Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do ta shërojë shkenca botën?

A do ta shërojë shkenca botën?

A do ta shërojë shkenca botën?

A DO ta shërojë shkenca moderne botën? A tregojnë profecitë e Isaisë e të Zbulesës për një kohë kur vetë njeriu do të sjellë një botë pa sëmundje? Duke pasur parasysh arritjet e shumta në mjekësi, disave kjo nuk u duket aspak e pamundur.

Qeveritë dhe fondacionet bamirëse po bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara në një fushatë të paparë kundër sëmundjeve. Po bëhen shumë përpjekje për vaksinimin e fëmijëve në vendet në zhvillim. Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, nëse shtetet do t’i arrijnë synimet e tyre, «brenda vitit 2015, më shumë se 70 milionë fëmijë që jetojnë në vendet më të varfra të botës, do të përfitojnë çdo vit vaksinat jetëshpëtuese kundër sëmundjeve të tilla si: tuberkulozi, difteria, tetanosi, kolla e mirë, fruthi, rubeola, ethet e verdha, infeksioni bakterial haemophilus influenzae tipi B, hepatiti B, poliomieliti, infeksionet nga rotaviruset, nga pneumokoku, nga meningokoku dhe encefaliti japonez». Gjithashtu, po merren masa për të siguruar gjërat elementare të kujdesit shëndetësor. Ndër to janë sigurimi i ujit të pastër, i një ushqimi më të mirë dhe i njohurive për higjienën.

Megjithatë, shkencëtarët synojnë të arrijnë shumë më tepër sesa thjesht bazat e kujdesit shëndetësor. Teknologjia bashkëkohore po revolucionarizon mjekësinë. Thuhet se gati çdo tetë vjet, shkencëtarët i dyfishojnë njohuritë e tyre në mjekësi. Tani po përmendim vetëm disa prej synimeve dhe arritjeve më të fundit teknologjike në luftën kundër sëmundjeve.

Radiografitë me rreze rëntgen Për më se 30 vjet, mjekët dhe spitalet kanë përdorur atë që njihet si skaneri TK. Inicialet TK do të thonë tomografi e kompjuterizuar. Me anë të rrezeve rëntgen, skaneri realizon një pamje me tri përmasa të organeve të brendshme të trupit. Këto pamje ndihmojnë në diagnostikimin e sëmundjeve dhe në ekzaminimin e anomalive të brendshme.

Ndonëse ka debate rreth rreziqeve që mbart ekspozimi ndaj rrezeve, specialistët e mjekësisë janë optimistë për dobitë që do të sjellë në të ardhmen kjo teknologji e përparuar. Majkëll Vaniri, profesor i radiologjisë pranë Universitetit Spitalor të Çikagos, thotë: «Vetëm gjatë këtyre pak viteve të fundit, përparimi ka qenë marramendës.»

Sot skaneri është më i shpejtë, më i saktë dhe më i lirë. Një nga avantazhet e rëndësishme që kanë metodat më të fundit të ekzaminimit me skaner, është shpejtësia. Kjo ka rëndësi sidomos kur shihet zemra. Meqë zemra rreh vazhdimisht, shumë radiografi të saj me rreze rëntgen dilnin të turbullta dhe ishte e vështirë të bëje një vlerësim të saktë. Siç shpjegon revista New Scientist, skanerave të rinj u duhet «vetëm një e treta e sekondës për t’u rrotulluar përqark trupit, më shpejt se një rrahje e vetme e zemrës», duke dhënë pamje më të qarta.

Me ndihmën e skanerave të fundit, mjekët jo vetëm që mund të shohin hollësitë anatomike brenda trupit, por edhe të analizojnë aktivitetin biokimik në zona të veçanta. Me anë të kësaj metode, kanceri mund të kapet qysh në fazat fillestare.

