Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëra zgjedhjen e duhur

Bëra zgjedhjen e duhur

Bëra zgjedhjen e duhur

Treguar nga Sonja Akunja Kevedho

Në bankë më ofruan një ngritje në përgjegjësi. Puna e re nënkuptonte njëfarë pozite dhe rrogë më të mirë. Por ndërkohë, sapo më kishin ftuar për të shërbyer në një kongregacion të largët si pioniere në kohë të plotë. Tani, pas 32 vjetësh, kur kthej kokën pas, e kuptoj se bëra zgjedhjen më të mençur.

NËNA ishte rritur në një familje katolike, por kishte dyshime për doktrinat e kishës. Ajo pyeste se përse duheshin adhuruar ikonat që janë vepër e duarve të njeriut. Për të ishte e rëndësishme të zbulonte të vërtetën për gjërat fetare dhe, që të gjente përgjigjet, shkonte nga një kishë në tjetrën, por më kot.

Një ditë, teksa rrinte ulur jashtë shtëpisë sonë në Tustla-Guteras të Meksikës dhe po kënaqej me flladin e freskët, erdhi një Dëshmitar i Jehovait. Ngaqë i bënë përshtypje përgjigjet e tij të bazuara në Bibël, nëna ra dakord ta takonte përsëri. Kur ai u kthye, nëna po e priste bashkë me një pastor adventist, një prift katolik dhe një predikues nazareas. Ajo bëri një pyetje për Sabatin, por vetëm Dëshmitari i dha një përgjigje bindëse nga Shkrimet. Ç’është e vërteta, vetëm ai e kishte Biblën. Në vitin 1956, pas gjashtë muajsh studimi biblik, nëna u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Në atë kohë unë isha tetë vjeçe.

Shqetësimi i sinqertë i babait

Babai nuk e pengonte nënën që të studionte Biblën. Por, kur ajo filloi të na mësonte ne të katërve—dy djem dhe dy vajza—dhe nisi të ndiqte mbledhjet e krishtere, ia grisi botimet. I bindur se ne na kishin mashtruar, ai u përpoq të përdorte një përkthim katolik të Biblës për të provuar se Dëshmitarët e kishin vënë emrin e Perëndisë, Jehova, në përkthimin e tyre për të mashtruar njerëzit. Kur nëna ia tregoi emrin Jehova në Biblën e tij, ai u habit shumë, dhe qëndrimi i tij ndaj Dëshmitarëve nisi të ndryshonte.—Psalmi 83:18.

Në Meksikë, ditëlindja e një vajze që mbush 15 vjeçe, konsiderohet një rast i veçantë. Meqë Shkrimet nuk e mbështetin festimin e ditëlindjeve, unë nuk e festoja më. * Por, babai këmbënguli që të bënin diçka të veçantë për mua. U mendova mirë e mirë dhe i thashë: «Dua që dhurata ime të jesh ti, duke më shoqëruar në asamblenë tjetër të Dëshmitarëve të Jehovait.» Ai pranoi dhe interesi i tij për Biblën, u rrit.

Një natë, pas një stuhie të fortë, babai u dëmtua rëndë nga një kabllo elektrike e këputur. Kur ishte në spital, Dëshmitarët vendës kujdeseshin për të 24 orë në ditë, një vepër e dashurisë së krishterë, të cilën ai nuk e harroi kurrë. Më vonë, filloi të merrte pjesë në veprën e predikimit dhe ia kushtoi jetën Jehovait. Mjerisht, vdiq më 30 shtator 1975, një muaj para se të pagëzohej. Mezi presim ta përqafojmë kur të ringjallet!—Veprat 24:15.

Ndikimi i mirë i familjes

Karmeni, motra ime e madhe, gjithnjë e kishte vlerësuar shumë shërbimin e plotkohor. Shpejt pas pagëzimit në vitin 1967, ajo u bë pioniere e rregullt dhe kalonte çdo muaj rreth 100 orë në shërbim. Më vonë, shkoi në qytetin e Tolukës në Meksikën Qendrore. Unë zura punë në një bankë dhe u pagëzova më 18 korrik 1970.

