Svalbardi—Vendi i brigjeve të ftohta
Svalbardi—Vendi i brigjeve të ftohta
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NORVEGJI
PO FLUTUROJMË në mes të një shtrese resh të dendura dhe nuk shohim asgjë. Papritur avioni del nga retë dhe poshtë nesh shfaqet peizazhi i bardhë i Arktikut. Pamja është e mrekullueshme. Të magjepsur ia ngulim sytë akullnajave, fjordeve të kaltra dhe maleve të mbuluara me borë. Djerrinat me dëborë dhe akull shtrihen tutje në horizont. Ky është Svalbardi, një arkipelag afër Polit të Veriut, që gjendet në gjerësitë gjeografike veriore nga 74 deri në 81 gradë. Ja ku erdhëm për ta parë.
Emri Svalbard, që do të thotë «bregu i ftohtë», doli për herë të parë në kronikën historike të Islandës në vitin 1194. Por vetëm «zbulimi» i këtij vendi 400 vjet më vonë, më 1596, bëri që emri Svalbard të përfshihej në hartë. Atë vit, një grup eksploruesish holandezë, të drejtuar nga Vilem Barenci, po lundronin në drejtim të veriut. Roja i anijes dalloi në horizont një tokë të panjohur, një vargmal dhëmbë-dhëmbë. Këta eksplorues kishin arritur në pjesën veriperëndimore të Svalbardit, të cilin Barenci e quajti «Shpicbergen», që do të thotë «male me maja». Pikërisht këtë emër mban sot ishulli më i madh i arkipelagut. Zbulimi i Barencit hapi rrugën për një epokë aktivitetesh të vrullshme në zonën e Svalbardit. Ndër to janë gjuetia e balenave, gjuetia e fokave dhe e kafshëve të tjera, eksplorimi dhe më vonë, minierat e qymyrgurit, studimet shkencore dhe turizmi. Në rrjedhën e viteve, në këto aktivitete janë përfshirë disa vende, por që nga viti 1925 arkipelagu ka qenë nën sundimin e Norvegjisë.
Akulli i përhershëm dhe agimet polare të veriut
Avioni ynë kalon mbi Fjordin e Akullt dhe ulet në Aeroportin e Svalbardit. Hipim në një makinë me qira dhe udhëtojmë për në Longiërbyen, që e ka marrë emrin nga industrialisti amerikan i minierave Xhon M. Longiëri, i cili në vitin 1906 vuri në shfrytëzim minierat e para të qymyrgurit në këtë zonë. Longiërbyeni ka popullsinë më të madhe në Svalbard, afro 2.000 banorë. Po, në mes të këtyre hapësirave të gjera ku natyra është thuajse e paprekur, gjejmë një qytet
modern me gjëra kaq të zakonshme, si: një supermarket, një postë, një bankë, një bibliotekë, shkolla, kopshte, hotele, lokale, restorante, një spital dhe një gazetë lokale. Ndër qytetet e madhësisë së tij, Longiërbyeni është në skajin më verior të botës. Ai ndodhet në mbi 78 gradë gjerësi gjeografike veriore.Strehohemi në një bujtinë që dikur ishte një nga banesat e minatorëve të qymyrgurit. Prej këtej Longiërbyenin e sheh në pëllëmbë të dorës dhe mund të kundrosh pamjen e malit madhështor të Jortfjeletit. Është tetor dhe malet janë veshur me dëborë. Dëbora nuk ka zbritur ende rrëzë luginës, gjithsesi toka atje ka ngrirë. Në këtë vend, akulli nuk shkrin kurrë. Vetëm dheu në sipërfaqe shkrin për pak kohë gjatë verës. Megjithatë, për shkak të erërave të favorshme dhe rrymave oqeanike, klima këtu është më e butë se në zonat e tjera të së njëjtës gjerësi gjeografike. Këtu ku jemi mund të shohim dritën e diellit që shkëlqen në male, ndërsa luginën e mbështjell një tis i kaltër. Nga 26 tetori deri më 16 shkurt dielli nuk ngrihet në horizont në mbarë Longiërbyenin. Megjithatë, agimet polare shpesh ndriçojnë errësirën e dimrit. Nga ana tjetër, në pranverë dhe në verë Svalbardi e shijon diellin edhe në mesnatë. Në Longiërbyen kjo periudhë zgjat nga 20 prilli deri më 23 gusht.
