Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Ç’ka ndodhur me dashurinë? (Mars 2006) Bota e ka shtrembëruar kuptimin e dashurisë, dhe Satanai do që ta shkatërrojë plotësisht atë. Informacione si këto na ndihmojnë ta shprehim dashurinë me vepra duke mos menduar vetëm për veten. Ju falënderoj që më ndihmuat të kuptoj më mirë se si dëshiron Jehovai që ta përdorim këtë forcë të madhe.
I. B., Shtetet e Bashkuara
U ndjeva e vetmuar kur dy shoqe të ngushta u transferuan për të shërbyer në një kongregacion të gjuhës së suaj. Por, pikërisht kur vetmia arriti kulmin, mora këtë revistë. Faleminderit për shprehjen që duhet mbajtur parasysh: «Nëse do që të të japin dashuri, jep dashuri.» Që sot e tutje, kam si synim ‘të zgjerohem’ dhe të tregoj dashuri me gjithë zemër, e kështu të lidh miqësi të reja.—2 Korintasve 6:12, 13.
M. T., Japoni
Të moshuarit: Si të përballojnë vështirësitë (Shkurt 2006) Ndonjëherë mendoj se të moshuarit janë lënë pas dore. Kam 11 vjet që kujdesem për burrin tim të sëmurë. Ende ka raste që ndihem e vetmuar. I lexova dhe i rilexova shumë herë artikujt e këtij Zgjohuni! e po kështu i dëgjova shumë herë edhe në kasetë. Kjo revistë ishte pikërisht ajo që më duhej. Shumë faleminderit.
S. T., Japoni
Gjymtyrë artificiale (Shkurt 2006) Faleminderit shumë për artikullin që fliste për gjymtyrët artificiale. Kur isha katër muajshe shtatzënë, na thanë se foshnja do të lindte pa krahë e këmbë dhe se mund t’i vinim proteza te këmbët kur të mbushte një vjeç. Artikulli doli pikërisht në muajin që Darili mbushi një vjeç. Tani po mëson të qëndrojë në këmbë e të ecë. Unë dhe im shoq mezi e presim ditën kur Darili «do t’i ngjitë të përpjetat si një dre».—Isaia 35:6.
J. A., Francë
Jeta ia vlen të jetohet (22 tetor 2001, anglisht) E kam lexuar kushedi sa herë Zgjohuni! të 22 tetorit 2001, sidomos kur jam ndier e shkurajuar. Ky material është si ilaç për mua, por me një ndryshim: nuk skadon kurrë. Këshillat dhe zgjidhjet e problemeve që jepen aty, të ndihmojnë vërtet. Zgjohuni! më ngre shpirtërisht dhe më bën të ndiej që ju kujdeseni për njerëz si unë. Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që më gjendeni pranë për të më kujtuar se «jeta ia vlen të jetohet»!
P. T., Madagaskar
Pelegrinët dhe puritanët: Cilët ishin ata? (Shkurt 2006) U shtanga kur pashë se si ishin shtrembëruar faktet në këtë artikull. Ka një arsye thelbësore se përse indianët e Amerikës së Veriut nuk e festojnë Ditën e Falënderimeve, dhe ju i keni anashkaluar faktet.
Anonim, Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Ju lutemi të mbani parasysh se qëllimi i këtij artikulli nuk ishte të shqyrtonte me hollësi historinë e Ditës së Falënderimeve. Disa libra, duke përfshirë edhe «Enciklopedinë Britanike» tregojnë se në vjeshtën e vitit 1621, pelegrinët festuan tri ditë radhazi me miqtë e tyre indianë. Kjo ngjarje përshkruhet në një letër të Eduard Uinslout, e cila mban datën 11 dhjetor 1621. Megjithatë, në vitet pasuese, festa për dhënie falënderimesh bëheshin edhe për lloj-lloj ngjarjesh, përveç të korrave. Më famëkeqja «ditë falënderimesh» u shpall më 1637 nga Xhon Uintropi, guvernatori i Kolonisë së Gjirit të Masaçusetsit, pas masakrës së qindra indianëve pikuotë. Prandaj e kuptojmë se përse disa lexues mund të fyhen nga Dita e Falënderimeve.