Kamçatka—Parajsa e Rusisë në paqësor
Kamçatka—Parajsa e Rusisë në paqësor
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUSI
MË SHUMË se treqind vjet më parë, eksploruesit rusë që po përparonin drejt lindjes nëpërmjet Azisë, ndeshën një gadishull malor që zgjatej drejt jugut, në oqeanin Paqësor dhe ndante detin Ohotsk nga deti Bering. Ky vend, që është pak më i madh se Italia, ka një bukuri misterioze dhe pjesa më e madhe e tij është ende e panjohur për të huajt.
Dimri në Kamçatkë është më i butë afër bregdetit, sesa në brendësi të gadishullit, ku ka vende që trashësia e borës arrin mbi 6 metra e ndonjëherë gati 12 metra. Në verë, shpesh gadishullin e mbështjell mjegulla e detit dhe e rreh era e fortë. Shirat e bollshëm që lagin dheun vullkanik të Kamçatkës, bëjnë që bota bimore të jetë e pasur. Këtu gjen shkurre me fruta pylli, barëra të lartë sa një bojë njeriu dhe lule të egra mahnitëse, siç është një lloj trëndafili, i njohur si mbreti i livadheve.
Drurët e mështeknave të Ermanit mbulojnë gati një të tretën e gadishullit. Trungjet dhe
degët e tyre përkulen dhe shtrembërohen nga erërat e furishme dhe pesha e borës. Këto mështekna rezistente e që rriten ngadalë, janë jashtëzakonisht të forta. Rrënjët e tyre ngulen fort, dhe kjo bën të mundur që këta drurë të rriten pothuajse kudo, madje edhe në faqet e shkëmbinjve, ku dalin horizontalisht. Gjethet e mështeknave mugullojnë në qershor, shpesh kur bora nuk ka shkrirë ende, dhe zverdhen në gusht, duke lajmëruar se dimri është te pragu.Vullkanet, gejzerët dhe burimet termale
Kamçatka ka rreth 30 vullkane vepruese dhe ndodhet në Unazën e Zjarrtë, një zonë me aktivitet të lart sizmik që përfshin periferinë e oqeanit Paqësor. Vullkani Kluçevskaja, për të cilin thuhet se ka «një kon të përsosur dhe jashtë mase të bukur», ngrihet në lartësinë 4.750 metra mbi nivelin e detit, dhe kështu është vullkani më i madh veprues në Evropë dhe në Azi. Që nga viti 1697, kur eksploruesit rusë shkelën për herë të parë në Kamçatkë, në këtë gadishull janë regjistruar më shumë se 600 shpërthime.
Nga shpërthimet e viteve 1975-1976, kur lava doli nga çarjet gjatësore të tokës, në zonën e Tolbaçikut, u krijua një «pishtar» flakërues më shumë se 2.500 metra i lartë. Vetëtimat shkreptinin përmes reve të hirit. Duke vazhduar pa pushim për pothuajse një vit e gjysmë, shpërthimet krijuan katër kone të reja vullkanike. Liqenet dhe lumenjtë u zhdukën dhe hiri i nxehtë thau gjer në rrënjë pyje të tëra. Sipërfaqe të paana u kthyen në shkretëtirë.
Lumturisht, shumica e shpërthimeve kanë ndodhur larg zonave të banuara dhe shumë pak njerëz kanë vdekur. Por, vizitorët kanë edhe arsye të tjera për të qenë të kujdesshëm, sidomos kur shkojnë në Luginën e Vdekjes, e cila ndodhet rrëzë vullkanit Kihpinëç. Kur nuk fryn erë dhe sidomos gjatë pranverës kur shkrin bora, në luginë grumbullohen gaze vullkanike helmuese, që e kthejnë atë në një grackë vdekjeprurëse për botën e gjallë. Një herë, lugina ishte mbushur me kufomat e dhjetë arinjve dhe të shumë kafshëve të tjera më të vogla.
Ultësira gjigante me origjinë vullkanike, e njohur si kaldera Uzon, ka pellgje ku vlon e gurgullon balta dhe kratere të shndërruara në liqene që nxjerrin avull e që janë plot alga shumëngjyrëshe. Po në këtë zonë ndodhet edhe Lugina e Gejzerëve, e zbuluar në vitin 1941. Disa gejzerë
shpërthejnë në çdo dy-tri minuta, kurse të tjerë një herë në disa ditë. Helikopterët i çojnë vizitorët në këto vende të mrekullueshme që gjenden rreth 180 km në veri të qytetit të Petropavlovskit. Megjithatë, numri i vizitorëve është nën kontroll të rreptë që të mos dëmtohet ekuilibri i brishtë ekologjik. Për këtë qëllim, gjashtë zona në Kamçatkë mbrohen si vende të Trashëgimisë Botërore.Kamçatka është plot burime termale, shumë prej të cilave me temperaturë nga 30 deri në 40°C. Këto burime i kënaqin vizitorët dhe janë si një lloj kompensimi për muajt e gjatë e të ftohtë të dimrit. Nxehtësia gjeotermike është shfrytëzuar edhe për të prodhuar energji elektrike. Në fakt, centrali i parë i energjisë gjeotermike në Rusi, u ndërtua pikërisht në këtë gadishull.
