Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Barriera Koralore e Belizesë​—Trashëgimi botërore

Barriera Koralore e Belizesë​—Trashëgimi botërore

Barriera Koralore e Belizesë​—Trashëgimi botërore

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

«Dëmtimi ose zhdukja e çfarëdo elementi të trashëgimisë kulturore ose natyrore varfëron dhe dëmton trashëgiminë e të gjitha kombeve të botës. . . . Është detyrë e komunitetit ndërkombëtar që të marrë pjesë si një i tërë, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore me vlera të jashtëzakonshme universale.»​—Nga Konventa e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore.

NË PËRPUTHJE me fjalët e mësipërme, në vitin 1996, Rezervati i Barrierës Koralore të Belizesë u fut në listën e Trashëgimisë Botërore. Pra iu dha i njëjti status si Maçu-Piçut në Peru, Kanionit të Madh në Shtetet e Bashkuara, Gjirokastrës dhe qytetit të lashtë të Butrintit në Shqipëri dhe mrekullive të tjera anembanë botës. Përse ky vend ka «vlera të jashtëzakonshme universale»?

Trashëgimi që ia vlen të mbrohet

Barriera Koralore e Belizesë është një masiv me korale të gjalla. Ajo vjen e dyta në botë për nga madhësia, pas Barrierës së Madhe të Koraleve në Australi dhe është më e gjata në Hemisferën Perëndimore. Ky masiv shtrihet 300 km përgjatë Gadishullit të Jukatanit, duke përfshirë pjesën më të madhe të bregdetit të Belizesë, që ndodhet në Amerikën Qendrore. Përveç shkëmbinjve koralorë ose më saktë vargut të shkëmbinjve koralorë, ky rezervat përfshin rreth 450 ishuj të vegjël dhe tri atole koralore, domethënë vargje shkëmbinjsh koralorë në formë unaze që rrethojnë laguna piktoreske. Shtatë zona ujore të këtij rezervati, me një sipërfaqe të përgjithshme 960 km2, mbrohen posaçërisht nga Konventa për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore.

Rëndësia e ruajtjes së shkëmbinjve koralorë është e kuptueshme, pasi ato janë habitati i çerekut të bimëve dhe kafshëve detare të botës. Dhe vërtet, për sa i përket shumëllojshmërisë biologjike, ekosistemet e shkëmbinjve koralorë vijnë të dytët, menjëherë pas pyjeve tropikale të shiut. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se 70 për qind e të gjitha koraleve të planetit do të shkatërrohen brenda 20 deri 40 viteve të ardhshme, nëse njerëzit nuk heqin dorë nga format e shumta të ndotjes së deteve, nga turizmi i pakontrolluar dhe nga veprime të tilla shkatërrimtare, siç është peshkimi me cianid.

Në Rezervatin e Barrierës Koralore të Belizesë janë identifikuar 70 lloje koralesh me skelet të fortë, 36 lloje koralesh pa skelet dhe 500 lloje peshqish. Ky rezervat është habitati i kafshëve detare që rrezikojnë të zhduken, të tilla si breshka kokëmadhe e ujit, breshka e gjelbërt e ujit, breshka e ujit me turirin sqep-skifter, lopa e detit dhe krokodili amerikan. Duke folur për llojshmërinë mahnitëse të botës detare në këtë vend, Xhuljana Robinsoni, studiuese e shkëmbinjve koralorë, thotë: «Barriera Koralore e Belizesë u krijon mundësi të pashoqe si studiuesve, ashtu edhe vizitorëve. . . . Është ndër vendet e pakta që kanë mbetur, ku mund të vrojtosh panoramat më të bukura të natyrës së pandotur, e megjithatë, është në rrezik.»

Ndoshta rreziku më i madh për shkëmbinjtë koralorë të Belizesë është zbardhja e koraleve, që ndodh kur koralet shumëngjyrëshe marrin ngjyrë të bardhë gjysmë të tejdukshme. (Shih kutinë në faqen 26.) Botimi National Geographic News thotë se njëkohësisht me uraganin Miç, në vitet 1997-1998 ndodhi edhe një zbardhje masive e koraleve. Kjo bëri që mbulesa me korale të gjalla të zvogëlohej 48 për qind. Nga se u shkaktua ky rrënim? Ndonëse kërkimet vazhdojnë, Melani Mekfildi, studiuese e shkëmbinjve koralorë, thotë: «Kjo zbardhje e koraleve lidhet ngushtë me ngritjen e temperaturave të oqeanit. . . . Edhe rrezet ultravjollcë shkaktojnë zbardhje, kështu që kombinimi i të dyjave krijon kushtet më të favorshme për zbardhje.» Megjithatë, lumturisht, duket se shkëmbinjtë koralorë të Belizesë dalëngadalë po ripërtërihen. *

Parajsë nënujore

Ujërat e kristalta pranë shkëmbinjve koralorë të Belizesë, kanë një temperaturë që arrin mesatarisht në 26 gradë celsius, dhe palombarëve e zhytësve ua ka ënda të kridhen në to. Megjithatë, 90 për qind e barrierës nuk është eksploruar ende. Prej qytetit të San-Pedros, në ishullin e vogël të Qelibarit Gri, shkohet kollaj në shkëmbinjtë koralorë, që ndodhen vetëm disa qindra metra më tutje. Gjashtë kilometra në juglindje të San-Pedros është Rezervati detar i Hol Çanit. Ky është një park 8 kilometra katrorë që shtrihet nën ujërat e cekëta e që krijon një çarje ose një kanal përmes shkëmbinjve koralorë.