Shërbimi i plotkohor i sillte shumë gëzim Karmenit dhe më inkurajoi të shkoja edhe unë me të në Tolukë. E bluaja këtë gjë në mendje, ndërsa dëgjoja një fjalim që tregonte se dishepujt e Jezuit duhej t’i përdornin pasuritë e tyre frymore për t’i dhënë lavdi Perëndisë. (Mateu 25:14-30) Pyeta veten: ‘A po përpiqem me të gjitha fuqitë për t’i përdorur dhuratat frymore që më janë besuar?’ Këto mendime ndezën tek unë dëshirën për t’i shërbyer më shumë Jehovait.

Zgjedh midis dy synimeve

Më 1974 bëra kërkesën që të shërbeja si pioniere në një territor tjetër. Nuk kaloi shumë dhe në punë më telefonoi një plak i krishterë nga Toluka. «Po të presim. Pse nuk ke ardhur?»,—më pyeti. U çudita kur mora vesh se më kishin caktuar që të shërbeja si pioniere speciale në Tolukë, por siç duket, letra ku më jepej caktimi kishte humbur rrugës. (Pionierët specialë janë gati të shërbejnë në kohë të plotë kudo që i cakton organizata e Jehovait.)

Menjëherë njoftova në bankë se kisha vendosur të largohesha. «Një minutë, Sonja,—më tha shefi, duke më tundur një letër.— Sapo na kanë njoftuar se je ndër shtatë gratë e zgjedhura si ndihmësmenaxhere. Kompania jonë nuk ka vënë kurrë gra në këtë post. Nuk do të pranosh?» Siç e thashë në fillim, kjo ngritje në detyrë do të thoshte njëfarë pozite dhe rrogë më të mirë. Megjithatë, e falënderova shefin dhe i thashë se isha e vendosur që t’i shërbeja më shumë Perëndisë. Ai tha: «Vazhdo atëherë. Por mos harro, në bankë e ke gjithnjë derën hapur, nëse do të kërkosh punë.» Pas dy ditësh isha në Tolukë.

Pioniere speciale në Meksikë

Kur shkova te Karmeni, ajo kishte dy vjet që shërbente si pioniere speciale në Tolukë. Sa të gëzuara ndiheshim që ishim prapë bashkë! Por kjo vazhdoi vetëm për pak kohë. Pas tre muajsh nëna bëri aksident dhe nevojitej që dikush të kujdesej për të vazhdimisht në shtëpi. Pasi u këshilluam me zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait, ramë dakord me Karmenin që ajo të kthehej në shtëpi e të kujdesej për nënën, gjë që e bëri për 17 vjet. Gjatë asaj kohe, Karmeni shërbeu si pioniere e rregullt dhe i ftonte studentët biblikë në shtëpi për studimin, kështu që ndihmonte edhe nënën po të kishte nevojë.

Më 1976 më caktuan në Tekamaçalko, një qytet kontrastesh—të varfrit jetonin në njërën anë të qytetit, kurse të pasurit në anën tjetër. Nisa një studim biblik me një zonjë të moshuar që nuk ishte martuar kurrë dhe jetonte me vëllanë e saj të pasur. Kur ajo i tha se donte të bëhej Dëshmitare, ai e kërcënoi se do ta dëbonte. Megjithatë, kjo grua e përulur nuk u frikësua dhe, pasi u pagëzua, i vëllai e dëboi. Megjithëse ishte 86 vjeçe, ajo kishte besim të plotë te Jehovai. Kongregacioni u kujdes për të, dhe ajo qëndroi besnike derisa vdiq.

Në Shkollën e Galaadit, pastaj në Bolivi

Kalova pesë vite të mrekullueshme në Tekamaçalko. Pastaj, mora një ftesë për të ndjekur Filialin e parë të Shkollës së Galaadit që do të zhvillohej në Meksikë. Siç kuptohet edhe nga emri, ishte një filial i shkollës që bëhet në Nju-Jork. Nëna dhe Karmeni këmbëngulën që ta pranoja ftesën, dhe kështu u nisa në zyrën e degës në Meksiko, që të ndiqja kursin dhjetëjavor, një ngjarje e rëndësishme frymore në jetën time. Klasa jonë u diplomua më 1 shkurt 1981 dhe më caktuan në La Paz të Bolivisë bashkë me Enriketa Ajalën (sot Fernandes).

