Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kalipso​—Muzika popullore unike e Trinidadit

Kalipso​—Muzika popullore unike e Trinidadit

Kalipso​—Muzika popullore unike e Trinidadit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TRINIDAD

ÇFARË ju vjen ndër mend kur dëgjoni për republikën që e merr emrin nga dy ishuj të Karaibeve: Trinidadi dhe Tobagoja? Shumë vetave mund t’u shkojë mendja te tingujt e instrumenteve prej çeliku dhe te melodia plot ritëm e kalipsos. Ritmi i kalipsos të mbetet në mendje dhe stili i saj s’ka të dytë. Ata janë bërë të famshëm edhe përtej kufijve të vendlindjes së kësaj muzike në jug të detit të Karaibeve. *

Sipas librit Calypso Calaloo, emri kalipso mund të përdoret për «çdo këngë që këndohej pas vitit 1898 gjatë periudhës së karnavaleve në Trinidad, qoftë në rrugë nga festuesit, qoftë në skenë nga këngëtarë profesionistë a gjysmëprofesionistë». Kalipso mund të ketë lindur nga tradita afrikane e rrëfimit të ngjarjeve historike, që e sollën në Trinidad skllevërit afrikanë. Me kalimin e kohës, elementët tërheqës të këngëve, valleve dhe daulleve afrikane, bashkë me ndikimin francez, latino-amerikan, anglez dhe të etnive të tjera, krijuan bazën për kalipson.

Origjina e emrit kalipso nuk dihet me siguri. Disa mendojnë se vjen nga fjala afrikanoperëndimore kaiso, e cila përdorej për të lavdëruar shfaqjet mjeshtërore. Edhe përpara se skllavëria të merrte fund në Trinidad-e-Tobago, në vitet 1830, turma njerëzish mblidheshin gjatë festimeve të përvitshme të karnavaleve, për të dëgjuar shantuelët (këngëtarët), që ia ngrinin në qiell vlerat vetes dhe tallnin njëri-tjetrin me këngë. Për të rënë më shumë në sy, kalipsonistët, siç njihen këngëtarët e kalipsos, morën nga një pseudonim ose emër skenik dhe secili krijoi stilin e vet karakteristik.

Stili dhe ndikimi

Kalipsonistët janë vlerësuar gjithnjë për shkathtësinë me të cilën u bien instrumenteve. Për më tepër, shumë këngëtarë të kalipsos kanë fituar zotësinë e jashtëzakonshme për të improvizuar vargje të tëra që rimojnë për bukuri. Shpesh, ata i lezetojnë këto vargje me përshkrime të gjalla, që lidhen kaq mirë me temën e këngës, sa mbetesh pa fjalë. Në fillim, kalipsonistët ishin kryesisht trinidadas me origjinë afrikane dhe vinin nga shtresat më të varfra shoqërore, kurse sot mund të jenë nga çdo racë, ngjyrë dhe klasë shoqërore.

Dr. Holis Liverpul, ish-drejtor i kulturës për Trinidad-e-Tobagon, është historian dhe kalipsonist. Duke folur për këngëtarët e parë të kalipsos, ai tha për revistën Zgjohuni!: «Ata ishin gjithnjë mjeshtra të humorit, pasi njerëzit vinin në tendën [e kalipsos] kryesisht për t’u argëtuar, për të dëgjuar thashetheme e për t’u siguruar nëse lajmet që u kishin rënë në vesh ishin të vërteta. Sidomos sëra e lartë vinte për të marrë vesh se ç’po bënin ata të shtresës së ulët, kurse guvernatori dhe shoqëruesit e tij donin të shihnin se sa përkrahës kishin në fushën politike.»

Shpesh, kalipsonistët talleshin me burokratët dhe me sërën e lartë. Kjo bëri që populli i thjeshtë t’i nderonte kalipsonistët si heronj dhe kampionë, kurse pushtetarët t’i shihnin ata si njerëz që hapnin telashe. Ndonjëherë, kalipsonistët hidhnin kaq shumë thumba me bejtet e tyre, saqë qeveria e kolonisë u detyrua të nxirrte ligje për t’u vënë fre. Këngëtarët iu kundërpërgjigjën duke përdorur tekste me nënkuptime, e dora-dorës u bënë mjeshtra për këtë. Edhe sot e kësaj dite, tekstet me nënkuptime mbeten veçoria bazë e kalipsos.

Kalipsonistët jo vetëm që përdornin fjalorin ekzistues, por edhe krijonin shprehje të reja. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në pasurimin e fjalorit të gjuhës bisedore të Indive Perëndimore. Nuk është çudi që shumë njerëz, madje edhe disa politikanë, shpesh citojnë thënie të kalipsonistëve për të theksuar një pikë.

Kalipso moderne

Kohët e fundit kanë dalë shumë variante dhe përzierje të kalipsos me stile të tjera, që u përgjigjen shijeve të ndryshme muzikore. Ashtu si në shumë stile muzikore, edhe tekstet e disa këngëve të kalipsos nuk pasqyrojnë norma të larta morale. Kuptohet, është e mençur të tregojmë kujdes e të mos dëgjojmë çfarëdolloj fjalori. (Efesianëve 5:3, 4) Mund të pyesim veten: ‘A do të ndihesha në siklet po t’u shpjegoja një shprehje me nënkuptime fëmijëve ose ndonjërit që e dëgjon për herë të parë kalipson?’

Nëse vini në Trinidad-e-Tobago, pa dyshim që do të shijoni plazhet e bukura dhe shkëmbinjtë nënujorë e do të mrekulloheni kur të shihni një përzierje racash e kulturash. Gjithashtu mund të kënaqeni me instrumentet prej çeliku dhe kalipson, melodinë ritmike, që të mbetet në mendje e që ka bërë për vete të rinj e të moshuar rreth e rrotull botës.

[Shënimi]

^ par. 3 Bandat me instrumente prej çeliku luajnë shpesh melodi të kalipsos, por këngëtari i kalipsos zakonisht shoqërohet nga vegla të tilla muzikore si: kitara, tromba, saksofoni dhe daullet.

[Figurat në faqet 24, 25]

Daulle prej çeliku