Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka dështuar krishtërimi?

A ka dështuar krishtërimi?

Pikëpamja e Biblës

A ka dështuar krishtërimi?

GATI një e treta e popullsisë së botës thonë se janë të krishterë. Megjithatë, sot, bota duket më e përçarë politikisht e më e dhunshme se kurrë më parë. A do të thotë kjo se krishterimi që u mësoi njerëzve Jezui, ka të meta? Apo e meta qëndron në mënyrën se si i zbatojnë shumë veta mësimet e Krishtit?

Në këtë artikull do të shqyrtohet se çfarë na mësoi në të vërtetë Krishti dhe shembullin që la ai për ithtarët e tij. Gjithashtu, do të shqyrtohet një pikëpamje e përhapur midis atyre që pohojnë se janë të krishterë, por që bie ndesh me kuptimin e vërtetë të krishterimit.

Një formë e shtrembëruar e krishtërimit

Disa qindra vjet pas vdekjes së Krishtit, një formë e shtrembëruar e krishterimit u bë një fe e preferuar në Perandorinë Romake. Anëtarët e këtij grupi që pretendonin se ishin të krishterë dhe që tani nuk shiheshin më si të padëshiruar nga shoqëria, shpejt e panë veten në postet kyçe të jetës politike e shoqërore të shoqërisë romake. Krerët e kishës, siç ishte Agustini, iu përgjigjën këtij ndryshimi duke u mësuar njerëzve se Mbretëria e shumëpritur e Perëndisë tashmë kishte ardhur. Këta udhëheqës thoshin se pozita politike dhe fetare që kishin fituar, ishte mjeti me anë të të cilit do të bëhej vullneti i Perëndisë në tokë. Kështu u theksua rëndësia e përpjekjeve të njerëzve për të drejtuar punët në tokë.

Si pasojë, tani shumë mendojnë se i krishteri duhet të bëjë pjesën e tij në strukturën politike të shoqërisë. Për ta bërë këtë, shumë veta janë të mendimit se për hir të vullnetit të shoqërisë ku jeton, një i krishterë ndonjëherë duhet t’i lërë mënjanë disa aspekte të bindjeve të tij. Për shembull, shumë njerëz, me fjalë hiqen sikur i përkrahin mësimet e Krishtit për dashuri e paqe, por në të njëjtën kohë mbështetin luftëra mizore. Për të njëjtën arsye, kishat mund t’i nxitin besimtarët e tyre të luten për Mbretërinë e Perëndisë, por nga ana tjetër mbështetin sundimtarët shtypës.

Kjo formë fallso e krishterimit nuk është feja që themeloi Jezui. Përkundrazi, është një formë e sajuar nga njerëzit, që sot praktikohet nga shumica e të ashtuquajturve të krishterë. Kjo formë e krishterimit me të vërtetë ka dështuar, dhe këtë e tregon fakti se në të gjithë botën e krishterë sot, vihet re një mospërfillje në masë ndaj parimeve biblike.

Çfarë mësoi në të vërtetë Jezui?

Disave mund t’u duket çudi që në të vërtetë Jezui tha se dishepujt e tij nuk duhej të ishin «pjesë e botës, ashtu si [ai nuk ishte] pjesë e botës». (Gjoni 17:15, 16) Përse Krishti i nxiti dishepujt e tij që të merrnin këtë qëndrim? Dishepulli i dashur i Jezuit, apostulli Gjon, dha një përgjigje për këtë. Ai shkroi: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»—1 Gjonit 5:19.

Prandaj, mësimet e Krishtit nuk i drejtojnë njerëzit tek organizatat njerëzore, por te Mbretëria qiellore e Perëndisë, duke u treguar që ajo është mjeti për të krijuar një botë të drejtë këtu në tokë. (Mateu 6:10) Vetë Jezui nuk tregoi as prirjen më të vogël për të ndërhyrë në strukturën shoqërore të kohës së tij. Ai e refuzoi prerazi një post politik. (Gjoni 6:15) Gjithashtu, nuk e pranonte dhunën si një mënyrë për të zgjidhur konfliktet. (Mateu 26:50-53; Gjoni 18:36) Jezui nuk la ndonjë kushtetutë a ndonjë kod ligjesh civile. Ai nuk mbajti asnjë qëndrim politik ndaj çështjeve të kohës së tij. Për shembull, Jezui nuk u bë aktivist për mbrojtjen e të drejtave të skllevërve dhe as u përfshi në luftën e popullit jude kundër Romës.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Jezui nuk shqetësohej për njerëzit dhe problemet e tyre. Jezui foli shumë për përgjegjësinë që ka njeriu ndaj të tjerëve. Ai i nxiti njerëzit të jenë të ndershëm në pagimin e taksave dhe theksoi nevojën për t’iu nënshtruar atyre që kanë autoritet sipas ligjit. (Mateu 22:17-21) Ai na mësoi si të tregojmë me vepra se interesohemi për mirëqenien e atyre që janë në nevojë. Gjithashtu, na mësoi si të tregojmë respekt për dinjitetin e të tjerëve, si të jemi të dhembshur, të mëshirshëm dhe si të falim. (Mateu, kapitujt 5-7) Dihet fare mirë që mësimet e Krishtit përqendrohen te dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin.—Marku 12:30, 31.

Krishtërimi i vërtetë sot

Pra, si duhet të veprojë një ithtar i vërtetë i Krishtit ? Njësoj si Jezui. Edhe pse i bindet me besnikëri ligjeve të vendit, qëndron krejt asnjanës në çështjet politike. (Gjoni 12:47, 48) Nuk bën kompromis me parimet e krishtere edhe kur i bëhet presion i fortë. (1 Pjetrit 2:21-23) Megjithatë, ai nuk mund të jetë vetëm një spektator indiferent. I krishteri i vërtetë interesohet praktikisht për të mirën e atyre që ka përreth, siç bëri Jezui. (Marku 6:34) Gjithashtu, ai harxhon kohë dhe energji për t’i ndihmuar të tjerët të kenë një jetë më të lumtur. Këtë e bën duke i ndihmuar të kuptojnë, e të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit.—Gjoni 13:17.

Në përputhje me këtë, sot Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të imitojnë Krishtin në marrëdhënien me botën që i rrethon. Ndonëse janë nënshtetas paqësorë e që u binden ligjeve, nuk janë pjesë e botës. Ashtu si Jezui, ata nuk pranojnë të marrin pjesë në dhunën e në konfliktet politike kaq të përhapura sot. Shpresën e tyre e kanë mbështetur fort te Mbretëria e Perëndisë si zgjidhja e problemeve që has bota. Krishterimi i vërtetë sjell një jetë më të lumtur dhe unitet mes pjesëtarëve të tij. (Gjoni 13:34, 35) Ai sigurisht që nuk ka dështuar.

A DONI TË DINI?

▪ A duhet të përfshihen të krishterët në politikë?—Gjoni 6:15.

▪ A e sugjeroi Krishti dhunën si mjet për të zgjidhur konfliktet?—Mateu 26:50-53.

▪ Cila është shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë?—Gjoni 13:34, 35.

[Burimi i figurës në faqen 18]

EL COMERCIO, Kuito, Ekuador