Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mollëkuqja: Njihuni me mikeshën e kopshtarëve

Mollëkuqja: Njihuni me mikeshën e kopshtarëve

Mollëkuqja: Njihuni me mikeshën e kopshtarëve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

KËTË insekt të vockël ngjyra-ngjyra disa e quajnë mollëkuqe, kurse të tjerë nuse pashke. Ndonëse jo të gjithë njerëzit i pëlqejnë brumbujt, në përgjithësi mollëkuqet i kanë qejf. Fëmijët magjepsen pas tyre, kurse kopshtarët dhe bujqit i presin krahëhapur. Pse i pëlqejnë kaq shumë?

Pse pëlqehen shumë?

Shumë lloje të këtij insekti të vogël e të dobishëm kanë qejf të hanë morrat e bimëve (majtas). Këta janë insekte të vockla me trup të butë që u thithin lëngun të mbjellave në kopshte dhe ara, e kështu mund t’i prishin. Disa mollëkuqe të rritura mund të hanë mijëra morra bimësh gjatë jetës së tyre, por edhe larvat e mollëkuqeve kanë oreks të mirë. Veç kësaj, mollëkuqja ushqehet edhe me shumë insekte të tjera të dëmshme e madje disave u shijon myku që dëmton bimët. E pra, nuk është çudi që kopshtarët dhe bujqit e mirëpresin mollëkuqen.

Në fund të viteve 1800, nga Australia çuan rastësisht në Kaliforni të SHBA-së një lloj breshkëze bimësh. Ky insekt u shumua kaq shpejt, saqë rrezikonte të shfaroste të gjitha pemishtet me agrume e të shkatërronte kultivimin dhe industrinë e tyre. Duke ditur se në vendin e origjinës, ai nuk i rrezikonte të mbjellat, një entomolog, pra një studiues insektesh, shkoi në Australi në kërkim të armikut natyror të këtij insekti. Si përfundim, zbuloi se ky armik ishte një lloj mollëkuqeje australiane. Rreth 500 mollëkuqe të tilla u çuan me anije në Kaliforni, dhe brenda një viti, breshkëza e bimëve pothuajse ishte shfarosur. Pemishtet e agrumeve shpëtuan.

Jeta njëvjeçare e mollëkuqes

Mollëkuqja e vockël dhe e lezetshme e ka pjesën kurrizore të fryrë, rrumbullake ose vezake, kurse pjesën barkore të sheshtë. Megjithëse janë llupëse të mëdha, shumë lloje mollëkuqesh kanë një gjatësi më të vogël se 12 milimetra. Një çift krahësh të sipërm të fortë e që shkëlqejnë, mbulojnë dhe mbrojnë krahët e brishtë fluturues dhe i japin mollëkuqes ngjyrat e saj. Kur insekti fluturon, krahët e sipërm hapen dhe ngrihen lart. Ndonëse shpesh përshkruhen si të kuqe me pika të zeza, afro 5.000 llojet kanë një larmi ngjyrash dhe kombinime pikash. Disa janë portokalli ose të verdha me pika të zeza. Të tjera janë të zeza me pika të kuqe. Disa nuk kanë pika fare. Madje ka edhe nga ato që janë si fushë shahu ose me viza.

Shumë lloje jetojnë vetëm një vit. Gjatë dimrit mollëkuqet e rritura flenë në një vend të thatë e të mbrojtur. Ato zgjohen kur moti ngrohet dhe fluturojnë për të gjetur bimë të infektuara me morra. Pas çiftimit, femra shtron një grumbull vezësh të vockla e të verdha (djathtas) në pjesën e poshtme të gjetheve, pranë një vendi ku morrat e bimëve janë me bollëk. Nga çdo vezë del një larvë gjashtëkëmbëshe që më shumë duket si aligator i vogël e i egër (majtas), sesa si një mollëkuqe e ardhshme. Meqë larva e kalon kohën duke ngrënë morra bimësh, shpejt mbulesa që i vesh trupin i rri e vogël. Pasi e ndërron disa herë lëkurën, larva ngjitet te një bimë dhe prodhon një pupë ose fshikëz me të cilën mbështillet. Brenda pupës, larva vazhdon të rritet derisa më në fund del mollëkuqja e rritur. Në fillim ajo është e butë, me ngjyrë të zbehtë dhe qëndron te bima, ndërkohë që trupi nis t’i forcohet. Brenda një dite, shfaqen shenjat e saj dalluese.

