Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajo i donte të vërtetat që mësonte

Ajo i donte të vërtetat që mësonte

Ajo i donte të vërtetat që mësonte

JO SHUMË kohë më parë, u gjet një letër e shkruar nga një grua pak para se të vdiste nga kanceri në maj të 2004-ës. Siç duket, për shkak të një keqësimi të papritur të shëndetit, ajo nuk e përfundoi dot letrën. Megjithatë, ata që më vonë e lexuan këtë letër që nuk u postua kurrë, u përlotën dhe besimi i tyre te Perëndia u forcua.

Suzana, gruaja që kishte shkruar letrën, shpjegonte se, kur ishte adoleshente, i kishte telefonuar një Dëshmitari të Jehovait, që ishte një plak i krishterë në Kënektikat, SHBA. Më tej tregonte se çfarë kishte kaluar gjatë viteve të adoleshencës. Nga fundi i vitit të kaluar, kjo letër prekëse i ra në dorë nënës së Suzanës, e cila dërgoi një kopje në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork.

Në letër, Suzana tregonte se në vitin 1973, kishte gjetur në numëratorin telefonik numrin e telefonit të atij plaku të krishterë në Kënektikat. Ajo shkruante: «Isha 14 vjeçe atë vit, kur nga leximi i revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! u binda se kjo ishte e vërteta. Ngaqë nuk kisha takuar kurrë ndonjë Dëshmitar të Jehovait, i kërkova në numërator dhe zgjodha numrin që kishte të njëjtin prefiks me timin. Kur vëllai Genrik u përgjigj, u çudit që nuk kisha takuar kurrë ndonjë Dëshmitar.» *

Gjendje e vështirë

Në letrën e saj, Suzana shpjegonte se kur ishte dhjetë vjeçe, e kishin çuar të jetonte me tezen në Kënektikat. Suzana do të qëndronte atje përkohësisht, por pas njëfarë kohe, i tha nënës, e cila jetonte e vetme në Florida, se donte të rrinte aty ku ishte. Sipas Suzanës, gjendja e saj ngjante me «atë që quhet sindroma e Stokholmit, kur njeriu krijon njëfarë lidhjeje me ata që e keqtrajtojnë». * E trajtonin tmerrësisht keq.

Letra vazhdonte: «Tezja dhe shoku i saj më keqtrajtonin jashtë mase. Për më tepër, në atë shtëpi rrallë shkelte ndonjë njeri tjetër. Kur më linin të shkoja në shkollë, nuk më jepnin as ushqim dhe as rroba për të qenë, megjithëse mami i dërgonte paratë pa kursim. Kisha vetëm një palë të brendshme, kurse dy vajzave të tezes, që ishin pak më të vogla se unë, nuk u mungonte asgjë.» Këto gjëra i shpjegonte për të treguar se përse e dinte mirë që do t’i hapeshin telashe kur tezja të merrte vesh se donte të mësonte më shumë rreth Biblës.

Si e mori Suzana njohurinë biblike?

Më tej në letër thuhej: «Vëllai Genrik më njohu me Laurën, një motër e pjekur e krishtere. Ajo kalonte mjaft kohë duke iu përgjigjur pyetjeve të mia të shumta rreth Biblës. Shpesh takoheshim në një lavanderi.» Suzana shkruante se deri atë ditë kurrë nuk kishte marrë vetë ndonjë vendim, por, pas atyre bisedave dhe pasi kishte lexuar literaturë të bazuar në Bibël, siç ishte libri E vërteta që të çon në jetën e përhershme, mori një vendim.

Pastaj Suzana tregonte: «Ishte e premte në darkë, kur i thashë tezes se kisha biseduar me Dëshmitarët. Ajo më detyroi të rrija zgjuar gjithë natën dhe të rrija në këmbë në mes të kuzhinës. Pas kësaj, isha më e vendosur se kurrë të bëhesha një Dëshmitare.»

Që prej asaj kohe, vëllai Genrik i jepte vazhdimisht Suzanës literaturë që ta ndihmonte të kuptonte Biblën. «Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1974 më ka mbetur në mendje,—kujtonte Suzana,—sepse tregonte se si Dëshmitarët në Gjermaninë naziste kishin duruar përndjekje para dhe gjatë Luftës II Botërore. . . . Në atë kohë i kërkova plakut të m’i regjistronte këngët e Mbretërisë, që t’i mësoja. Brenda një viti mund t’i këndoja një për një të 119 këngët e librit të këngëve të vitit 1966, ‘Këndoni dhe thurni melodi në zemrat tuaja’.

Ndërkohë, vëllai Genrik më jepte edhe kaseta të regjistruara me fjalime biblike, drama dhe programe asamblesh. Ai i linte në Rrugën 10, pranë një shtylle telefoni dhe unë shkoja i merrja. . . . Por kjo situatë nisi të më lodhte, sepse megjithëse kisha bërë ç’ishte e mundur që të përparoja, s’kisha vajtur qoftë edhe një herë të vetme në mbledhje. Prandaj, më shteruan fuqitë.»

Suzana thoshte se pas kësaj, për nja dy vjet, kishte kaluar një periudhë shumë të vështirë. Ajo i kishte ndërprerë fare lidhjet me dy Dëshmitarët e vetëm që njihte. Më tej shtonte se «fakti që dija të gjitha këngët m’u kthye në ‘stres’». Pse? «Sepse më vinin ndër mend fjalët e ndonjë kënge, si ajo që thoshte: ‘Kush i shërben Jah, një jet’ të qet’ s’kërkon.’ E dija që ato fjalë i kishte shkruar një Dëshmitar në një kamp përqendrimi në Gjermani gjatë Luftës II Botërore, dhe kjo më rëndonte edhe më shumë. Më dukej vetja frikacake dhe mendoja se Jehovai kishte hequr dorë nga unë.» *

Më në fund e lirë!

