Për ku janë drejtuar kishat?
Për ku janë drejtuar kishat?
Ç’PO ndodh me kishat «e krishtere»? A po e humbasin pushtetin apo po fuqizohen në vendin tuaj? Nga vende të tilla si, Afrika, Evropa Lindore dhe Shtetet e Bashkuara herë pas here mbase dëgjoni lajme që flasin për një rigjallërim të interesit fetar dhe për zgjerimin e bashkësive fetare. Megjithatë, lajmet që vijnë nga pjesë të tjera të botës, sidomos nga Evropa Perëndimore, flasin për kisha që mbyllen, për bashkësi fetare që zvogëlohen dhe për një indiferencë të përhapur ndaj fesë.
Për shkak të rënies së numrit të pjesëmarrësve, shumë kisha e kanë ndryshuar stilin e tyre. Disa e shpallin veten «liberale» dhe krijojnë idenë se Perëndia pranon çdo lloj sjelljeje. Në vend që t’u mësojnë njerëzve Fjalën e Perëndisë, kishat gjithnjë e më shumë po ofrojnë zbavitje, dëfrim dhe veprimtari të tjera tërheqëse që s’kanë lidhje me fenë. Ndonëse disa nga ata që shkojnë në kishë i shohin këto ndryshime si një përshtatje të nevojshme me realitetin e botës moderne, shumë njerëz të sinqertë pyesin veten nëse kishat po devijojnë nga misioni që dha Jezui. Le të shqyrtojmë prirjet që janë vënë re te kishat në dekadat e fundit.