Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arka e Noesë dhe projektimi i anijeve

Arka e Noesë dhe projektimi i anijeve

Arka e Noesë dhe projektimi i anijeve

KAM më shumë se 40 vjet që punoj si arkitekt anijesh dhe inxhinier marine. Gjatë punës sime kam projektuar mjete lundrimi të formave dhe përmasave të ndryshme, si edhe sistemin mekanik dhe sistemet e tjera që i vënë në lëvizje ato. Më 1963, kur jetoja në Kolumbinë Britanike, Kanada, një Dëshmitare e Jehovait më tregoi se në librin biblik të Zanafillës, arka e Noesë përshkruhet si një kuti e gjatë. U bëra kurioz dhe vendosa ta shqyrtoj më tej këtë çështje.

Tregimi i Zanafillës thotë se Perëndia vendosi ta pastronte tokën nga ligësia duke e përmbytur planetin me ujë. Ai i tha Noesë të ndërtonte një arkë që Noeja, familja e tij dhe kafshë të ndryshme të shpëtonin nga kjo Përmbytje e madhe. Perëndia i tha atij ta bënte arkën 300 kute të gjatë, 50 kute të gjerë dhe 30 kute të lartë. (Zanafilla 6:15) Sipas një llogaritjeje të përafërt, arka do të ishte rreth 134 metra e gjatë, 22 metra e gjerë dhe 13 metra e lartë. * Pra, ajo kishte një vëllim rreth 40.000 metra kub, afërsisht sa vëllimi i anijes luksoze «Titaniku».

Struktura e arkës

Arka kishte tri kate, që e bënin më të fortë dhe krijonin një hapësirë totale rreth 8.900 metra katrorë. Ajo ishte e papërshkueshme nga uji, pasi u ndërtua me dru rrëshinorë, ndoshta me dru selvie, dhe ishte e izoluar brenda e jashtë me zift. (Zanafilla 6:14-16) Nuk na thuhet si i bashkoi drurët Noeja. Por edhe para se të tregojë për Përmbytjen, Bibla flet për farkëtarët e veglave prej bakri e hekuri. (Zanafilla 4:22) Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite, për ndërtimin e disa anijeve prej druri, përdoren kunja ose gozhdë druri.

Arka kishte ndarje të brendshme, një derë anash dhe një tso’har të lartë një kut, që mund të ketë qenë një çati me dy kulme. Ka të ngjarë që poshtë çatisë të ketë pasur dritare për ajrosje dhe dritë. Megjithatë, në tregimin e Zanafillës nuk përmendet si pjesë e arkës ndonjë kallumë, bash, vela, lopata a timon. E njëjta fjalë hebraike që do të thotë «arkë», përdoret edhe për shportën e lyer me katran, ku nëna futi Moisiun foshnjë që të qëndronte mbi ujërat e lumit Nil.—Dalja 2:3, 10.

E qëndrueshme në ujë

Gjatësia e arkës ishte gjashtë herë më e madhe se gjerësia dhe dhjetë herë më e madhe se lartësia. Shumë anije moderne kanë përmasa të ngjashme, ndonëse për to raporti i gjatësisë me gjerësinë, zgjidhet në varësi të fuqisë që u duhet për të çarë ujin. Nga ana tjetër, arka thjesht duhej të pluskonte mbi ujë. A do të pluskonte mirë?

Mënyra se si mjetet e lundrimit reagojnë ndaj erës dhe dallgëve, përcakton qëndrueshmërinë e tyre në ujë. Edhe kjo lidhet me përmasat e mjetit lundrues. Bibla flet për rrebeshin e tmerrshëm që solli Përmbytjen dhe thotë se pas kësaj Perëndia bëri që të frynte erë. (Zanafilla 7:11, 12, 17-20; 8:1) Shkrimet nuk thonë se sa të forta ishin dallgët dhe era, por ka shumë të ngjarë që edhe era, edhe dallgët të kenë qenë të forta e të ndryshonin drejtimin, ashtu siç ndodh sot. Sa më gjatë të fryjë era e sa më e fortë të jetë ajo, aq më të larta e aq më larg janë dallgët nga njëra-tjetra. Veç kësaj, çdo lëvizje sizmike mund të ketë krijuar dallgë të forta.