Në rezervatin e Belizesë gjendet Honi Blu, një nga vendet më magjepsëse në tokë për t’u zhytur. Ky vend, që mbrohet nga statusi i Trashëgimisë Botërore, ndodhet në Shkëmbinjtë Koralorë të Farit rreth 100 kilometra nga pjesa kontinentale e Belizesë. Ai u bë i famshëm nga oqeanografi francez Zhak-Iv Kusto gjatë ekspeditës që bëri në vitin 1970 me anijen e tij eksploruese Kalipso. Zhytur në ujërat ngjyrë gurkali, Honi Blu është një hon gëlqeror me ngjyrë blu të errët ose një zgavër nëntokësore që ka rreth e qark korale të gjalla. Ka diametër afro 300 metra dhe është më shumë se 120 metra i thellë. Para se të ngrihej niveli i ujit, kjo dukuri gjeologjike ishte një shpellë e thatë nëntokësore, tavani i së cilës më vonë u shemb. Muret bien thikë në një thellësi rreth 35 metra. Në këtë pikë, nga buzët e mureve zgjaten përposhtë formacione gjigante stalaktitesh. Panorama nënujore është magjepsëse dhe mund të shihet deri në 60 metra thellësi. Në këtë hon nuk gjen shumë kafshë ujore veç peshkaqenëve. Palombarët duhet të mbajnë parasysh se zhytja këtu kërkon kujdes për të shmangur problemet që vijnë nga presioni i ujit dhe thithja e ajrit të kompresuar, dhe nuk duhet bërë po s’pate përvojë. Megjithatë, ujërat e kristalta pranë murit rrethues me korale, janë hata fare për t’u zhytur i pajisur me një tub ajri.

Aty pranë gjendet një tjetër nga shtatë zonat që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore—Ishulli i Gjysmëhënës, një rezervat ishullor piktoresk për sulat e rralla këmbëkuqe. Këtu janë identifikuar rreth 98 lloje të tjera shpendësh. Zhytja përgjatë murit nënujor të ishullit të veshur me korale të bukura pa skelet e që arrin në 1.000 metra thellësi, është spektakolare.

Siç shihet nga kjo vizitë e shkurtër në Barrierën Koralore të Belizesë, ka arsye të forta për ta ruajtur këtë thesar që do të mrekullojë brezat e ardhshëm. Humbja e saj vërtet ‘do ta varfëronte e do ta dëmtonte trashëgiminë e të gjitha kombeve’.

[Shënimi]

^ par. 9 Mbase në nivel lokal nuk mund të arrihet shumë lidhur me ngrohjen globale që sjell ngritjen e temperaturës së ujit të detit, por statusi që ka marrë kjo barrierë si pjesë e Trashëgimisë Botërore, i ka nxitur belizeasit të përpiqen më shumë për ta mbrojtur këtë zonë.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Zbardhja e koraleve

Shkëmbinjtë koralorë janë një mur i gjallë i formuar nga koloni kafshësh mishngrënëse të quajtura polipe koralore, të cilat kanë një mbulesë të sipërme të fortë prej karbonati kalciumi ose gëlqereje. Koralet e gjalla kapen pas skeleteve të koraleve të ngordhura të brezave të kaluar. Algat mikroskopike (zooxanthellas) jetojnë në simbiozë në indet e koraleve, pasi çlirojnë oksigjenin dhe lëndët ushqyese që u duhen polipeve dhe thithin dyoksidin e karbonit që lëshojnë polipet. Meqë janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës së ujit, polipet i dëbojnë algat kur temperatura ngrihet, dhe kjo shkakton humbjen e pigmentit të klorofilit që çon në zbardhjen e ngjyrës. Në këtë gjendje të dobët, koralet janë të prekshme ndaj sëmundjeve dhe mund të ngordhin. Megjithatë, shkëmbinjtë koralorë e marrin veten shpejt dhe mund të ripërtërihen po të mbrohen.

[Burimi]

Sfondi: Copyright © 2006 Tony Rath Photography - www.trphoto.com

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Meksikë

BELIZE

Deti i Karaibeve

Oqeani Paqësor

[Figura në faqen 23]

Pamje e Belizesë nga sateliti, që tregon shkëmbinjtë koralorë, me gjatësi 300 km

[Figura në faqen 24]

Ishulli i Takimit

[Burimi]

©kevinschafer.com

[Figura në faqen 24]

Breshka e ujit me turirin sqep-skifter

[Figura në faqet 24, 25]

Honi Blu në Shkëmbinjtë koralorë të Farit, i krijuar nga shembja e tavanit të një shpelle gëlqerore

[Burimi]

©kevinschafer.com

[Figura në faqen 25]

Barriera Koralore e Belizesë është habitati i 500 lloje peshqish

[Burimi]

Fotografia e vogël: © Paul Gallaher/​Index Stock Imagery

[Burimet e figurave në faqen 23]

Pamje nga sateliti: NASA/​The Visible Earth (http://​visibleearth.nasa.gov/); palombarë: ©​Paul Duda/​Photo Researchers, Inc.

[Burimi i figurës në faqen 24]

Copyright © Brandon Cole