Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur mund të nis një lidhje romantike?

Kur mund të nis një lidhje romantike?

Të rinjtë pyesin . . .

Kur mund të nis një lidhje romantike?

«Në shkollë të duket vetja anormale nëse nuk ke një të dashur​—një çfarëdo!»​—Britni.

«Gjithandej ka një presion të tmerrshëm për t’u lidhur me dikë. Por edhe çuna të lezetshëm ka sa të duash.»​—Uitni.

Sheh një djalë e një vajzë që po ecin dorë për dore në korridorin e shkollës. Si ndihesh?

□ Nuk më bën përshtypje

□ Pak xheloz/e

□ I kam shumë zili

▪ Je në kinema me shokët dhe sheh se të gjithë, përveç teje, janë çift. Si ndihesh?

□ Nuk më bën përshtypje

□ Pak xheloz/e

□ I kam shumë zili

▪ Shoku a shoqja jote e ngushtë kohët e fundit ka nisur të interesohet për dikë të seksit tjetër dhe tani po shoqërohen bashkë. Si ndihesh?

□ Nuk më bën përshtypje

□ Pak xheloz/e

□ E kam shumë zili

NËSE përgjigjja jote ishte «pak xheloz/e» ose «i kam shumë zili» për ndonjërën prej pyetjeve të mësipërme, nuk je vetëm ti që ndihesh kështu. Në ato vende ku është zakon të lidhesh me dikë të seksit tjetër, shumë të rinj do të përgjigjeshin njësoj. «Ndonjëherë ndihesh e mënjanuar, ngaqë të gjitha moshataret e tua kanë të dashur, kurse ti jo»,—thotë Iveta 14-vjeçare.

Dëshira për t’u lidhur me dikë që për ty është i veçantë dhe që të konsideron ty si të veçantë, mund të jetë jashtëzakonisht e fortë. «Dëshira për të pasur një të dashur, bëhet çdo ditë e më e fortë dhe është shumë e vështirë t’i rezistosh»,—thotë një djalë adoleshent. Disa i fillojnë në moshë fare të re këto lidhje. Për shembull, nga një anketë e bërë për revistën Time, u zbulua se 25 për qind e 13-vjeçarëve tashmë po «shoqëroheshin ose ishin lidhur me dikë». A mendon se ata ishin gati për një hap të tillë? A je ti gati të nisësh një lidhje romantike? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, fillimisht duhet të shqyrtojmë një pyetje më thelbësore.

Ç’do të thotë të kesh «një lidhje romantike»?

Del rregullisht me të njëjtin individ të seksit tjetër.

A do të thotë kjo se ke një lidhje romantike me të? □Po □Jo

Disa herë në ditë i dërgon mesazh me celular ose i telefonon të njëjtit individ të seksit tjetër.

A do të thotë kjo se ke një lidhje romantike me të? □Po □Jo

Ke një miqësi të fshehtë me dikë të seksit tjetër. Prindërit nuk e dinë. Nuk u ke treguar, se e di që nuk do të jenë dakord.

A do të thotë kjo se ke një lidhje romantike me të? □Po □Jo

▪ Sa herë mblidheni në shoqëri, rri me të njëjtin djalë ose vajzë.

A do të thotë kjo se ke një lidhje romantike me të? □Po □Jo

Ndoshta nuk e pate problem t’i përgjigjeshe pyetjes së parë, por mbase ke ngurruar pak me pyetjet e tjera. Por, çfarë do të thotë tamam të kesh një lidhje romantike? Gjatë këtij shqyrtimi, lidhja romantike do të përkufizohet si një formë shoqërimi, ku je i përqendruar nga ana romantike te një njeri i veçantë dhe ai njeri është i përqendruar te ty. Qoftë në grup ose vetëm për vetëm, qoftë në telefon ose ballë për ballë, qoftë haptazi ose fshehurazi, nëse ti dhe shoku a shoqja jote, e pranoni se ndieni diçka për njëri-tjetrin, kjo do të thotë se keni një lidhje romantike.

Por, a je gati t’i hysh kësaj rruge? Shqyrtimi i tri pyetjeve do të të ndihmojë ta kuptosh.

Çfarë qëllimesh ke?

Në shumë kultura është më se e pranueshme të shoqërohesh me dikë të seksit tjetër për t’u njohur më mirë. Por kjo duhet bërë me një qëllim fisnik​—t’i ndihmojë një djalë e një vajzë që të kuptojnë nëse mund të jenë bashkëshortë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Përse?

