Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur të mos ketë më sëmundje!

Kur të mos ketë më sëmundje!

Kur të mos ketë më sëmundje!

SHUMË njerëz shpresojnë të çlirohen nga dhembjet dhe sëmundjet në një jetë qiellore pas vdekjes. Megjithatë, ndryshe nga ajo që mendohet në përgjithësi, shpresa që jep vërtet Bibla për mbarë njerëzimin është jeta në një parajsë në tokë. (Psalmi 37:11; 115:16) Kjo e ardhme e premtuar përfshin një shëndet të përsosur, lumturi dhe jetë të përhershme.

Pse sëmuremi dhe vdesim? Si do të vijë një botë pa sëmundje? Bibla u jep përgjigje këtyre pyetjeve.

Shkaku i vërtetë i sëmundjeve Adami dhe Eva, prindërit tanë të parë, u krijuan me shëndet të përsosur. (Zanafilla 1:31; Ligji i përtërirë 32:4) Ata u krijuan që të jetonin përgjithmonë në tokë. Vetëm kur u rebeluan me dashje kundër Perëndisë, trupat e tyre u bënë të prekshëm ndaj sëmundjeve. (Zanafilla 3:17-19) Duke hedhur poshtë autoritetin e Perëndisë, ata i prenë lidhjet me Krijuesin, Burimin e jetës së tyre të përsosur. Trupat e tyre u bënë të papërsosur. Si pasojë, u sëmurën dhe vdiqën, ashtu siç i kishte paralajmëruar Perëndia.—Zanafilla 2:16, 17; 5:5.

Pas rebelimit, Adami dhe Eva mund t’u kalonin vetëm papërsosmëri fëmijëve të tyre. (Romakëve 5:12) Siç u përmend në artikullin e kaluar, sot shkencëtarët e pranojnë se ka disa keqfunksionime të trashëguara që çojnë drejt sëmundjeve dhe vdekjes. Pas kërkimeve të shumta, kohët e fundit një grup shkencëtarësh nxori këtë përfundim: «Është një realitet biologjik i pashmangshëm, që me t’u ndezur motori i jetës, automatikisht trupi mbjell farat e shkatërrimit të vet.»

Jo me anë të përpjekjeve të njerëzve Shkenca po arrin gjëra madhështore në luftën kundër sëmundjeve. Por është parë se shkaku i sëmundjeve është tepër i ndërlikuar dhe shkenca nuk mund ta zgjidhë plotësisht. Kjo nuk i habit studiuesit e Biblës që i dinë fjalët e frymëzuara të Perëndisë: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim.»—Psalmi 146:3.

Megjithatë, siç thotë Bibla, «ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë». (Luka 18:27) Perëndia Jehova mund ta zhdukë shkakun e sëmundjeve. Ai do të shërojë tërë sëmundjet tona. (Psalmi 103:3) Në Fjalën e tij të frymëzuar premtohet: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.

Ç’duhet të bëni Jezu Krishti e shpjegoi qartë se çfarë duhet të bëjmë për të gëzuar në të ardhmen një botë pa sëmundje. Ai tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.

Njohuria për Perëndinë dhe mësimet e Birit të tij, Jezuit, gjenden në Bibël. Një njohuri e tillë përmban këshilla praktike që mund t’jua përmirësojnë që tani jetën. Dhe, për më tepër, Perëndia u premton adhuruesve të tij të bindur një botë pa dhembje. Po, Perëndia ju vë përpara një të ardhme kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

[Kutia dhe figurat në faqen 11]

Pikëpamje e ekuilibruar për shëndetin

Bibla nxit respektin për jetën. Dëshmitarët e Jehovait e tregojnë këtë respekt duke u përpjekur të kujdesen për shëndetin e tyre. Ata shmangin praktikat e dëmshme, siç janë abuzimi me drogën dhe duhanin. Perëndia pret nga adhuruesit e tij që të mos e teprojnë në të ngrënë e në të pirë. (Proverbat 23:20; Titit 2:2, 3) Hapa të tillë praktikë, si edhe pushimi e fizkultura e mjaftueshme, mund të ngadalësojnë ose të parandalojnë shumë sëmundje. Ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje mund të kenë nevojë për specialistë të zotë në mjekësi.

Bibla na nxit të tregojmë arsyetueshmëri dhe «mendje të shëndoshë». (Titit 2:12; Filipianëve 4:5) Shumë njerëzve sot u mungon ekuilibri dhe fiksohen pas gjetjes së ndonjë kure, madje duke shpërfillur marrëdhënien me Perëndinë. Disa u drejtohen terapive të dyshimta që mund t’i dëmtojnë. Të tjerë, shpërdorojnë paratë dhe kohën për trajtime dhe ilaçe që nuk bëjnë efekt, e madje janë të dëmshme.

Realiteti është që ende nuk mund të kemi shëndet të përsosur. Ndërkohë që pritni të ardhmen, kur nuk do të ketë më sëmundje, mençuria dhe arsyetueshmëria që gjenden në Bibël mund t’ju ndihmojnë të mbani ekuilibrin teksa përpiqeni të keni një shëndet të mirë.