Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Takim i papritur

Takim i papritur

Takim i papritur

SI UNË edhe shokët e mi mezi pritnim të vizitonim ishullin havajan të Mauit. Sidomos kishim qejf të shihnim lindjen e diellit nga maja e vullkanit të Haleakalës, i cili ka lartësinë 3.055 metra. Na kishin thënë se ishte e paparë. E vetmja gjë që na e prishte ishte se duhej të ngriheshim në dy të natës, që të niseshim nga Kapaluaja, ku po rrinim dhe të udhëtonim me makinë përmes ishullit. Pas kësaj na priste malorja e vështirë me makinë. Ngaqë u nisëm në pikë të natës, thamë se do të ishim të vetmit. Por e kishim gabim! Ne iu shtuam vargut të makinave që ecnin ngadalë në rrugën me kthesa për t’u ngjitur në majë. Kur arritëm në majë, bënte goxha ftohtë. Megjithatë, për t’u ngrohur kishim marrë me vete batanije

Qindra njerëz pritnin me durim lindjen e diellit rreth orës gjashtë. Kudo mbizotëronte një atmosferë pritjeje dhe kamerat ishin gati për të fiksuar këtë pamje magjepsëse. Por, ç’e do, tamam në çastin kritik, u mërzitëm shumë kur pamë një grumbull të madh resh që po i afroheshin kraterit. S’patëm shans t’i bënim fotografitë tona historike. Gjithsesi në malet afër Paqësorit, ekziston gjithnjë rreziku i reve. Kështu, deshëm s’deshëm, e gëlltitëm zhgënjimin dhe pritëm që dalëngadalë retë të davariteshin nga nxehtësia e diellit që po agonte. Pa prit pak! Çfarë surprize! Para nesh u shpalos panorama e kraterit të thikët që përshkohej kryq e tërthor nga shtigje për t’u ngjitur. Nuk na shkoi kot gjithçka.

Befas dëgjuam një zhurmë të çuditshme, një varg kakarisjesh të shkëputura që përfundonin me «çukar-çukar». Pamë se nga vinin. Ishte çukari, një zog i bukur euro-aziatik i familjes së thëllëzave, emri i të cilit në latinisht është Alectoris chukar. Çukari e kalon pjesën më të madhe të sezonit të shumimit në tokë, ku ka folenë. Ai nuk u përpoq të fluturonte, por ia mbathi.

Si u gjend në ishullin parajsor të Mauit ky zog? Me sa duket, çukarët i kanë sjellë këtu nga ndonjë vend tjetër. Në kontinentin e Amerikës së Veriut, ata i rritin dhe i lëshojnë në natyrë që të shërbejnë si gjah. Kështu pra, u kënaqëm që të paktën mundëm të shihnim nga afër këtë zog të ndrojtur.—Nga një bashkëpunëtor.