Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ariu» i ujit​—Thuajse i pamposhtshëm

«Ariu» i ujit​—Thuajse i pamposhtshëm

«Ariu» i ujit​—Thuajse i pamposhtshëm

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

▪ PO TË kërkoni thuajse në çdo vend të lagësht a me ujë përreth botës, si në vende me myshk, në akull, në shtratin e lumenjve, në burime termale, në liqene, në oqeane e ndoshta edhe në oborrin tuaj, papritur mund të ndeshni një «ari» uji, një nga krijesat e vogla më rezistente në të gjithë krijimin. «Ariu» i ujit është kaq i vockël, saqë mezi shihet. Ai ka një trup të shkurtër, të ndarë në katër segmente e të mbuluar me një lëkurë mbrojtëse. Ka tetë këmbë që përfundojnë secila me nga një çift kanxhash. Forma dhe ecja e tij ngjajnë me ato të arinjve, prandaj edhe quhet kështu.

«Arinjtë» e ujit i përkasin rendit Tardigrada, që do të thotë «ecin ngadalë». Njihen me qindra lloje. Femrat shtrojnë nga 1 deri në 30 vezë njëherësh. Dhjetëra mijë krijesa të tilla të vockla, mund të gjenden në disa grushta rërë ose dhé të njomë. Ata mund t’i gjesh sidomos në myshkun mbi çati.

«Arinjtë» e ujit mund të mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme. Në Encyclopædia Britannica thuhet: «Disa ekzemplarë i mbajtën tetë ditë në zbrazëti, pastaj i lanë tri ditë në helium në temperaturën e dhomës, më pas disa orë në temperaturën –272°C (-458°F), e megjithatë ishin akoma gjallë kur i çuan në një vend me temperaturë mesatare.» Gjithashtu, ata mund t’i rezistojnë rrezatimit me rreze rëntgen qindra herë më të madh se rrezatimi që do të vriste një njeri. E të paktën teorikisht, mund të mbijetojnë edhe në zbrazëtinë e kozmosit për njëfarë kohe.

I gjithë sekreti qëndron tek aftësia e tyre për të kaluar në një gjendje gati të vdekur. Në këto raste, metabolizmi i tyre ngadalësohet dhe arrin më pak se 0,01 për qind të normales, pra thuajse i padiktueshëm. Për të kaluar në këtë gjendje, ata i futin këmbët brenda në trup, e zëvendësojnë ujin që humbin me një sheqer të veçantë, dhe përdridhen brenda një topthi të veshur me dyllë, i cili quhet tun. Kur krijohen prapë kushtet normale të lagështirës, ata kthehen në aktivitet brenda pak minutash ose orësh. Një herë, disa «arinj» uji e morën prapë veten, edhe pse veprimtaria e tyre jetësore ishte ndërprerë për 100 vjet.

Po, me mënyrën e tyre pa zë, por të mrekullueshme, këta «rrëshqanorë» të veckël lavdërojnë Jehovain.​—Psalmi 148:10, 13.

[Burimi i figurës ne faqen 30]

© Diane Nelson/​Visuals Unlimited