Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lindur nga prindërit më të pastër»

«Lindur nga prindërit më të pastër»

«Lindur nga prindërit më të pastër»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL

PËR kripën është thënë se ka «lindur nga prindërit më të pastër, nga dielli dhe deti». E kjo pa dyshim është e vërtetë për kripën që përftohet nga avullimi i ujit të detit nën veprimin e rrezeve të diellit.

Shteti brazilian i Rio-Grande-do-Nortes, që ndodhet në bregun verilindor të Brazilit, është i famshëm për kriporet e tij. Klima e nxehtë, shirat e paktë dhe erërat e thata e të vazhdueshme bëjnë që ky vend të jetë i shkëlqyer për nxjerrjen e kripës me anë të avullimit. Këtu përftohet gati 95 për qind e kripës së përpunuar e të papërpunuar të Brazilit. Një nga këto kripore ndodhet në zonën e Areia-Brankës, një qytet i vogël bregdetar.

Vizitë në kripore

Në përgjithësi, kriporet kanë sipërfaqe të mëdha dhe kriporja e Areia-Brankës nuk bën përjashtim. Teksa i afrohen Areia-Brankës, duke udhëtuar në autostradë, zakonisht vizitorët habiten me madhësinë e kripores. Kur zbardh agimi, dielli pasqyrohet në pellgjet me ujë që duken sikur shtrihen tutje, gjer ku të rrok syri. Gati 90 për qind e kësaj zone përdoret për avullimin, kurse pjesa tjetër për kristalizimin e kripës.

Çdo gjë është e mbuluar me një shtrojë të bardhë kripe që pasqyron dritën verbuese të diellit. Po erdhe këtu, nuk bën dot pa syzet e diellit. Fillimisht, përqendrimi i kripës rritet kur uji i detit kalon nëpër një varg pellgjesh të cekëta që ndahen me ledhe e me porta druri. Gjithsej janë 67 pellgje të tilla. Dielli i tropikut dhe era bëjnë që të avullojnë rreth 650 litra ujë në sekondë. Megjithatë, duhen 90 deri në 100 ditë që procesi i avullimit të kryhet plotësisht.

Ndonëse nga avullimi mbetet kloruri i natriumit, uji i detit përmban në sasi të vogla edhe karbonat kalciumi, sulfat kalciumi, sulfat magnezi dhe kripëra të tjera. Këto kripëra precipitojnë ose ndahen nga uji i detit në kohë të ndryshme, duke formuar shtresa në fund të pellgjeve.

Prej këtej, uji me përqendrim të lartë kripe kalon nëpër 20 pellgje kristalizuese ose pellgje ku përftohet kripa. Në disa prej tyre, uji i detit gati është zhdukur, duke lënë një masë të ngurtë kripe. Një makinë gjigante përdoret për ta shkëputur kripën e për ta ngarkuar në kamionë. Kamionët e çojnë kripën në një vend që duket si depo drithi. Atje kripa lahet. Pasi i hiqet uji, kripa shpëlahet me ujë të zakonshëm.

Si përfundim, kripën e çojnë me varka në një ishull artificial që është ndërtuar për të shërbyer si port i Areia-Brankës. Ai është ngritur në det, gati 12 kilometra larg kontinentit. Ishulli ka formë drejtkëndëshi, me përmasa afro 92 metra dhe 166 metra. Aty grumbullohen 100.000 tonë kripë. Një konvejer e çon kripën në një stacion, ku ngarkohet në anije transoqeanike, për ta transportuar në pjesë të tjera të Brazilit.

Lëndë jetike me shumë përdorime

Ndonëse trupi ynë ka nevojë për shumë pak kripë, ajo është e domosdoshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve e të kafshëve. Ndoshta kripën e shohim thjesht si një lëndë të bardhë që e lezeton ushqimin, por ajo shërben për shumë qëllime të tjera të dobishme. Për shembull, kripa përdoret në industrinë kimike, tekstile e në metalurgji. Ajo përdoret edhe për prodhimin e disa lëndëve kimike, si edhe në prodhimin e sapunit, lëndëve lustruese dhe në procesin e emalimit. Thuhet se sot kripa ka më shumë se 14.000 përdorime.

Rezervat e kripës janë gati të pashtershme. Vetëm në një kilometër kub ujë deti ka afro 25 milionë tonë klorur natriumi, pra kripë gjelle. Megjithatë, në të kaluarën, kripa nuk gjendej kollaj. Për shembull, në Kinën e lashtë, vetëm ari ia kalonte kripës për nga vlera. Në Bibël kripa përmendet shumë herë dhe tregohen një sërë përdorimesh të saj.

Ndonjëherë foshnjat i fërkonin me kripë kur lindnin, mbase për shkak të disa vetive kuruese dhe antiseptike që i njiheshin kripës. (Ezekieli 16:4) Në Bibël kripa përdoret edhe në kuptimin figurativ. Për shembull, Jezui tha se dishepujt e tij ishin «kripa e tokës», duke folur për ndikimin mbrojtës që kishin ata te të tjerët, falë mesazhit jetëdhënës që jepnin. (Mateu 5:13) Ajo u bë edhe simbol i qëndrueshmërisë dhe i vazhdimësisë. Kështu «një besëlidhje kripe» nënkuptonte një marrëveshje të pandryshueshme.—Numrat 18:19.

Vizita në kriporen e Areia-Brankës na ndihmoi të kuptojmë më mirë se sa jetësore dhe e dobishme është kripa, e përse i është dhënë kaq shumë rëndësi gjatë historisë. Po, mund të jemi mirënjohës që e kemi me kaq bollëk kripën, e cila ka «lindur nga prindërit më të pastër: nga dielli dhe deti».

[Figura në faqen 16]

Makina për nxjerrjen e kripës në një pellg kristalizimi

[Figura në faqen 16]

Kripa para përpunimit

[Figura në faqet 16, 17]

Larja, shpëlarja dhe depozitimi i kripës