Operacionet me robotë Robotët e sofistikuar nuk i gjen më vetëm në literaturën fantastiko-shkencore, të paktën në fushën mjekësore. Tashmë mijëra operacione po kryhen me ndihmën e robotëve. Në disa raste, kirurgët operojnë me një pajisje telekomanduese që u mundëson të lëvizin disa krahë robotësh. Këta krahë janë të pajisur me bisturi, gërshërë, kamera, vegla kauterizimi dhe vegla të tjera kirurgjikale. Kjo teknologji i ndihmon kirurgët të bëjnë operacione tejet të vështira me një saktësi të jashtëzakonshme. «Kirurgët që përdorin këtë metodë, kanë parë se pacientët kanë më pak hemorragji e dhembje, më pak rrezik për komplikacione, qëndrojnë më pak në spital dhe e marrin veten më shpejt se ata që operohen me metodën e zakonshme»,—thotë revista Newsweek.

Nanomjekësia Nanomjekësia është zbatimi i nanoteknologjisë në mjekësi. Nanoteknologjia është shkenca që përdor dhe krijon objekte mikroskopike. Njësia matëse e përdorur në këtë teknologji quhet nanometër, që është një e miliardta e metrit. *

Për të kuptuar se sa e vogël është kjo njësi matëse, mund të themi se faqja që po lexoni është rreth 100.000 nanometra e trashë, kurse fija e flokut të njeriut rreth 80.000 nanometra e trashë. Një rruazë e kuqe e ka diametrin rreth 2.500 nanometra. Një bakter është rreth 1.000 nanometra i gjatë, kurse një virus rreth 100 nanometra i gjatë. ADN-ja juaj e ka diametrin gati 2,5 nanometra.

Përkrahësit e kësaj teknologjie mendojnë se në të ardhmen e afërt, shkencëtarët do të jenë në gjendje të krijojnë pajisje fare të imëta për të kryer ndërhyrje mjekësore brenda trupit të njeriut. Këta robotë të vegjël, që shpesh quhen nanomakineri, do të pajisen me kompjuterë mikroskopikë të programuar me udhëzime tepër specifike. Është mahnitëse që këto makineri mjaft komplekse do të ndërtohen me elemente jo më të mëdha se 100 nanometra. Imagjinoni, kjo madhësi është 25 herë më e vogël se diametri i rruazave të kuqe!

Meqë janë kaq të vogla, mendohet se një ditë, nanopajisjet do të lëvizin nëpër kapilarët që janë jashtëzakonisht të hollë dhe do të çojnë oksigjen në indet anemike. Veç kësaj, do të arrijnë të heqin elementet bllokuese nga enët e gjakut dhe pllakat senile nga qelizat e trurit e madje do të zbulojnë e do të asgjësojnë viruse, baktere e agjentë të tjerë infektues. Gjithashtu, nanomakineritë mund të përdoren për ta çuar ilaçin drejtpërdrejt te qeliza të përcaktuara.

Shkencëtarët parashikojnë se me ndihmën e nanomjekësisë do të ketë përparime të ndjeshme në zbulimin e kancerit. Dr. Samuel Uiklajni, profesor i mjekësisë, fizikës dhe inxhinierisë biomjekësore, tha: «Janë jashtëzakonisht të mëdha mundësitë për të zbuluar kancere shumë të vogla në faza shumë më të hershme se kurrë më parë e për t’i luftuar me ilaçe të forta vetëm në vendin e tumorit, ndërkohë që pakësojmë çdo efekt anësor të dëmshëm.»

Ndonëse kjo mund të duket si fantazi që i përket së ardhmes, disa shkencëtarëve nanomjekësia u duket shumë reale. Studiuesit kryesorë në këtë fushë shpresojnë që brenda dekadës së ardhshme, nanoteknologjia të përdoret në riparimin dhe riorganizimin e strukturës molekulare të qelizave të gjalla. Një nga përkrahësit thotë: «Nanomjekësia do të zhdukë praktikisht të gjitha sëmundjet e përhapura të shekullit të 20-të, pothuajse të gjitha dhembjet dhe vuajtjet gjatë trajtimit mjekësor dhe do të përmirësojë aftësitë e njeriut.» Madje që tani disa shkencëtarë tregojnë se kanë pasur sukses në përdorimin e nanomjekësisë te kafshët e laboratorit.

Studimi i ndërtimit të gjenit Çdo qelizë në trupin e njeriut është plot me elemente të domosdoshme për jetën. Një nga këto elemente është gjeni. Çdonjëri prej nesh ka afro 35.000 gjene që përcaktojnë ngjyrën dhe ndërtimin e fijes së flokut, ngjyrën e lëkurës e të syve, gjatësinë dhe tipare të tjera të pamjes së jashtme. Gjenet luajnë rol të rëndësishëm edhe në cilësinë e organeve tona të brendshme.