«Gjërat ndryshuan ditën që mbusha 18 vjeç. Për vite me radhë, asnjë Dëshmitar nuk kishte ardhur në shtëpinë tonë, sepse familja jonë ishte përfshirë në listën e atyre që nuk donin që Dëshmitarët t’i vizitonin. Por atë ditë, dikush nga një kongregacion tjetër erdhi në derën tonë dhe munda të flitja, pasi nuk kisha njeri në shtëpi. Me sa mbaj mend, ishte e shtuna e parë që isha vetëm në shtëpi. Këtë e mora si një provë që Jehovai nuk kishte hequr dorë nga unë. I telefonova vëllait Genrik me të cilin kisha folur në fillim fare, dhe i thashë se isha gati të ikja nga ajo shtëpi. E pyeta nëse dinte ndonjë vend ku të shkoja. Si përfundim, më ndihmuan të shpërngulesha diku tjetër.»

Në prill të vitit 1977, Suzana u transferua në një vend tjetër. Letra vazhdonte: «Më në fund, vitin pasues arrita të ndiqja të gjitha mbledhjet e asambletë dhe fillova të merrja pjesë në shërbim. U lidha prapë me nënën. Ajo nuk e dinte se sa keq më kishin trajtuar për gjithë ato vite dhe u trondit pa masë. Ndërhyri menjëherë dhe më siguroi çdo gjë që më duhej. Disa vite më parë, ishte transferuar në Alaskë. Meqë tregoi shumë interes për të vërtetat biblike, në vitin 1978, shkova të jetoja me të në Alaskë. Me kalimin e kohës, u bë Dëshmitare dhe qëndron besnike edhe sot e kësaj dite.

Pasi fillova të ndjek mbledhjet, vëllai Genrik organizoi një grup që do të vizitonte selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, dhe më ftoi edhe mua. Kjo ishte një nga dhuratat që lanë mbresa të pashlyeshme tek unë. Ngjalli brenda meje një çmueshmëri të pashtershme për organizatën e Jehovait. Ja pra, kjo ishte e gjitha. I kam rënë shkurt, sepse doja ta mbaroja në kohë.»

Fjalët e mësipërme janë vetëm pjesë të shkëputura nga një letër me gjashtë faqe e gjysmë. Nga fundi, Suzana shkruante: «Pata një krizë të rëndë kur isha në spital muajin e kaluar dhe isha e sigurt se aq e pata . . . Iu luta Jehovait dhe i thashë se sikur të kisha edhe dy javë shëndet të mirë, do të rregulloja ca gjëra. . . . S’besoj se më ka mbetur edhe shumë kohë, por duhet të them se këto vite në të vërtetën kanë qenë tepër të mrekullueshme; njeriu s’mund të bëjë një jetë më të mirë se kjo.»

Letra nuk kishte as mbyllje, as firmë dhe nuk u postua kurrë. Ata që e gjetën, nuk dinin se kujt duhet t’ia dërgonin. Por, siç u tha më sipër, si përfundim, letrën ia dërguan nënës së Suzanës.

Diçka më shumë për Suzanën

Pas pagëzimit të Suzanës, më 14 prill 1979, nëna e saj u kthye në Florida. Suzana qëndroi në Alaskë, pasi kishte krijuar lidhje të ngushta me pjesëtarët e kongregacionit të qytetit të Polit të Veriut. Shpejt pas kësaj, ajo nisi shërbimin e plotkohor si pioniere. Më vonë u transferua në Florida dhe më 1991, u martua me një pionier dhe plak të krishterë, që vdiq pak kohë pas saj.

Suzana dhe i shoqi ishin një çift shumë i dashur, që morën pjesë së bashku në shërbimin e plotkohor, derisa sëmundja e Suzanës ua bëri të pamundur të vazhdonin. Ajo kaloi më shumë se 20 vjet në shërbimin e plotkohor. Fjalimi i funeralit u mbajt në Florida dhe e ndoqi edhe kongregacioni i Polit të Veriut nëpërmjet lidhjes telefonike.

Letra e Suzanës na ndihmon të çmojmë edhe më shumë bekimet frymore që gëzojnë ata që i shërbejnë Jehovait dhe kanë shpresën e mrekullueshme të ringjalljes. (Veprat 24:15) Përvoja e saj na tregon qartë edhe se Perëndia është pranë të gjithë atyre që i afrohen.—Jakovi 4:7, 8.

[Shënimet]

^ par. 4 Vëllai Genrik dhe gruaja e tij vdiqën në një aksident tragjik në vitin 1993.

^ par. 6 Shih Zgjohuni! të 22 dhjetorit 1999, faqja 7 (anglisht).

^ par. 13 Këndojini lavdi Jehovait, kënga 29, «Përpara, ju Dëshmitarë!»

[Diçitura në faqen 23]

«Këto vite në të vërtetën kanë qenë tepër të mrekullueshme; njeriu s’mund të bëjë një jetë më të mirë se kjo»

[Figura në faqen 21]

Suzana dhjetë vjeçe

[Figura në faqen 23]

Suzana me të shoqin, Xhejms Simorin