Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’ia bëni kur bllokohet trafiku?

Si t’ia bëni kur bllokohet trafiku?

Si t’ia bëni kur bllokohet trafiku?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

IMAGJINONI sikur keni lënë takim me mjekun. Niseni nga shtëpia, duke menduar se keni kohë boll. Por ja që diçka ju shpëtoi pa llogaritur: bllokimi në trafik! Teksa minutat kalojnë dhe makina mezi bën përpara, ankthi sa vjen e shtohet. Më në fund, arrini te mjeku gjysmë ore me vonesë.

Një nga gjërat më stresuese në qytet është trafiku, sidomos kur vargu i makinave që s’kanë të mbaruar, bllokon rrugët dhe ndot ajrin. Mjerisht, nuk ka ndonjë shenjë se ky problem i përditshëm që hasin miliona qytetarë po shkon drejt zgjidhjes.

Instituti i Transportit në Teksas raportoi lidhur me Shtetet e Bashkuara: «Bllokimi i trafikut është bërë problem kudo në zonat urbane, të mëdha a të vogla qofshin.» Në raport shtohej se autoritetet nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhjet për t’iu përgjigjur siç duhet kërkesave në rritje të udhëtarëve. Gjendja është e ngjashme në mbarë botën. Kohët e fundit në Kinë, disa mijëra shoferë u bllokuan në një varg automjetesh 100 km të gjatë. Për të zhbllokuar trafikun, policëve iu deshën disa ditë. Në Meksiko të duhen më shumë se katër orë për të përshkuar me makinë vetëm 20 km duke i rënë nga qendra e qytetit. Të njëjtën rrugë, një këmbësor do ta bënte më shpejt.

Nuk është e vështirë të kuptosh përse bllokohen rrugët në qytete. Qytetet po rriten me të shpejtë, dhe sot gati gjysma e popullsisë së botës jeton në zonat urbane. Rriten qytetet, por rritet edhe numri i automjeteve. Autori i një artikulli e shpjegoi kështu: «Kur ka shumë njerëz, ka edhe shumë makina, dhe të gjithë duan t’i ngasin ato brenda së njëjtës sipërfaqe të kufizuar.»

Pse është e vështirë të zgjidhen problemet e trafikut?

Meqë njerëzit s’bëjnë dot pa makinat, qyteteve u duhet të përballojnë numrin e automjeteve që shtohen. Qyteti i Los Anxhelosit në Shtetet e Bashkuara, me një popullsi rreth katër milionë banorë, tani ka më shumë makina se njerëz. Ndoshta qytete të tjera nuk kanë arritur deri këtu, por gjithsesi, pak prej tyre janë në gjendje të përballojnë fluksin në rritje të makinave. «Qytetet nuk janë krijuar për automjetet»,—thotë Karlos Gusmani, president i Komisionit Urbanistik të Madridit. Ato që vuajnë më tepër janë qytetet e vjetra me rrugë të ngushta, por edhe në metropolet moderne, rrugët e gjera bllokohen shpejt, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje kur është kulmi i trafikut. «Tani, në qytetet e mëdha, trafiku është i bllokuar pjesën më të madhe të ditës, dhe ky problem po bëhet gjithnjë e më i rëndë»,—thotë dr. Zhan-Pol Rodrigu në artikullin e tij «Problemet e transportit urban» (anglisht).

Meqë projektet e qeverive për ndërtimin e rrugëve kryesore nuk ecin me të njëjtin ritëm me shitjen e makinave, edhe sistemet më të mira rrugore nuk e përballojnë dot rritjen e shpejtë të numrit të makinave. «Si përfundim,—shpjegon libri Kur bllokohesh në trafik: Çfarë të bësh në kulmin e trafikut? (anglisht),—ndërtimi i rrugëve të reja ose zgjerimi i atyre ekzistuese nuk e lehtëson fare trafikun gjatë orëve të kulmit të qarkullimit.»

Edhe mungesa e vendeve të mjaftueshme për parkim çon në bllokimin e trafikut. Çdo çast, një numër i konsiderueshëm makinash qarkullojnë në rrugët e qyteteve thjesht për të gjetur një vend parkimi. Në bazë të llogaritjeve, ndotja e ajrit si pasojë e trafikut, kryesisht në qytete, shkakton vdekjen e rreth 400.000 vetave çdo vit. Sipas një raporti, ndotja e ajrit në Milano të Italisë, është kaq e madhe, saqë të rrish një ditë në ajrin e këtij qyteti, është njësoj si të pish 15 cigare.

Në koston e bllokimit të trafikut duhen llogaritur edhe orët e çuara dëm dhe stresi i shoferëve. Dëmi emocional është i vështirë të përcaktohet, por gjatë një studimi në Shtetet e Bashkuara, u llogarit se kostoja ekonomike e bllokimit të trafikut në 75 qytetet më të mëdha të vendit ishte rreth 70 miliardë dollarë në vit. A mund të bëhet diçka për të përmirësuar gjendjen?

Disa mënyra për të lehtësuar ngarkesën

Disa qytete tashmë kanë marrë masa të prera. Singapori, një ndër vendet që kanë përqendrimin më të madh të makinave në botë, e ka kufizuar numrin e makinave që mund të blejnë njerëzit. Në disa qytete historike, duke përfshirë edhe disa qytete në Itali, është ndaluar plotësisht qarkullimi i automjeteve në qendër të qytetit për pjesën më të madhe të ditës.