Kur gjenet dëmtohen, mund të ndikojnë në shëndetin tonë. Disa studiues mendojnë se të gjitha sëmundjet vijnë nga keqfunksionimet gjenetike. Disa gjene me të meta i trashëgojmë nga prindërit tanë. Të tjera dëmtohen nga ekspozimi ndaj elementeve të dëmshme të mjedisit rrethues.

Shkencëtarët shpresojnë që së shpejti të arrijnë të përcaktojnë gjenet specifike që na bëjnë të prirur ndaj sëmundjeve. Kjo mund t’i ndihmojë mjekët të kuptojnë përse disa njerëz janë më të prirur ndaj kancerit sesa të tjerët ose përse një lloj kanceri është më i egër te disa njerëz sesa te disa të tjerë. Studimi i ndërtimit të gjeneve mund të zbulojë edhe përse një ilaç bën efekt te disa pacientë, kurse te disa të tjerë, jo.

Ky informacion specifik gjenetik mund të çojë në lindjen e asaj që quhet mjekësi e individualizuar. Si mund të përfitoni nga kjo teknologji? Koncepti i mjekësisë së individualizuar tregon se kujdesi mjekësor mund të përshtatet në varësi të veçorive tuaja gjenetike unike. Për shembull, në qoftë se nga studimi i gjeneve tuaja do të zbulohej se jeni të prirur ndaj një sëmundjeje të caktuar, mjekët do të mund ta diktonin këtë sëmundje shumë më parë se të shfaqej ndonjë nga shenjat e saj. Përkrahësit e kësaj fushe thonë se në rastet kur sëmundja ende nuk ka nisur, trajtimi i duhur, ushqimi dhe ndryshimet në zakone ka mundësi ta parandalojnë tërësisht sëmundjen.

Gjithashtu, gjenet mund t’i lajmërojnë mjekët nëse ndonjë ilaç rrezikon t’ju bëjë reaksion. Ky informacion i ndihmon mjekët t’ju japin pikërisht ilaçin dhe dozën e duhur në rastin tuaj. Gazeta The Boston Globe thotë: «Brenda vitit 2020, ndikimi [i mjekësisë së individualizuar] ka të ngjarë të ndihet shumë më gjerë nga ç’mund të parashikojë ndonjë nga ne sot. Në varësi të gjeneve të individëve, do të prodhohen ilaçe të reja për diabetin, sëmundjet e zemrës, sëmundjen e Alcajmerit, skizofreninë e për shumë probleme të tjera që po bëjnë kërdinë në shoqërinë tonë.»

Teknologjitë e lartpërmendura janë vetëm një shembull i asaj që shkenca premton për të ardhmen. Njohuritë mjekësore vazhdojnë të shtohen me ritme të papara. Por shkencëtarët nuk presin që së shpejti t’i shfarosin krejt sëmundjet. Ka ende shumë pengesa që duken të pakapërcyeshme.

Pengesa që duken të pakapërcyeshme

Veprimet e njerëzve mund ta ngadalësojnë përparimin në zhdukjen e sëmundjeve. Për shembull, shkencëtarët mendojnë se dëmi që u kanë shkaktuar njerëzit disa ekosistemeve, ka sjellë sëmundje të reja e të rrezikshme. Në një intervistë në revistën Newsweek, Meri Perli, presidente e Trustit për Botën Bimore e Shtazore shpjegoi: «Që nga mesi i viteve 70, janë shfaqur më shumë se 30 sëmundje të reja, përfshirë SIDA-n, ethet e Ebolës, sëmundjen Lyme dhe SARS-in. Mendohet se shumica e tyre kanë kaluar nga kafshët te njerëzit.»