Bimët dhe kafshët
Është minus 8 gradë celsius dhe fryn thëllimi, por qielli është i pastër. Jemi gati për ekskursion. Udhërrëfyesi na prin që të ngjitemi në malin Sorkufogen dhe pastaj të zbresim në akullnajën e Longiërbyenit. Teksa ngjitemi në kodrat e ngrira, ai na tregon se në pranverë dhe në verë këtu çelin lloj-lloj lulesh të bukura. Dhe vërtet, çuditërisht Svalbardi ka bimësi të pasur pasi këtu rriten rreth 170 lloje bimësh që lulëzojnë. Dy lule tipike janë lulëkuqja e bardhë ose e verdhë e Svalbardit dhe gurshpuesja e purpurt me aromë të këndshme.
Pak më sipër në shpatin me dëborë, shohim ca gjurmë të thëllëzës së bardhë të Svalbardit, i vetmi zog që qëndron këtu gjithë vitin. Të gjithë të tjerët, si disa zogj të familjes së pinguinëve, pinguinët e vegjël, lloje të ndryshme pulëbardhash dhe gjelëzat me ngjyrë të purpurt, janë shpendë shtegtarë. Veçanërisht interesante është dallëndyshja polare e detit. Shumë nga këto dallëndyshe shtegtojnë në skajin tjetër të botës dhe bëjnë gjithë atë rrugë gjer në Antarktidë.
Gjithashtu shohim gjurmë të dhelprës polare. Kjo kafshë dinake ushqehet me kërma dhe me çka mbetet nga ajo që vrasin arinjtë polarë. Sidoqoftë ajo e pasuron menunë e saj me zogj të njomë dhe me vezë. Dhelpra është një nga dy gjitarët vendës të Svalbardit, që jetojnë vetëm në tokë. Tjetri është dreri polar i Svalbardit, një kafshë e afrueshme. Atë e shohim disa herë nga afër gjatë qëndrimit tonë në Svalbard. Dreri polar na sheh i qetë dhe na lejon t’i shkojmë fare pranë për ta nxjerrë fotografi para se të ikë. Ky dre ka këmbë të shkurtra, gëzof të dendur dhe të ngrohtë, e tani në vjeshtë është goxha topolak. Shtresa e dhjamit është rezerva e tij ushqimore, që i duhet për dimrin e ftohtë.
Shumë veta thonë se ariu polar, mbreti i Arktikut, është gjitar deti, pasi shumicën e kohës e kalon në akullin e deteve ku gjuan për foka. Por, thuajse në çdo cep të Svalbardit mund të shohësh arinj që enden të vetmuar. Udhërrëfyesi shpreson që ne të mos e ndeshim një të tillë. Ariu polar mund të jetë shumë agresiv, kështu që udhërrëfyesi ynë, për siguri, mban me vete një pushkë. Që nga viti 1973, në Norvegji është ndaluar rreptësisht gjuetia e arinjve polarë dhe, nëse ndonjë ari polar gjendet i vrarë, bëhen hetime. Ndonëse në territorin e Svalbardit popullata e arinjve polarë tani është e madhe, ekziston një shqetësim serioz për të ardhmen e kësaj kafshe madhështore. Arktiku mund të duket i bardhë, i freskët dhe i pastër, por lëndë helmuese, të tilla, si dyfenili i poliklorinuar, e kanë ndotur mjedisin. Ndotësit grumbullohen tek arinjtë polarë, pasi ata janë në krye të zinxhirit ushqimor dhe me sa duket, këto helme e dëmtojnë aftësinë e tyre riprodhuese.
Ja tek mbërritëm në majën e malit Sorkufogen, dhe si shpërblim për mundimin, para nesh shpaloset pamja magjepsëse e shumë majave të bardha që ngrihen tutje në horizont. Në jugperëndim, kredhur në rrezet e diellit, ngrihet hijerëndë mali i rrumbullakët i Nurdensholdfjeletit.
Tutje poshtë nesh është Longiërbyeni, kurse mbi kokat tona është qielli kaltërosh i Arktikut. Na duket vetja tamam sikur jemi në majë të globit. Hamë ca feta buke dhe pimë një filxhan me «ponç» ribese të zezë, një pije që zakonisht e përdorin ekskursionistët dhe që bëhet me lëng ribese të zezë, sheqer dhe ujë të nxehtë. Na përtërihen forcat dhe ja tek jemi, gati për zbritje. Do t’i biem nga akullnaja e Longiërbyenit.Minierat e qymyrgurit dhe kafshë në rrezik
Një përvojë tjetër interesante është vizita në një minierë të vjetër qymyrguri. Udhërrëfyesi ynë muskuloz është minator veteran. Ai na tregon Minierën 3, në të dalë të Longiërbyenit. Të veshur me kominoshe dhe kaska të pajisura me llamba, futemi bashkë me të në zemër në malit. Mësojmë se që në fillim të viteve 1900, nxjerrja e qymyrgurit u bë themeli mbi të cilin nisi jeta dhe aktiviteti në Svalbard. Për shumë vjet, minatorët patën një jetë mjaft të mundimshme. Shpesh zvarriteshin këmbadoras nëpër galeritë ose tunelet e gjata në shtresat horizontale të qymyrgurit që në disa vende arrinin vetëm pak më shumë se 70 cm lartësi. Provojmë një herë të zvarritemi si minatorët dhe me thënë të drejtën nuk i kemi aspak zili. Puna e tyre ishte e rëndë dhe ajri ishte plot pluhur qymyri e shkëmbinjsh. Nëpër tunele kishte shumë zhurmë, kishte gjithnjë rrezik shpërthimi dhe shembjeje. Sot përdoren metoda më moderne. Nxjerrja e qymyrgurit është ende pjesë e rëndësishme e ekonomisë së Svalbardit, por dekadat e fundit turizmi sa vjen e bëhet më i rëndësishëm.