Bibla përdor shprehjen ‘lulja e rinisë’ për të treguar atë periudhë të jetës kur impulset seksuale dhe ndjenjat romantike bëhen të forta. (1 Korintasve 7:36) Shoqëria e ngushtë me dikë të seksit tjetër, ndërsa je ende në «lulen e rinisë», mund t’u fryjë flakëve të dëshirës dhe të të bëjë që ta mësosh nga përvoja e hidhur mençurinë që gjendet te Galatasve 6:7: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»

Vërtet, disa nga moshatarët e tu mund të jenë lidhur me dikë pa pasur si qëllim martesën. Për ta, i dashuri apo e dashura s’është gjë tjetër veçse një trofe për të treguar se kanë arritur diçka ose një zbukurim, që të duken para të tjerëve, e kështu t’i rritin vlerat vetes. Të luash në këtë mënyrë me ndjenjat e dikujt është mizore dhe nuk është habi që lidhje të tilla shpesh janë jetëshkurtra. «Shumë të rinj që lidhen me dikë, ndahen pas një jave ose pas dy javësh»,—thotë një vajzë me emrin Hedhër.—Kjo i bën t’i shohin lidhjet si kalimtare, e kjo gjë, në njëfarë mënyre, i përgatit më shumë për divorc, sesa për martesë.»

Lidhjet sa për të kaluar kohën, pra sa për qejf ose sa për të thënë që ke një të dashur, mund të çojnë kollaj në ndjenja të lënduara. Të marrim rastin e Erikut, i cili kur ishte 18 vjeç shoqërohej me një vajzë. Me çiltërsi, ai mendonte se ishin thjesht shokë të ngushtë. Pastaj kuptoi se për atë vajzë miqësia e tyre ishte diçka më shumë. «Uau! S’e prisja që ajo ta merrte seriozisht kaq shpejt,—thotë Eriku.—Sinqerisht mendoja se ishim vetëm shokë!»

Sigurisht, nuk është e gabuar të shoqërohesh me njerëz të seksit tjetër në grup dhe të mbikëqyrur siç duhet. Por, kur vjen puna për t’u lidhur me dikë, është më mirë të presësh sa të të kalojë lulja e rinisë dhe të jesh gati për ta menduar seriozisht martesën. Këtë arriti të kuptonte Çelsi. «Një mendje më thotë se lidhjet romantike duhet të jenë thjesht për kënaqësi,—pranon ajo,—por nuk është kënaqësi kur njëri e merr seriozisht, kurse tjetri, jo.»

Sa vjeç je?

Sipas mendimit tënd, në çfarë moshe është e përshtatshme që një i ri të nisë një lidhje romantike? ․․․․․

▪ Tani, bëjua këtë pyetje prindërve të tu dhe shkruaj përgjigjen e tyre. ․․․․․

Ka mundësi që numri i parë që shkrove të jetë më i vogël se i dyti. Ose ndoshta jo. Ndoshta je ndër ata të rinj të shumtë që me mençuri e shtyjnë këtë hap derisa të jenë mjaft të rritur sa ta njohin më mirë veten. Këtë ka vendosur të bëjë edhe një e re e krishterë me emrin Sondra, ndonëse, sipas ligjit, e ka mbushur moshën për t’u martuar. Sondra arsyeton: «Kur fillon një lidhje, ti dëshiron që tjetri të arrijë të të njohë. Por, nëse ti nuk e njeh veten tënde, si mund të presësh që dikush tjetër të të njohë ty?»

Kështu mendon edhe Daniela 17-vjeçare. Ajo thotë: «Kur kujtoj se ç’mendje kisha para dy vjetësh, gjërat që kërkoja nga një bashkëshort ishin krejt ndryshe nga ato që kërkoj tani. Madje edhe tani nuk i zë besë vetes për të marrë një vendim të tillë. Kur ta ndiej se për disa vjet, personaliteti im nuk ka pasur luhatje, atëherë do të mendoj për t’u lidhur me dikë.»

A je gati për t’u martuar?

Meqë lidhja romantike është një hap drejt martesës, bën mirë ta pyesësh veten nëse mund t’i mbash përgjegjësitë si bashkëshort a si bashkëshorte, madje edhe si baba ose nënë. Si ta dish nëse je gati për këtë hap? Shqyrto sa vijon.

Marrëdhëniet me të tjerët Si i trajton prindërit, vëllezërit ose motrat? A e humbet shpejt vetëkontrollin me ta, ndoshta duke përdorur një gjuhë të ashpër a të hidhur kur shpreh mendimin tënd? Po ata, çfarë thonë për këtë? Mënyra se si sillesh me familjarët tregon se si do ta trajtosh bashkëshortin.—Efesianëve 4:31, 32.

Paratë A i administron mirë paratë? A je gjithnjë në borxh? A je i zoti të mbash një punë? Nëse jo, përse? A është problemi te puna? Te punëdhënësi? Apo te ndonjë e metë e jotja? Nëse nuk i administron dot me përgjegjësi paratë e tua, si do t’i administrosh paratë e familjes?—1 Timoteut 5:8.

