkoolit është i gabuar». Por a është e gabuar të përdorësh pije alkoolike? A e ndalon Bibla përdorimin e të gjitha pijeve alkoolike, madje edhe në sasi të vogla?

Çfarë thotë Bibla?

Në të vërtetë, Bibla paralajmëron për pasojat e këqija të pirjes me tepri. Tek Efesianëve 5:18 jepet kjo këshillë: «Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim.» Po kështu, te Proverbat 23:20, 21 thuhet: «Mos rri me ata që pinë verë me tepri, as me ata që s’kanë të ngopur me mish. Sepse pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri.» Gjithashtu Isaia 5:11 thotë: «Mjerë ata që çohen herët në mëngjes për të kërkuar pije dehëse, që rrinë deri vonë në muzgun e mbrëmjes aq sa i ndez vera!»

Bibla përmend edhe kënaqësitë e dobitë që vijnë kur pimë me masë. Për shembull, në Psalmin 104:15 thuhet se një nga dhuratat e Perëndisë është «vera që ia gëzon zemrën njeriut». Kurse, sipas Eklisiastiut 9:7, shpërblimi për veprat e mira, është ‘të hash me gëzim ushqimin tënd dhe të pish verën tënde me zemër të mirë’. Duke ditur dobitë shëndetësore që ka vera, Pavli i tha Timoteut: «Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.» (1 Timoteut 5:23) Në Bibël përmendet vetia që ka alkooli për ta ndihmuar njeriun të durojë vuajtjet.—Proverbat 31:6, 7.

Është e qartë se Bibla nuk e ndalon përdorimin e pijeve alkoolike. Megjithatë, ajo dënon pirjen me tepri dhe dehjen. Prandaj, Pavli i këshilloi mbikëqyrësit e krishterë, shërbëtorët ndihmës dhe gratë e moshuara të mos jepeshin pas «verës së shumtë» dhe e këshilloi Timoteun të pinte vetëm «pak verë». (1 Timoteut 3:2, 3, 8; Titit 2:2, 3) Të gjithë të krishterët duhet të mbajnë parasysh që ‘pijanecët’ «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».—1 Korintasve 6:9, 10.

Vlen të përmendet se Bibla e shoqëron dehjen me grykësinë, duke treguar se që të dyja duhen shmangur. (Ligji i përtërirë 21:20) Nëse kjo do të nënkuptonte që të mos pimë fare pije alkoolike, a s’do të nënkuptonte edhe se nuk duhet të hamë fare ushqim? Ndryshe nga kjo, Bibla thotë se është i gabuar teprimi deri në dehje e në grykësi, jo të hash e të pish me masë.

Çfarë bëri Jezui?

Apostulli Pjetër tha se Krishti na la «një model, që të [ndjekim] me kujdes gjurmët e tij». Më tej shtoi: «Ai nuk kreu asnjë mëkat.» (1 Pjetrit 2:21, 22) Çfarë mendonte pra Jezui për pijet alkoolike? Po ja, mrekullia e tij e parë ishte kthimi i ujit në verë. Në ç’lloj vere e ktheu Jezui ujin? «I pari i gostisë» e përgëzoi dhëndrin për atë verë të prodhuar me anë të një mrekullie. Ai tha: «Të tjerët nxjerrin në fillim verën e mirë dhe, kur njerëzit dehen, nxjerrin atë me cilësi të dobët. Kurse ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.»—Gjoni 2:9, 10.

Pirja e verës ishte pjesë e festimeve të Pashkës, dhe Jezui e përdori verën kur themeloi Darkën e Zotërisë. Duke u dhënë dishepujve një kupë me verë, ai u tha: «Pini të gjithë ju.» Meqë e dinte se po i afrohej vdekja, ai shtoi: «Që sot e tutje, nuk do të pi më kurrë nga ky fryt i hardhisë, deri ditën kur ta pi të re, bashkë me ju, në mbretërinë e Atit tim.» (Mateu 26:27, 29) Po, njerëzit e dinin që Jezui e pinte verën.—Luka 7:34.

Çfarë duhet të bëjmë ne?

Ndonëse Bibla nuk e ndalon përdorimin e pijeve alkoolike, kjo nuk do të thotë se duhet të pimë medoemos. Ka shumë arsye për të cilat mund të mos pimë. Për shembull, një ish-alkoolist i di rreziqet që ka po të pijë qoftë edhe një gotë. Një grua shtatzënë mund të mos pijë fare nga meraku se mos dëmton fetusin. Gjithashtu, duke ditur se alkooli dobëson gjykimin dhe reflekset, një shofer do të përmbahej nga gjithçka që do të vinte në rrezik jetën e tij ose jetën e të tjerëve.

Një i krishterë nuk do të donte të bëhej pengesë për askënd ndërgjegjja e të cilit e dënon pijen. (Romakëve 14:21) Duke treguar mençuri, ai ose ajo nuk përdor pije alkoolike kur merr pjesë në shërbim. Vlen të përmendet se në Ligjin e Perëndisë për Izraelin e lashtë, priftërinjve nuk u lejohej ‘të pinin as verë dhe as a pije dehëse’ kur ishin në detyrë. (Levitiku 10:9) Gjithashtu, në vendet ku konsumimi i alkoolit është i ndaluar ose i kufizuar, një i krishterë i bindet ligjit.—Romakëve 13:1.

Megjithëse është një vendim personal nëse do të pish apo jo ose sa do të pish, Bibla na nxit që gjërat t’i bëjmë me masë. Aty thuhet: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 Korintasve 10:31.

A DONI TË DINI?

▪ Çfarë paralajmërimi japin Shkrimet për përdorimin e pijeve alkoolike?—1 Korintasve 6:9, 10.

▪ A përdorte pije alkoolike Jezu Krishti?—Luka 7:34.

▪ Çfarë i drejton të krishterët e vërtetë për sa i përket të ngrënit e të pirit?—1 Korintasve 10:31.