Veç kësaj, njerëzit sot hanë më pak fruta e perime të freskëta dhe më shumë sheqer, kripë e yndyrna të ngopura. Kjo, së bashku me rënien e aktivitetit fizik dhe zakone të tjera të pashëndetshme, kanë çuar në shtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Pirja e duhanit po shtohet dhe u ka sjellë probleme të rënda shëndetësore e vdekje miliona vetave në mbarë botën. Çdo vit, afro 20 milionë njerëz pësojnë dëmtime të rënda ose vdesin si pasojë e aksidenteve automobilistike. Lufta dhe forma të tjera dhune vrasin e gjymtojnë njerëz të panumërt. Miliona të tjerë kanë probleme shëndetësore si pasojë e abuzimit me drogën ose alkoolin.

Fakti është se cilido qoftë shkaku dhe pavarësisht nga gjithë përparimet në teknologjinë mjekësore, disa sëmundje ende sjellin shumë vuajtje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ‘në çfarëdo momenti, më shumë se 150 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, rreth 25 milionë nga skizofrenia dhe 38 milionë nga epilepsia’. HIV/SIDA, sëmundjet diarreike, malarja, fruthi, pneumonia dhe tuberkulozi infektojnë me miliona, duke vrarë sa e sa fëmijë e të rinj.

Ka edhe pengesa të tjera që duken të pakapërcyeshme në rrugën drejt shfarosjes së sëmundjeve. Varfëria dhe qeverisja e keqe janë dy pengesa të mëdha. Në një raport të kohëve të fundit, OBSH-ja thoshte se miliona veta që vdesin nga sëmundje infektive mund të shpëtoheshin nëse qeverisja do të ishte siç duhet dhe nuk do të mungonin fondet.

A do të ndihmojnë njohuritë shkencore dhe përparimet e mëdha teknologjike në mjekësi për të kapërcyer këto pengesa? A do të shohim së shpejti një botë pa sëmundje? Vërtet, faktorët e lartpërmendur nuk japin një përgjigje të qartë. Megjithatë, Bibla hedh dritë mbi këtë pyetje. Artikulli vijues do të shqyrtojë se çfarë thotë Bibla për një të ardhme kur të mos ketë më sëmundje.

[Shënimi]

^ par. 10 Parashtesa «nano», vjen nga fjala greke për «xhuxh» e do të thotë «një e miliardta».

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Radiografitë me rreze rëntgen

Pamjet më të qarta e më të sakta të trupit të njeriut mund të ndihmojnë që sëmundja të kapet qysh në fazat fillestare

[Burimet]

© Philips

Siemens AG

Operacionet me robotë

Robotët e pajisur me vegla kirurgjikale indihmojnë mjekët të bëjnë operacione tejet të vështira me një saktësi të jashtëzakonshme

[Burimi]

© 2006 Intuitive Surgical, Inc.

Nanomjekësia

Makineritë mikroskopike të bëra nga njerëzit mund t’i ndihmojnë mjekët ta luftojnë sëmundjen drejtpërdrejt në qelizë. Kjo fotografi tregon konceptin e një artisti për nanomakineritë që do të kryejnë funksionin e rruazave të kuqe

[Burimet]

Artisti: Vik Olliver (vik@diamondage.co.nz)/​Projektuesi: Robert Freitas

Studimi i ndërtimit të gjeneve

Duke studiuar ndërtimin e gjeneve të individëve, shkencëtarët shpresojnë ta zbulojnë dhe ta luftojnë sëmundjen para se te pacienti të shfaqet ndonjë shenjë e saj

[Burimi]

Kromozome: © Phanie/​Photo Researchers, Inc.

[Kutia në faqet 8, 9]

Gjashtë armiq të pamposhtur

Njohuritë mjekësore dhe teknologjia në fushën e mjekësisë po përparojnë me ritme të papara. Pavarësisht nga kjo, murtajat e sëmundjeve infektive ende bëjnë kërdinë në botë. Sëmundjet vrastare të renditura më poshtë mbeten të pamposhtura.

HIV/​SIDA

Rreth 60 milionë njerëz janë infektuar me virusin HIV dhe gati 20 milionë kanë vdekur nga SIDA. Gjatë vitit 2005, kishte pesë milionë të infektuar të tjerë dhe më shumë se tre milionë të vdekur nga SIDA. Ndër viktimat ishin më shumë se 500.000 fëmijë. Pjesa dërrmuese e viktimave të HIV-it nuk kanë mundësi të marrin trajtimin e duhur shëndetësor.