Gjendja frymore Nëse je Dëshmitar i Jehovait, cilat janë cilësitë e tua frymore? A e merr vetë iniciativën për të lexuar Fjalën e Perëndisë, për të marrë pjesë në shërbim dhe në mbledhjet e krishtere? Nëse nuk kujdesesh për gjendjen tënde frymore, si do ta inkurajosh bashkëshortin që të veprojë kështu?—2 Korintasve 13:5.

Këto janë vetëm disa nga gjërat që duhet të shqyrtosh, nëse po mendon të lidhesh me dikë e të martohesh. Ndërkohë, mund të shoqërohesh me njerëz të seksit tjetër kur jeni të organizuar siç duhet në grup. Më vonë, nëse vendos të lidhesh me dikë, do të kesh një ide më të qartë se kush je dhe për çfarë ke nevojë nga një bashkëshort që do ta kesh për gjithë jetën.

Sekreti i lumturisë familjare

Mund të gjeni më shumë informacion në faqet 13-26 të këtij libri të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Në cilat rrethana të përshtatshme mund të shoqërohesh me njerëz të seksit tjetër?

▪ Për cilat cilësi duhet të punosh më shumë që të jesh gati për martesë?

[Kutia dhe figurat në faqen 28]

Ja çfarë thonë disa nga moshatarët e tu

«Ndonjëherë i kam zili çiftet që po njihen, madje edhe çiftet e martuara. Por nuk mund të lidhesh me dikë sa për qejf. Nëse është kështu, po luan me zemrën e tjetrit. Mendoj se kjo lidhje duhet nisur për të zbuluar nëse personi tjetër është vërtet njeriu me të cilin dëshiron të martohesh.»​—Blejni, 17 vjeç.

«Sipas meje nuk duhet të lidhesh me djemtë vetëm sa për ‘provë’, që të jesh gati kur të njohësh dikë që vërtet të pëlqen. Kjo do të çonte në ndjenja të lënduara.»​—Çelsi, 17 vjeçe.

«Mendoj se duhet të arrish moshën për martesë para se të nisësh një lidhje romantike. Përndryshe, do të ishte sikur të jepje një intervistë pune kur nuk ke mbaruar akoma shkollën dhe nuk ke ndër mend ta fillosh atë punë.»​—Sondra, 21 vjeçe.

[Kutia në faqen 30]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Herët a vonë fëmijët tuaj me siguri do të mendojnë të nisin një lidhje romantike. «S’ka nevojë të bëj asgjë,—thotë Filipi.—Vajzat më ftojnë vetë dhe unë rri e mendoj: ‘Po tani ç’të bëj?’ Është e vështirë t’u thuash jo, sepse disa prej tyre janë shumë të bukura!»

Gjëja më e mirë që mund të bëni ju si prindër është të bisedoni me fëmijën tuaj adoleshent për këtë çështje. Përse të mos përdorni këtë artikull si bazë për bisedën? Zbuloni se çfarë mendon djali ose vajza për tundimet që has në shkollë e madje edhe në kongregacionin e krishterë. Ndonjëherë biseda të tilla mund të hapen në raste joformale, për shembull ‘kur rrini ulur në shtëpi, kur ecni rrugës’. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Kudo qoftë, mbani mend se duhet të jeni ‘të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitoheni në të folur’.​—Jakovi 1:19.

Nëse djali ose vajza tregon interes për dikë të seksit tjetër, mos u alarmoni. «Kur babi mori vesh se kisha një të dashur, u zemërua shumë,—thotë një adoleshente.—U përpoq të më trembte duke më bërë gjithë ato pyetje nëse isha gati për t’u martuar. Kur je i ri, ky reagim të bën të dëshirosh që lidhja të zgjatë dhe t’u tregosh prindërve se e kanë gabim.»

Nëse djali ose vajza adoleshente e di se as duhet ta zërë me gojë që të lidhet me dikë të seksit tjetër, mund të ndodhë diçka mjaft e rëndë: ai ose ajo mund ta mbajë sekret lidhjen e të shoqërohet fshehurazi. Një vajzë thotë: «Kur prindërit e teprojnë me reagimin e tyre, kjo vetëm sa i bën fëmijët të përpiqen ta fshehin më shumë lidhjen e tyre. Ata nuk heqin dorë. Vetëm bëhen më dredharakë.»

Do të arrini rezultate shumë më të mira nëse flitni hapur. Një vajzë 20-vjeçare thotë: «Prindërit gjithnjë më kanë folur shumë hapur për shoqërimin me dikë të seksit tjetër. Për ta është e rëndësishme të dinë se kush më intereson dhe kjo gjë më pëlqen. Babi flet me atë që më intereson. Nëse kanë rezerva, prindërit m’i thonë. Zakonisht vendos të heq dorë, kur ende nuk kam arritur në fazën e shoqërimit.»

[Figura në faqen 29]

Të shoqërohesh me njerëz të seksit tjetër në grupe të organizuara siç duhet, mund të jetë e mirë dhe e dobishme