Armiqtë mësojnë ta shmangin mollëkuqen shumëngjyrëshe. Kur është në rrezik, ajo lëshon nga artikulacionet një çurg lëngu të verdhë, me erë të keqe dhe shije të tmerrshme. Grabitqarët, si zogjtë ose merimangat, nuk e harrojnë kurrë takimin e parë e të pakëndshëm me mollëkuqen, dhe ngjyrat e ndezura të insektit ua kujtojnë gjithnjë.

Një mollëkuqe problematike

Një mollëkuqe që fillimisht përdorej për të luftuar insektet e dëmshme, tani po bëhet edhe vetë problematike. Mollëkuqja ngjyra-ngjyra, që quhet edhe mollëkuqja shumëngjyrëshe aziatike, shkon për bukuri me llojet e tjera të mollëkuqeve, në habitatin e saj në Azinë Verilindore. Meqë ka një oreks të jashtëzakonshëm për morrat e bimëve e për dëmtuesit e tjerë të bimëve, kohët fundit e çuan në Amerikën e Veriut dhe në Evropë. Mjerisht, ajo ka vënë në rrezik mollëkuqet vendëse, pasi ua ha të gjithë ushqimin. Për më tepër, kur mbaron ushqimi i saj i preferuar, dhe meqë nuk ka armiq natyrorë që ta parandalojnë shumimin e saj pa kriter, mollëkuqja e uritur nis të kollofitë mollëkuqet vendëse dhe insekte të tjera të dobishme. Entomologët e shohin të alarmuar të ardhmen, pasi parashikojnë zhdukjen e disa llojeve të mollëkuqeve. Gjithashtu, mollëkuqja shumëngjyrëshe bëhet e papëlqyeshme, pasi ushqehet me babëzi edhe me fruta të pjekura, që janë gati për t’u vjelë. Veç kësaj, një mizëri mollëkuqesh të tilla pushtojnë shtëpitë gjatë vjeshtës, për t’i shpëtuar të ftohtit të dimrit.

Lloje të tjera mollëkuqesh hanë të mbjellat e çmuara në vend që të hanë insektet e dëmshme. Megjithatë, lumturisht, shumica dërrmuese ia kënaqin zemrën kopshtarëve.

Mikpriteni mollëkuqen

Si mund t’i ftoni mollëkuqet në kopshtin tuaj? Bimët vendëse me lule janë një burim i pëlqyeshëm pjalmi dhe nektari. Edhe një ngastër me barëra të këqija dhe një pjatë e cekët me ujë do t’i bënte për vete. Nëse është e mundur, mos përdorni pesticide. Gjethet e thara që mbeten te bimët ose bien përtokë, do të krijonin një vend të rehatshëm për gjumin dimëror. Kujdes të mos shkelni ndonjë mollëkuqe a vezë që gjeni në kopsht. Mund të vritni brezninë e ardhshme të mollëkuqeve.

Mos harroni, edhe vetëm disa nga këto insekte të vogla të lezetshme do t’ju ndihmojnë t’i mbani insektet e dëmshme larg kopshtit tuaj pa përdorur pesticide. Nëse kujdeseni për mollëkuqet, ato do t’jua shpërblejnë. Mollëkuqet janë një shembull tjetër i mençurisë së Krijuesit tonë, siç tha edhe psalmisti: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»—Psalmi 104:24.

[Burimet e figurave në faqen 16]

Sipër: © Waldhäusl/​Schauhuber/​Naturfoto-Online; e dyta majtas: Scott Bauer/​Agricultural Research Service, USDA; në mes: Clemson University - USDA Cooperative Extension Slide Series, www.insectimages.org; vezë: Bradley Higbee, Paramount Farming, www.insectimages.org

[Burimet e figurave në faqen 17]

Majtas: Jerry A. Payne, USDA Agricultural Research Service, www.insectimages.org; e 2-ta nga e majta: Whitney Cranshaw, Colorado State University, www.insectimages.org; e 3-ta nga e majta: Louis Tedders, USDA Agricultural Research Service, www.insectimages.org; e 4-ta nga e majta: Russ Ottens, The University of Georgia, www.insectimages.org; mollëkuqe mbi gjethe: Scott Bauer/​Agricultural Research Service, USDA