Diarreja

Është quajtur një nga vrasësit kryesorë të të varfërve, pasi çdo vit numërohen rreth katër miliardë të prekur nga diarreja. Shkaktohet nga sëmundje të ndryshme infektive që mund të përhapen nëpërmjet ujit, ushqimit të ndotur ose për shkak të mungesës së higjienës vetjake. Këto infeksione bëjnë që numri i të vdekurve çdo vit të jetë më shumë se dy milionë.

Malarja

Çdo vit, rreth 300 milionë njerëz sëmuren nga malarja dhe gati një milion vdesin. Shumë prej të vdekurve janë fëmijë. Në Afrikë, gati çdo 30 sekonda vdes një fëmijë nga malarja. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), «shkenca ende nuk e ka gjetur armën magjike për malarjen dhe shumë veta dyshojnë se do të gjendet ndonjëherë një armë e tillë».

Fruthi

Gjatë vitit 2003, fruthi vrau më shumë se 500.000 njerëz. Fruthi është një sëmundje mjaft ngjitëse dhe është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve te fëmijët. Çdo vit, afro 30 milionë veta i zë fruthi. Si për ironi, që prej 40 vjetësh ekziston një vaksinë e efektshme dhe jo e shtrenjtë kundër fruthit.

Pneumonia

Sipas OBSH-së, nga pneumonia vdesin më shumë fëmijë se nga çdo sëmundje tjetër infektive. Rreth dy milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare vdesin çdo vit nga pneumonia. Shumica e këtyre vdekjeve ndodhin në Afrikë dhe në Azinë Juglindore. Në shumë pjesë të botës, mundësitë e kufizuara i pengojnë viktimat të marrin trajtimin mjekësor jetëshpëtues.

Tuberkulozi

Gjatë vitit 2003, tuberkulozi shkaktoi vdekjen e më shumë se 1.700.000 vetave. Punonjësit e shëndetësisë janë shumë të shqetësuar për shfaqjen e mikrobeve të tuberkulozit rezistente ndaj ilaçeve. Disa forma të bakterit të tuberkulozit janë bërë rezistente ndaj të gjitha ilaçeve kryesore kundër tuberkulozit. Format rezistente zhvillohen te pacientët që trajtimin mjekësor e marrin pa mbikëqyrjen e duhur të mjekut ose që nuk e çojnë kurën deri në fund.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Përhapet mjekësia alternative

Ka një shumëllojshmëri metodash shëruese që në përgjithësi nuk pranohen nga profesionistët e mjekësisë tradicionale. Zakonisht këto trajtime njihen si mjekësia popullore dhe mjekësia alternative. Në vendet në zhvillim, shumica e njerëzve i drejtohen mjekësisë popullore kur kanë probleme me shëndetin. Në vendet e varfra shumë veta nuk kanë para për të paguar trajtimet e mjekësisë tradicionale, kurse të tjerë thjesht parapëlqejnë mjekësinë popullore.

Format e mjekësisë alternative po përhapen edhe në vendet e pasura. Ndër trajtimet alternative më të përhapura janë akupunktura, kiropraktika, homeopatia, naturopatia dhe mjekësia bimore. Disa prej këtyre metodave janë studiuar shkencërisht dhe kanë bërë efekt për gjendje të caktuara shëndetësore. Megjithatë, efektshmëria e disa metodave nuk është vërtetuar siç duhet. Përhapja e metodave të mjekësisë alternative ka ngritur disa çështje për sa i përket sigurisë së tyre. Në shumë vende nuk ka ligje për këto terapi kuruese. Kjo krijon kushtet për përhapjen e metodës së rrezikshme të vetëmjekimit, të produkteve fallso dhe mashtrimit. Ndonëse nisen nga motive të mira, disa që nuk kanë përgatitjen e duhur, shpesh bëhen mjekë për miqtë dhe të afërmit. Të gjitha këto kanë shkaktuar reaksione dhe rreziqe të tjera shëndetësore.

Në disa vende ku ka ligje për mjekësinë alternative, terapitë alternative pak nga pak po pranohen në mjekësinë tradicionale dhe po rekomandohen nga vetë mjekët. Megjithatë, me sa duket nuk ka ndonjë pretendim me baza se këto metoda do të sjellin një botë pa sëmundje.