Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

Kush është Satanai? A ekziston vërtet?

Kush është Satanai? A ekziston vërtet?

DISA studiues të kohëve tona thonë se në të vërtetë Satanai nuk ekziston. Ata pretendojnë se ai është thjesht pjellë e imagjinatës njerëzore. Por ky debat nuk lindi sot. Sharl-Pjer Bodleri, poet i shekullit të 19-të, shkroi: «Mashtrimi më i madh i Djallit, është të na bindë se ai nuk ekziston.»

A ekziston vërtet Satanai? Nëse po, nga ka ardhur? A është ai dora e padukshme që shkakton problemet që kanë pllakosur botën? Si mund të mbroheni nga ndikimi i tij i lig?

A është Satanai dora e padukshme që shkakton problemet që kanë pllakosur botën?

Çfarë thotë Bibla?

Bibla e përshkruan Satanain si një person real që ekziston në botën e padukshme të krijesave frymore. (Jobi 1:6) Ajo na tregon për personalitetin e tij të egër e të pamëshirshëm, si edhe për veprat e tij të liga. (Jobi 1:13-19; 2:7, 8; 2 Timoteut 2:26) Madje në Bibël tregohen edhe bisedat që bëri Satanai me Perëndinë dhe me Jezuin.​—Jobi 1:7-12; Mateu 4:1-11.

Nga erdhi kjo qenie kaq e ligë? Shumë kohë para se të krijonte njeriun, Perëndia krijoi Birin e tij ‘të parëlindur’, që më vonë u njoh me emrin Jezu. (Kolosianëve 1:15) Me kalimin e kohës, u krijuan edhe të tjerë ‘bij të Perëndisë’, të quajtur engjëj. (Jobi 38:4-7) Të gjithë ishin të përsosur dhe të drejtë. Megjithatë, njëri prej tyre më vonë u bë Satana.

Satana nuk është emri që iu vu atij kur u krijua. Ky është një emër përshkrues që do të thotë «Kundërshtar; Armik; Akuzues». Ai u quajt Satana, sepse rruga që zgjodhi ishte në kundërshtim me Perëndinë.

Brenda kësaj krijese frymore lindën dhe u rritën ndjenjat e krenarisë dhe të rivalitetit ndaj Perëndisë. Ai donte që të tjerët ta adhuronin. Madje, kur Biri i parëlindur i Perëndisë, Jezui, ishte në tokë, Satanai u orvat ta bindte që ‘t’i bënte një akt adhurimi’.​—Mateu 4:9.

Satanai «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». (Gjoni 8:44) Ai la të nënkuptohej se Perëndia ishte gënjeshtar, kur në të vërtetë, gënjeshtari ishte ai vetë. Ai i tha Evës se ajo mund të bëhej si Perëndi, por në të vërtetë, ai donte të ishte si Perëndi. Nëpërmjet metodave të tij mashtruese, Satanai arriti ta realizonte këtë dëshirë egoiste. Për Evën ai u bë më i lartë se Perëndia. Duke iu bindur Satanait, Eva e pranoi atë si perëndinë e saj.​—Zanafilla 3:1-7.

Duke nxitur rebelimin, ky engjëll, që dikur ishte besnik, u bë Satana, pra një kundërshtar dhe armik i Perëndisë e i njerëzve. Ky i lig u quajt edhe «Djall», që do të thotë «Shpifës». Ky nismëtar i mëkatit, më vonë ndikoi edhe tek engjëjt e tjerë që ata të mos i bindeshin Perëndisë dhe të bashkoheshin me të në rebelim. (Zanafilla 6:1, 2; 1 Pjetrit 3:19, 20) Këta engjëj nuk e përmirësuan gjendjen e njerëzimit. Ngaqë ndoqën rrugën egoiste të Satanait, «toka . . . u mbush me dhunë».​—Zanafilla 6:11; Mateu 12:24.

Sa i fortë është ndikimi i Satanait?

Një kriminel mund t’i fshijë shenjat e gishtërinjve nga vendi i krimit për të mos lënë gjurmë. Gjithsesi, kur vjen policia, e kuptojnë se meqë është kryer një krim, duhet të ekzistojë edhe një kriminel. Satanai, ‘vrasësi’ i parë, përpiqet të mos lërë gjurmë që do të zbulonin identitetin e tij. (Gjoni 8:44; Hebrenjve 2:14) Kur foli me Evën, Satanai e fshehu identitetin e tij duke përdorur një gjarpër. Edhe sot ai përpiqet të fshihet. Ai ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve’ me qëllim që t’ua fshehë se deri ku arrin ndikimi i tij i fortë.​—2 Korintasve 4:4.

Megjithatë, Jezui e identifikoi Satanain si kryekriminelin që ka sjellë gjithë këtë botë të korruptuar ku jetojmë. Ai e quajti Satanain ‘sundimtar të kësaj bote’. (Gjoni 12:31; 16:11) Apostulli Gjon shkroi: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Satanai përdor me sukses ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’ për të ‘mashtruar gjithë tokën e banuar’. (1 Gjonit 2:16; Zbulesa 12:9) Pikërisht atij i bindet njerëzimi në përgjithësi.

Siç ndodhi në rastin e Evës, ata që i binden Satanait, e bëjnë atë perëndinë e tyre. Prandaj Satanai është «perëndia i kësaj bote». (2 Korintasve 4:4) Pasojat e sundimit të tij përfshijnë hipokrizinë dhe gënjeshtrat; luftërat, torturat dhe shkatërrimet; krimet, lakminë dhe korrupsionin.

Si të mbroheni nga ndikimi i tij?

Bibla paralajmëron: «Ruani gjykimin, jini syçelë.» Pse? Sepse «kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Ndonëse ky shkrim të fut në mendime, qetësohemi kur mësojmë se Satanai ‘do t’ua hedhë’ vetëm atyre që nuk ruajnë gjykimin, atyre që nuk janë syçelë.​—2 Korintasve 2:11.

Është jetësore të pranojmë faktin se Satanai ekziston vërtet dhe të lejojmë Perëndinë ‘të na bëjë të patundur’ e ‘të na bëjë të fortë’. Në këtë mënyrë mund ‘t’i kundërvihemi [Satanait]’ dhe të marrim anën e Perëndisë.​—1 Pjetrit 5:9, 10.