Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Gjatë një periudhe 15-mujore, 82 fëmijë të sapolindur u gjetën të braktisur në rrugët e Meksikos. Prej këtyre, 27 u gjetën të vdekur​.—EL UNIVERSAL, MEKSIKË.

Nga studimi i shpellave në dy parqe kombëtare në Kaliforni, SHBA, janë zbuluar 27 lloje të reja kafshësh. «Kjo thjesht vërteton se sa pak e njohim botën që na rrethon»,—thotë Joel Despein, specialist në studimin e shpellave, pranë Shërbimit të Parqeve Kombëtare.​—SMITHSONIAN, SHBA.

Njëzet për qind e popullsisë së botës nuk ka ujë të pijshëm. Dyzet për qind nuk ka kushtet elementare higjienike.​—MILENIO, MEKSIKË.

Gjuetarët e paligjshëm vrasin 20.000 deri në 30.000 kafshë në vit vetëm në Parkun Kombëtar të Serengetit.​—THE DAILY NEWS, TANZANI.

Studimet e bëra në Barcelonë, Spanjë, zbulojnë se 1 në çdo 3 nxënës të moshës 16-vjeçare pi rregullisht kanabis.​—LA VANGUARDIA, SPANJË.

Mikrobe në zyrë

Mikrobiologët e Universitetit të Arizonës matën sasinë e baktereve nëpër zyra në disa qytete të SHBA-së. Gazeta Globe and Mail thotë se ata zbuluan që «pesë vendet me më shumë mikrobe ishin (sipas radhës) telefonat, tryezat e punës, rubinetat e ujit, dorezat e furrave me mikrovalë dhe tastierat e kompjuterëve». Sipas artikullit, «një tryezë pune ka mesatarisht 100 herë më shumë baktere se një tryezë kuzhine dhe 400 herë më shumë sesa ka mesatarisht rrethi i kapakut të wc-së».

«Të krishterë vetëm me fjalë»

Filipinet janë quajtur i vetmi vend «i krishterë» në Azi. Megjithatë, peshkopi Efraim Tendero i Këshillit të Kishave Evangjeliste të Filipineve, tha: «Shumica prej nesh janë të krishterë vetëm me fjalë, por jo me vepra.» Siç thuhej në Manila Bulletin, një pjesë të fajit e kanë krerët e kishave që nuk i ndihmojnë njerëzit «të njohin e të vlerësojnë atë që thotë Bibla». Thuhet se gjatë disa predikimeve në kishë, më shumë flitet për politikë sesa për Shkrimet.

Luftë mes njerëzve e kafshëve për ushqim dhe ujë

Në gazetën e Najrobit The East African thuhet: «Po bëhen të zakonshme lajmet që flasin për babuinë dhe hiena që sulmojnë zonat e banuara në Somalinë e goditur nga thatësira.» Gjatë një përleshjeje për ujë, u vranë disa babuinë dhe u plagosën disa blegtorë. Thuhet se grupe majmunësh zënë pritë në «kryqëzimet strategjike të rrugëve ose në ura» për të sulmuar kamionët që furnizojnë tregjet vendëse. «Është e zakonshme të shohësh kafshë që ia mbathin me tufa bananesh ose shalqinj [të mëdhenj]»,—shton gazeta.

Anijet ndikojnë te moti në bregdet

Gazeta gjermane Kölner Stadt-Anzeiger thotë se trafiku i dendur detar në kanalet e lundrueshme mund të ndikojë te moti në bregdet. Studiuesit në Institutin Meteorologjik «Maks Plank» në Hamburg, analizuan formimin e reve mbi ngushticën La Mansh. Ata zbuluan që në vendet bregdetare masa e reve ishte bërë më e rrallë, kurse mbi kanalet e lundrueshme më e dendur. Këtë dukuri e lidhin me tymin që nxjerrin anijet. Mendohet se grimcat e blozës që lëshojnë anijet, shërbejnë si bërthama kondensimi, duke nxitur formimin e piklave të ujit. Gazeta thoshte: «Në 50 vitet e fundit, konsumimi i karburantit nga anijet është shtuar më shumë se katërfish.»