Kur arritëm në La Paz, vëllezërit dhe motra që duhej të na pritnin, nuk kishin ardhur ende. Thamë: «Pse ta humbim kohën kot?» Kështu, filluam t’u predikonim njerëzve në aeroport. Pasi kaluam tri orë të këndshme, takuam vëllezërit nga dega. Ata na kërkuan falje dhe thanë se rrugët ishin bllokuar për shkak të një panairi.

Predikoj mbi re

La Pazi është afro 3.625 metra mbi nivelin e detit, kështu që shumicën e kohës ishim mbi re. Ngaqë ajri ishte i rrallë, mezi merrja frymë dhe, kur predikoja, s’kalonte shumë e ndihesha e rraskapitur. Ndonëse m’u desh një vit të mësohesha me lartësinë e madhe, bekimet e Jehovait i tejkalonin ku e ku vështirësitë fizike. Për shembull, në vitin 1984, një mëngjes u ngjita në një shpat mali shkëmbor për të vajtur në një shtëpi që ndodhej atje lart. E rraskapitur, trokita në derë dhe doli një zonjë. Bëmë një bisedë të bukur dhe i thashë se do të kthehesha pas disa ditësh.

«S’e besoj»,—tha ajo. Megjithatë, u ktheva dhe zonja më kërkoi të studioja Biblën me të bijën. «Kjo është përgjegjësi e prindërve,—i thashë.—Megjithatë, do t’ju ndihmoj po të doni.» Ajo ishte dakord dhe pranoi edhe vetë të studionte Biblën. Meqë ishte analfabete, filluam me broshurën Të mësojmë lexim dhe shkrim, e përgatitur posaçërisht nga Dëshmitarët e Jehovait.

Me kalimin e kohës, ajo familje u bë me tetë fëmijë. Kur shkoja atje, disa prej fëmijëve kapeshin dorë për dore dhe krijonin një zinxhir që të më ndihmonin të ngjitja shpatin. Si përfundim, të gjithë pjesëtarët e familjes u bënë shërbëtorë të Jehovait. Tri nga vajzat janë pioniere, kurse njëri nga djemtë është plak kongregacioni. Babai ishte shërbëtor ndihmës në kongregacion derisa vdiq në vitin 2000. Më gufon zemra kur mendoj për këtë familje të mrekullueshme dhe besnikërinë e saj! E falënderoj Jehovain që më lejoi t’i ndihmoja.

Sërish me Karmenin

Pasi nëna vdiq në vitin 1997, Karmenin e ftuan prapë të shërbente si pioniere speciale. Më 1998 e caktuan në Koçabambë, Bolivi, ku shërbeja unë. Po, pas 18 vjetësh ishim sërish bashkë, dhe Karmenit i dhanë statusin e misionares. Në Koçabambë kaluam për mrekulli. Atje klima është kaq e mirë, saqë thonë se dallëndyshet nuk largohen kurrë prej andej. Tani po shërbejmë në Suhre të Bolivisë, një qytet i bukur me 220.000 banorë, që ndodhet në një luginë të lartë. Ky qytet, që dikur e quanin Vatikani i Vogël ngaqë kishte shumë kisha katolike, sot ka pesë kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.

Po t’i mbledhim vitet e shërbimit, së bashku unë dhe Karmeni kemi shërbyer si pioniere më shumë se 60 vjet dhe kemi pasur privilegjin e pashoq të ndihmojmë më shumë se njëqind veta deri në pagëzim. Po, t’i shërbesh Jehovait me gjithë shpirt është pa dyshim jeta më shpërblyese!—Marku 12:30.

[Shënimi]

^ par. 8 Në Shkrime përmenden vetëm dy raste ditëlindjesh. Ata që i festuan ishin paganë dhe për këto ditëlindje është shkruar në një dritë shumë negative. (Zanafilla 40:20-22; Marku 6:21-28) Megjithatë, Fjala e Perëndisë na nxit të bëjmë dhurata që vijnë nga zemra, jo të detyruar nga të tjerët.—Proverbat 11:25; Luka 6:38; Veprat 20:35; 2 Korintasve 9:7.

[Figura në faqen 15]

Ngjitja një shpat mali shkëmbor për të studiuar me këtë familje

[Figura në faqen 15]

Duke predikuar me motrën time, Karmenin (djathtas)