Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Gati gjysma e çifteve pranojnë se ‘shkelin besnikërinë nga ana financiare’, pasi i gënjejnë bashkëshortët për shpenzimet që bëjnë.»​—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.

«84 për qind e tokës së Greqisë rrezikon të shkretohet, dhe kjo është një shifër tronditëse. Veç kësaj, 8 për qind tashmë është djerrë.»​—KATHIMERINI, (BOTIMI NË ANGLISHT), GREQI.

Lateu, në ishullin Tigua, në Vanuatu, Oqeani, mund të jetë fshati i parë që është braktisur, ose më saktë që është shpërngulur, për shkak të ndryshimit të klimës. Shtëpitë vazhdimisht «përmbyteshin nga stuhitë dhe dallgët e egra».​—VANUATU NEWS, VANUATU.

Shtohen njëqindvjeçarët

Revista New Scientist thotë se në ditët tona nuk është aq e pazakontë të arrish moshën 100-vjeçare. Sot në botë ka rreth 200.000 veta që i kanë mbushur të 100-at. Po sipas kësaj reviste, 66 prej këtyre kanë arritur ditëlindjen e 110-të, duke u bërë kështu supernjëqindvjeçarë. New Scientist pohon se ndonjëherë është e vështirë të vërtetosh sa e vërtetë është që dikush ka arritur një moshë kaq të madhe, por «mungesa e dokumentacionit të besueshëm do të thotë edhe që numri i vërtetë i supernjëqindvjeçarëve, që janë ende gjallë sot, mund të arrijë deri në 450».

Zbulohet vrasësi misterioz

Revista kanadeze Maclean’s thotë se «ADN-ja e marrë nga disa dhëmbë të gjetur në një varr të lashtë athinas ka ndihmuar në zbulimin» e një vrasësi të lashtë. Në veprën e tij Historia e luftës së Peloponezit, shkrimtari grek Tukididi përmend një epidemi që u përhap në mbarë Athinën rreth vitit 430 p.e.s. dhe i dha epërsi rivales së saj, Spartës, në luftën midis këtyre dy qyteteve. Përshkrimi që i bënte Tukididi kësaj murtaje, nuk mjaftonte për ta përcaktuar se ç’ishte. Por tani, sipas raporteve, analiza e pulpës së dhëmbëve, që mund t’i ruajë mikrobet patogjene për shekuj, u ka dhënë mundësi studiuesve të zbulojnë se vrasësi misterioz ishte sëmundja e etheve të tifos.

Robotët ngasin devetë

Garat me deve, një sport i përhapur në vendet e Gjirit Persik, rrezikuan të ndaloheshin kur grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut folën kundër drejtimit të deveve nga fëmijët. Por sipas specialistëve, që devetë të dalin sa më mirë në garë, ata që i ngasin duhet të jenë nën 27 kg, duke përjashtuar kështu edhe adoleshentët. Ç’zgjidhje u gjet? Robotët. Projektuesit zviceranë kanë shpikur një robot me telekomandë, nën 27 kg e që mund të lidhet në një samar të veçantë për devetë. Për të mos trembur devenë, roboti ka pamjen dhe zërin e njeriut. Veç kësaj, mund të përkulet, të mbajë ekuilibrin, të përdorë kamxhikun dhe të drejtojë devenë. Të zotët e deveve janë entuziastë për këta robotë.

Mbin një farë pas 2.000 vjetësh

Palmat e lashta judaike, kaq të vlerësuara për bukurinë, hijen dhe vlerat kuruese, u shkatërruan nga kryqtarët gjatë Mesjetës. Por sipas The New York Times, tani «doktorët dhe shkencëtarët e Izraelit kanë bërë që të mbijë një farë palme 2.000-vjeçare». Kjo «farë, të cilën e kanë quajtur Metuselah, u mor nga gërmimet në Masadë», fortesa shkëmbore që u pushtua nga romakët në vitin 73 të e.s. Një specialiste për bujqësinë e vendeve të thata, dr. Ileina Solouei, që e mbolli farën, thotë se do të duhen vite para se filizi të japë fryte, dhe kjo do të ndodhë vetëm nëse është femër. Ajo thotë: «Po të jetë mashkull, do të jetë thjesht për kuriozitet.»