Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’e ardhme e pret krishtërimin?

Ç’e ardhme e pret krishtërimin?

Ç’e ardhme e pret krishtërimin?

A DO të bëhet bota e krishterë apo krishterimi do të marrë fund? A ka mbetur i pastër krishterimi si një fanar ndriçues në një botë të errët apo është ndotur? Këto pyetje i bluajmë ende sot.

Duke përdorur një ilustrim të thjeshtë, Jezui tregoi se fill pasi ai të mbillte farat e krishterimit, do të ndërhynte një armik, Satanai. (Mateu 13:24, 25) Prandaj, ajo që e bëri krishterimin të transformohej gjatë shekujve të parë pas shërbimit të Jezuit, nuk ishte thjesht një dukuri shoqërore. Ishte veprimi keqdashës i armikut, Satanait. Sot, kishat e të ashtuquajturit krishterim po përsëritin gabimet e së kaluarës dhe po korrin pasojat.—2 Korintasve 11:14, 15; Jakovi 4:4.

Sulm tinëzar kundër krishtërimit

Jezui paratha se disa do t’i shtrembëronin mësimet e tij. Ai tha: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Kur njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku.» Çuditërisht, kur skllevërit i treguan këtij njeriu për veprimin e lig të armikut dhe i kërkuan leje të mblidhnin egjrat, ai u përgjigj: «Jo, se duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj që ta digjni, pastaj shkoni të mblidhni grurin e futeni në depon time.»—Mateu 13:24-30.

Siç e shpjegoi Jezui, njeriu që mbolli grurin në arë është vetë ai, dhe fara që mbolli, përfaqëson të krishterët e vërtetë. Armiku që mbolli egjër nëpër grurë është «Djalli». Egjrat janë apostatët që bëjnë paligjshmëri e që, duke mashtruar, thonë se janë shërbëtorë të Perëndisë. (Mateu 13:36-42) Apostulli Pavël dha hollësi të mëtejshme se çfarë do të ndodhte. Ai tha: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»—Veprat 20:29, 30.

Krishtërimi ndotet

A dolën të vërteta fjalët e Pavlit dhe ilustrimi i Jezuit? Sigurisht që po. Njerëz ambiciozë morën nën kontroll kongregacionin që kishte themeluar Jezui dhe e përdorën për interesat e tyre. Jezui u kishte thënë dishepujve të tij: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19) Megjithatë, njerëz të etur për pushtet bënë aleanca me sundimtarët dhe krijuan kisha të mbështetura nga shteti, që fitonin shumë pushtet e pasuri. Këto kisha mësonin «gjëra të shtrembëruara». Për shembull, u mësonin njerëzve të adhuronin shtetin dhe të sakrifikoheshin për të në luftë. Kështu, të ashtuquajturit të krishterë morën pjesë në kryqëzata dhe masakruan njerëz që sipas tyre ishin jobesimtarë. Gjithashtu, shkonin në luftë dhe vritnin «vëllezërit» e tyre të së njëjtës fe. Sigurisht që ata nuk ndiqnin asnjanësinë e krishterë dhe dashurinë për të afërmin.—Mateu 22:37-39; Gjoni 15:19; 2 Korintasve 10:3-5; 1 Gjonit 4:8, 11.

Është e qartë se kishat, që për shekuj me radhë e kanë quajtur veten të krishtere, janë një formë e rreme e krishterimit. Siç shqyrtuam dhe në artikujt e mëparshëm, kjo shpjegon përse po vërehet një prirje e vazhdueshme e kishave për t’u copëzuar në sekte, për t’u përfshirë në politikë dhe për të shpërfillur ligjet e Perëndisë. Këto fryte të këqija nuk i ka prodhuar krishterimi i vërtetë, por krishterimi i rremë që mbolli Djalli. Për ku është drejtuar kjo fe e rreme? Siç e tregoi Jezui në ilustrimin e tij, ajo nuk do të zhduket thjesht ngaqë nuk do të ketë më mbështetje. Ajo do të gjykohet dhe do të shkatërrohet.

Të krishterët e vërtetë shkëlqejnë në errësirë

Në ilustrimin e Jezuit tregohet që, para se të mblidhen e të shkatërrohen «egjrat» e krishterimit të rremë, duhet të ndodhë diçka tjetër. Për shekuj me radhë, «egjrat» e krishterimit të rremë u rritën kaq shumë, saqë «gruri» i krishterimit të vërtetë praktikisht nuk dallohej. Por Jezui tha se gruri do të ndahej nga egjrat gjatë ‘të korrave’, që përfaqësonin ‘përfundimin e një sistemi’. Gjithashtu tha: «Në atë kohë, të drejtët do të shkëlqejnë si dielli.» (Mateu 13:39-43) Provat tregojnë se që nga Lufta I Botërore, e cila u zhvillua më shumë se 90 vjet më parë, po jetojmë në përfundim të këtij sistemi. (Mateu 24:3, 7-12) A ka dalë e vërtetë edhe kjo pjesë e ilustrimit profetik të jezuit?

Të krishterët e vërtetë janë ndarë nga «egjrat» e të ashtuquajturit krishterim. Dëshmitarët e Jehovait po «shkëlqejnë si dielli», duke i ndihmuar të tjerët të njohin Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Dëshmitarët nuk i ulin normat e tij. Përkundrazi, njerëzit që bëhen Dëshmitarë, në përgjithësi duhet të bëjnë ndryshime të mëdha në jetë për t’iu bindur parimeve të krishtere që gjenden në Bibël.

Dëshmitarët e Jehovait nuk ofrojnë zbavitje në mbledhjet e tyre, por arsimim biblik falas. Gjithashtu japin dashuri dhe miqësi të përzemërt, cilësi që i mësojnë duke studiuar Shkrimet. Ata besojnë se Perëndia do ta kthejë tokën në parajsë dhe do të bëjë që në të të banojnë zemërbutët, siç kishte si qëllim që në fillim. Por së pari, bota duhet të pastrohet nga ndikimi i keq i fesë së rreme, që në Bibël njihet si Babilonia e Madhe. Sipas profecive biblike, Jehovai do ta sjellë së shpejti këtë ndryshim rrënjësor.—Mateu 5:5; Zbulesa 18:9-10, 21.

Pasi njerëzit e bindur të jenë çliruar nga praktikat mashtruese të fesë së rreme, adhurimi i vërtetë i krishterë do të bashkojë të gjithë ata që jetojnë në tokë. Ç’e ardhme e shkëlqyer për krishterimin e vërtetë që themeloi Jezui! Parajsa edenike do të rivendoset sërish në një tokë ku do të mbizotërojë paqja e ku nuk do të ketë më fe përçarëse që të prishin harmoninë mes njerëzve!

[Figura në faqen 7]

«Erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër.»​—Mateu 13:25

[Figurat në faqet 8, 9]

Me përzemërsi ju ftojmë në Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, ku jepet arsimim biblik falas

[Figura në faqen 9]

«Pastaj shkoni të mblidhni grurin e futeni në depon time.»—Mateu 13:30