Përmasat e arkës ndihmuan në qëndrueshmërinë e saj, duke mos e lejuar të përmbysej. Gjithashtu, arka ishte projektuar për të përballuar forca që mund ta lëkundnin në detin e trazuar. Lëkundjet e mëdha, që shkaktohen kur çdo dallgë ngre njërin skaj të anijes dhe pastaj bën që ky skaj të zhytet, do të kishin qenë shumë të mundimshme për njerëzit dhe kafshët në arkë. Veç kësaj, lëkundjet bëjnë që mbi anijen të ushtrohen forca të mëdha. Struktura duhet të jetë aq e fortë sa t’i rezistojë prirjes për të krijuar bark në mes, kur dallgët e mëdha i ngrenë njëkohësisht të dyja skajet e anijes. Nga ana tjetër, nëse një dallgë e madhe e ngre anijen në mes dhe skajet e saj mbeten pa asnjë mbështetje, kiçi dhe bashi mund të përkulen për poshtë. Perëndia i tha Noesë që raporti gjatësi-lartësi të ishte 10 me 1. Më vonë, ndërtuesit e anijeve do ta mësonin nga përvoja e hidhur se ky raport mund t’i ekuilibrojë këto forca.

E sigurt dhe e rehatshme

Për shkak të formës si sënduk që kishte arka, aftësia pluskuese, pra forca që e bën anijen të qëndrojë mbi ujë, do të ishte e njëjtë nga njëri skaj në tjetrin. Edhe pesha do të ishte e njëjtë. Ka mundësi që Noeja të ketë marrë masa që ngarkesa, duke përfshirë kafshët dhe rezervat ushqimore për një vit, të shpërndahej njëtrajtësisht. Shpërndarja e mirë e ngarkesës minimizon forcat që shton ajo mbi strukturën e anijes. Pra, dy faktorë vendimtarë ndihmuan që arka dhe pasagjerët e saj të shpëtonin shëndoshë e mirë nga Përmbytja globale: projekti i arkës që vinte nga Jehovai dhe mbrojtja e Tij. Pa dyshim, Perëndia u kujdes që arka të ndalonte në një vend të përshtatshëm e të sigurt.

Shqyrtimi i hollësishëm që bëra, më çoi në përfundimin se ajo që thotë Bibla për arkën e Noesë është realiste dhe përputhet me teknikën moderne të ndërtimit të anijeve. Sigurisht, ka shumë hollësira për arkën e për Përmbytjen që nuk janë përmendur në tregimin e Zanafillës. Shpresoj që një ditë, të takoj Noenë këtu në tokë pasi të ringjallet, pikërisht mes familjeve të njerëzve e kafshëve, ekzistenca e të cilave u bë e mundur në saje të arkës, për të cilën ai punoi aq shumë kohë e derdhi aq mund. (Veprat 24:15; Hebrenjve 11:7) Në fillim do të falënderoj atë dhe familjen e tij. Pastaj, do ta bombardoj me pyetje.—Nga një bashkëpunëtor.

[Shënimi]

^ par. 3 Kuti është njësi matëse e lashtë. Ai është afërsisht sa gjatësia nga bërryli te majat e gishtërinjve. Me sa duket, në kohën e Izraelit të lashtë, standardi i kutit ishte në përgjithësi rreth 44,5 cm.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

MODEL I ZVOGËLUAR I ARKËS

Ju mund të bëni vetë një model të zvogëluar të arkës, duke përdorur skicën e mëposhtme dhe të provoni sa e fortë është. (Mund të ndërtoni edhe një model më të madh duke i zmadhuar përpjesëtimisht përmasat e skicës së mëposhtme.) Letra e zakonshme mund të bëhet rezistente ndaj ujit po ta lyeni mbarë e prapë me parafinë ose me pastel. Pastaj letra mund të paloset dhe cepat të ngjiten me shirit ngjitës ose me zamkë. Ngjitni pesha ekuilibruese në dyshemenë e modelit tuaj, siç mund të jenë disa monedha të shpërndara njëtrajtësisht që ngjiten me shirit ose me zamkë, derisa një e treta ose gjysma e lartësisë së varkës të zhytet në ujë.

Për të parë sa e qëndrueshme është arka në ujë, vendoseni modelin në mes të një vaske dhe drejtojeni për nga gjatësia paralel me bordurën e vaskës. Përpiquni të krijoni dallgë të vogla e të rregullta, duke mbajtur për së gjeri në njërin skaj të vaskës një kuti kartoni nga ato të qumështit ose diçka të ngjashme, e duke e zhytur lehtë dhe në mënyrë ritmike në ujë.

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PALOSE NGA BRENDA PALOSE NGA BRENDA

 

PALOSE NGA BRENDA PALOSE NGA BRENDA

[Figura]

Përmasat e arkës ishin afërsisht sa ato të anijeve oqeanike

[Diagrami dhe figurat në faqet 20, 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pjesa ballore

Anash

Sipër

Pjesa ballore

Anash

Sipër

[Figurat]

Vëllimi i arkës ishte afërsisht sa vëllimi i anijes «Titaniku»

[Burimet]

Skicë e Titanikut: me mirësjellje nga dr. Robert Hahn/​www.titanic-plan.com; fotografia: me mirësjellje nga The Mariners’ Museum, Newport News, VA