Njerëzit nuk e kanë mbajtur gjithnjë parasysh brishtësinë e natyrës së Arktikut. Ndonjëherë në Svalbard, për shkak të gjuetisë, disa lloje balenash, lopësh deti, drerësh polarë, arinjsh polarë dhe kafshësh të tjera, kanë rrezikuar të zhduken. Megjithatë, rregullat për mbrojtjen e natyrës kanë ndihmuar që disa lloje kafshësh të rrezikuara, të rimëkëmben.
Parajsë për gjeologët
Svalbardi është përshkruar si një «parajsë për gjeologët». Meqë bimësia është shumë e rrallë, peizazhi është si një libër gjeologjik me figura. Dallojmë ndërtimin gjeologjik të maleve, që formohet nga shtresa të cilat ndahen qartë nga njëra-tjetra dhe duken si shtresat e një keku të stërmadh. Këtu gjenden shkëmbinj nga të gjitha epokat e historisë së tokës. Disa u krijuan nga rëra dhe argjila, kurse të tjera nga materiale organike. Gjatë shekujve, argjila mbuloi shumë bimë të thara dhe kafshë të ngordhura, që u ruajtën si fosile. Në fakt, nëpër shkëmbinj gjen fosile nga të gjitha periudhat gjeologjike.
Në muzeun e Svalbardit, studiojmë disa fosile të bimëve dhe kafshëve nxehtësidashëse që tregojnë se dikur klima e arkipelagut ishte shumë më e ngrohtë se sot. Në disa vende në Svalbard, trashësia e shtresave të qymyrgurit është nja 5 metra. Në shtresat e qymyrgurit janë gjetur mbetje fosile si të drurëve halorë, edhe të atyre gjetherënës. Edhe gjurmët fosile të një dinosauri barngrënës provojnë se dikur ky vend kishte klimë më të butë dhe bimësi më të pasur.
Si mund të shpjegohen këto ndryshime të mëdha klimatike? Për këtë pyesim gjeologun Turfin Sharneti, përfaqësues i Drejtorisë së Minierave në Longiërbyen. Ai na tregon se shumica e gjeologëve mendojnë se arsyeja kryesore është zhvendosja e pllakave kontinentale. Gjeologët thonë se Svalbardi gjendet mbi një pllakë tektonike që për shumë kohë ka lëvizur drejt veriut. Ka të ngjarë që ajo të ketë qenë shumë më në jug, ndoshta afër ekuatorit. Sipas vrojtimeve me satelitë modernë, çdo vit Svalbardi ende zhvendoset disa centimetra drejt verilindjes.
Ndërkohë që avioni ynë largohet nga Svalbardi, e kuptojmë se kemi shumë gjëra për të menduar nga kjo vizitë. Hapësira e paanë e Arktikut, kafshët që përshtaten mirë me mjedisin dhe gjithë ajo shumëllojshmëri bimësh, na bëjnë të meditojmë për larminë e krijimit, të kuptojmë sa i vogël është njeriu dhe të mendojmë se si e kanë përmbushur njerëzit përgjegjësinë që kanë për t’u kujdesur për natyrën. Teksa fluturojmë drejt jugut, për herë të fundit, i hedhim sytë nga vendi i brigjeve të ftohta, atje ku disa maja malesh veshur me dëborë e të përskuqura nga dielli i pasdites çajnë shtresën e reve.
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Poli i Veriut
GRËNLANDË
SVALBARD
Longiërbyen
75°V
ISLANDË
NORVEGJI
60°V
RUSI
[Figura në faqen 25]
Qyteti i Longiërbyenit
[Figura në faqen 25]
Shumë bimë që çelin, si gurshpuesja e purpurt, mbijetojnë në klimën e ashpër të Arktikut
[Burimi]
Knut Erik Weman
[Figurat në faqen 26]
Thëllëza e bardhë e Svalbardit dhe dreri polar i Svalbardit
[Burimi]
Knut Erik Weman