Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njeriu më i madh i të gjitha kohërave

Njeriu më i madh i të gjitha kohërave

Njeriu më i madh i të gjitha kohërave

CILIN do të quanit njeriun më të madh që ka jetuar ndonjëherë? Noenë, që mbijetoi nga Përmbytja dhe u bë paraardhësi i gjithkujt që jeton sot? (Zanafilla 7:1, 21, 22; 9:18, 19) Nabukodonosorin, sundimtarin e botës së lashtë dhe ndërtuesin e qytetit madhështor të cilin e quajti Babilonia e Madhe? (Danieli 4:28-30) Ndoshta Aleksandrin e Madh, që edhe në profecitë e Biblës përmendet për arritjet e tij? (Danieli 8:5-8, 21-22) Apo Jul Cezarin, sundimtarin e famshëm romak?

Nuk kishin kaluar as 45 vjet nga vdekja e Cezarit që sapo përmendëm, kur në Betlehem lindi një fëmijë me emrin Jezu. A u bë ai njeriu më i madh i të gjitha kohërave? Gati njëqind vjet më parë, në librin Historia botërore sipas historianëve (anglisht) thuhej: «Edhe po të nisesh nga një pikëpamje plotësisht laike, veprat e [Jezuit] kanë ndikuar në histori më shumë se veprat e çdo personazhi tjetër historik. Në përgjithësi, qytetërimet kryesore të botës e pranojnë se me lindjen e tij nisi një epokë e re.»

Edhe sot e kësaj dite, ka një interes të madh për Jezu Krishtin. Disa vjet më parë, njëkohësisht në tri revista informative të njohura amerikane, si Time, Newsweek dhe U.S.News and World Report, artikulli i prezantuar në kopertinë fliste për Jezuin. Ç’është e vërteta, duket se interesi për Jezuin është shtuar. «Ndikimi i tij ndihet në filma, në muzikë dhe në modë,—thoshte gazeta Toronto Star në vitin 2004.—Ai është bërë një nga heronjtë tanë më të shquar.»

Megjithatë, është e çuditshme që jo shumë kohë më parë, disa thoshin se Jezui nuk ka ekzistuar kurrë. Diçka të tillë tha edhe Bruno Baueri (1809-1882), që ishte një mësues me emër. Një nga nxënësit e tij ishte Karl Marksi. Kohët e fundit, në librin e tij Jezui jashtë Besëlidhjes së Re (anglisht), Robert E. van Vursti shkroi: «Marksi i përfshiu në ideologjinë e tij idetë e Bauerit për origjinën mitologjike të Jezuit, dhe më vonë, ky koncept u përhap nëpërmjet literaturës së shtetit sovjetik dhe propagandës komuniste.»

Megjithatë, sot janë të paktë ata që nuk e pranojnë se Jezui ka jetuar vërtet. Shumica as nuk e vënë në dyshim se ai ishte një person real dhe shumë i rëndësishëm. Në krye të një artikulli kryesor që doli në dhjetor të vitit 2002, në gazetën Wall Street Journal, thuhej: «Shkenca s’e shpërfill dot ekzistencën e Jezuit.» Autori i tij nxirrte këtë përfundim: «Shumë studiues, përveç ndonjë ateisti aty-këtu, tashmë e kanë pranuar Jezuin e Nazaretit si personazh historik.»

Por Jezui nuk ishte thjesht një individ që ka jetuar gjatë historisë. Revista Time thoshte: «Do të duheshin arsyetime krejt absurde për të mohuar se figura më e shquar, jo vetëm në këta dy mijëvjeçarë, por gjatë gjithë historisë, ka qenë Jezui i Nazaretit.» Revista shtonte: «Një argument me peshë mund të jetë fakti se jeta e askujt tjetër nuk ka ndikuar kaq shumë e kaq gjatë sa jeta e Jezuit.»

Gjithsesi, mbeten ende disa pyetje: Kush ishte në të vërtetë Jezui? Nga erdhi? Cili ishte qëllimi i tij në tokë? E përse është kaq e rëndësishme që të mësojmë gjithçka mundemi për të?