Një zgjidhje që kanë propozuar qytete të tjera është «taksa e bllokim-qarkullimit», ku shoferët duhet të paguajnë për të hyrë në qendër të qytetit. Në Londër, nga ky plan, vonesat e trafikut janë zvogëluar me 30 për qind, dhe qytete të tjera mezi presin të bëjnë të njëjtën gjë. Në qytete si, Meksikoja në Meksikë, makinat lejohen të kalojnë në qendër vetëm në ditë të caktuara, në bazë të numrit të targës.

Gjithashtu, autoritetet e qyteteve kanë investuar shuma të mëdha për të përmirësuar transportin publik, rrugët kryesore si dhe për të ndërtuar unaza rreth qyteteve. Janë vënë në përdorim edhe sisteme të kompjuterizuara për të kontrolluar semaforët dhe për të lajmëruar policët të ndërhyjnë shpejt kur trafiku bllokohet nga ndonjë aksident. Edhe korsitë e rezervuara për autobusët, si dhe korsitë që ndryshojnë drejtimin sipas nevojave të trafikut, e lehtësojnë qarkullimin. Gjithsesi, suksesi varet shumë nga bashkëpunimi i qytetarëve.

Çfarë mund të bëni ju vetë?

Jezu Krishti tha se «gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta». (Mateu 7:12) Kjo këshillë e mençur mund të ndihmojë për lehtësimin e disa prej problemeve më të rënda të trafikut. Nga ana tjetër, nëse çdokush mendon vetëm për rehatinë e vet, edhe projektet më të mira mund të dështojnë. Më poshtë keni disa sugjerime që do t’ju ndihmojnë t’i përballoni më mirë bllokimet e trafikut në qytetin tuaj.

Kur keni rrugë të shkurtra, më mirë bëjini në këmbë ose me biçikletë. Në shumë raste, këto janë mënyrat më të shpejta, më të lehta dhe më të shëndetshme. Kur keni rrugë më të gjata, zgjidhja më e mirë mund të jetë transporti publik. Shumë qytete po përpiqen të përmirësojnë shërbimin me autobus, metro dhe tramvaj, që t’i nxitin njerëzit t’i lënë në shtëpi makinat. Me këto shërbime kurseni edhe paratë. Ndonëse mund t’ju duhet që një pjesë të rrugës ta bëni me makinën tuaj, për të vajtur në qendër mund të shfrytëzoni transportin publik.

Nëse duhet të shkoni me makinë, mendojeni si variant që të bëheni një grup e të përdorni vetëm një automjet. Kjo është një nga mënyrat më të efektshme për të lehtësuar qarkullimin në orët e kulmit të trafikut. Në Shtetet e Bashkuara, 88 për qind e atyre që udhëtojnë çdo ditë për në punë, përdorin automjete, dhe rreth dy të tretat e tyre udhëtojnë vetëm. Në librin Kur bllokohesh në trafik thuhet se të bindësh një numër të konsiderueshëm njerëzish që të udhëtojnë së bashku për në punë, «mund të pakësojë ndjeshëm vonesat dhe bllokimin e qarkullimit gjatë kulmit të trafikut». Për më tepër, në shumë vende, korsitë e shpejtësisë janë caktuar për makinat që kanë të paktën dy veta brenda. Makinat që kanë vetëm shoferin nuk lejohet t’i përdorin këto korsi.

Nëse e keni disi në dorë se kur të udhëtoni, përpiquni të shmangni kohën e kulmit të trafikut. Kjo do t’jua lehtësojë punën edhe juve, edhe shoferëve të tjerë. Nëse parkoni siç duhet, makina juaj nuk do të pengojë qarkullimin. Sigurisht, sado mirë t’i planifikoni gjërat, kjo nuk ju garanton se nuk do të ngecni në trafik. Në këto raste, qëndrimi i duhur ndikon shumë në pakësimin e stresit.—Shih kutinë shoqëruese.

Është e qartë, po të jetoni në një qytet të madh, do t’ju duhet të mësoheni me bllokimin e trafikut. Megjithatë, nëse personalisht merrni masa të ndërgjegjshme dhe tregoni mirësjellje e durim me shoferët e tjerë, mund të mësoni t’ia dilni mbanë kur bllokoheni në trafik.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Si të ruani qetësinë në rrëmujën e trafikut?

Hajmei, një shofer taksie në Madrid, Spanjë, ka 30 vjet që përballet me problemet e trafikut. Ja si e ruan ai qetësinë në situata të tensionuara:

▪ Marr me vete diçka për të lexuar. Kështu, nëse trafiku bllokohet, nuk mërzitem dhe aq.

▪ Kur trafiku është shumë i ngadaltë, dëgjoj lajmet në radio ose ndonjë pjesë biblike të incizuar. Në këtë mënyrë, nuk e mbaj mendjen te trafiku.

▪ Si rregull, nuk i bie kurrë borisë, sepse kështu vetëm sa do të shqetësoj të tjerët dhe nuk do të fitoj gjë. Duke treguar mirësjellje me shoferët e tjerë, nuk stresohem dhe i ndihmoj të tjerët të bëjnë njësoj.

▪ Përpiqem të ruaj qetësinë kur has me shoferë kokëkrisur dhe u rri larg. S’ka si durimi.

▪ Ndonëse përpiqem të gjej ndonjë rrugë për të mos ngecur në trafik, ua bëj të ditur pasagjerëve se ndonjëherë, për shkak të trafikut të rënduar, do të arrijnë ca me vonesë. Nuk mund të jesh gjithnjë i përpiktë kur duhet të qarkullosh me makinë nëpër qytet.