Arinjtë, salmonët dhe shqiponjat e detit
Në Kamçatkë enden akoma rreth 10.000 arinj të murrmë. Pesha e tyre mesatare shkon nga 150 në 200 kg, por po të mos i vrasin, mund të bëhen afërsisht sa trefishi. Në folklorin e itelmenëve indigjenë, ariu ishte «vëllai» i tyre dhe ata e respektonin këtë kafshë. Kjo «vëllazëri» mori fund kur dolën armët e zjarrit. Sot, mbrojtësit e natyrës janë të shqetësuar për të ardhmen e kësaj kafshe.
Arinjtë janë të ndrojtur, prandaj i sheh rrallë. Por, në qershor, kur salmonët fillojnë të shumohen nëpër lumenj, shumë arinj vijnë për t’u gostitur me peshkun. Një ari mund të hajë dy duzina salmonë në vakt. Pse janë kaq llupës? Gjatë verës, arinjtë duhet të grumbullojnë dhjamin për muajt e ftohtë e të varfër të dimrit, që i kalojnë në gjumë e në strofulla të mbuluara, që të ruajnë energjinë.
Një krijesë tjetër që i ka qejf salmonët është një lloj shqiponje deti, një shpend i mrekullueshëm, krahët e së cilës arrijnë deri në 2,5 metra gjerësi kur hapen. Në trupin e saj mbizotëron e zeza, por ka një pullë të bardhë në shpatulla dhe një bisht të bardhë në formë pyke. Tani ka rreth 5.000 shqiponja të tilla dhe numri i tyre po bie. Ato gjenden vetëm në këtë rajon të botës e ndonjëherë edhe në ishujt Aleutine dhe Pribilof të Alaskës. Këta shpendë përdorin të njëjtën fole çdo vit, duke e mirëmbajtur e duke e zmadhuar. Diametri i një foleje arriti deri në 3 metra dhe u bë kaq e rëndë, saqë mështekna ku ndodhej pësoi çarje.
Banorët e Kamçatkës
Shumica e banorëve të sotëm të Kamçatkës janë rusë, por ka edhe mijëra indigjenë. Grupi më i madh janë kërjakët që jetojnë në veri. Grupe të tjera janë çukçit dhe itelmenët që kanë gjuhët e tyre. Shumica e banorëve të Kamçatkës jetojnë në Petropavlovsk, qendra administrative. Në pjesën tjetër të gadishullit popullsia është e rrallë dhe në shumë fshatra bregdetare ose që janë buzë lumenjve, shkohet vetëm me varkë ose me ndonjë mjet fluturimi.
Peshkimi dhe kapja e gaforreve zënë një vend të rëndësishëm në ekonomi. Gaforret e kuqe gjigante të Kamçatkës janë goxha të kërkuara. Gjerësia nga njëra kanxhë në tjetrën arrin deri në 1,7 metra. Ato ia shtojnë lezetin dhe ngjyrat tezgave të tregut.
Që nga viti 1989, Dëshmitarët e Jehovait kanë ardhur në Kamçatkë duke pasur në mendje një lloj tjetër peshkimi. Si «peshkatarë njerëzish» ata u kanë sjellë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë banorëve të Kamçatkës së largët. (Mateu 4:19; 24:14) Disa e kanë pranuar këtë lajm dhe tani po ndihmojnë të tjerë që ta duan dhe ta adhurojnë Krijuesin, Perëndinë Jehova, në vend të gjërave që ka krijuar ai. Kështu, shumë vendës po çlirohen nga frika e përhapur e frymërave të liga. (Jakovi 4:7) Gjithashtu, po mësojnë se në të ardhmen, gjithë të këqijat dhe të ligjtë do të zhduken, dhe mbarë toka «do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin».—Isaia 11:9.
[Kutia dhe figurat në faqen 18]
NJË KALDERË SPEKTAKOLARE
Kaldera Uzon, ultësira e krijuar nga një vullkan i lashtë, e ka diametrin 10 km. Një libër thotë se muret e saj të pjerrëta kanë një «koleksion të të gjitha gjërave për të cilat Kamçatka është e famshme». Në këtë kalderë ka burime të nxehta dhe të ftohta, ka pellgje ku vlon e gurgullon balta, kone balte nga ku del ujë i nxehtë, liqene të kristalta plot peshq e mjellma, si edhe bimësi të dendur.
Libri Mrekullitë e Kamçatkës (anglisht) thotë se «vështirë të gjendet ndonjë vend tjetër në tokë» ku vjeshta është sa e shkurtër, aq edhe e bukur. E kuqja e ndezur e tundrës bën kontrast me të verdhën e fortë dhe ngjyrën e praruar të mështeknave, kurse aty-këtu, nga toka që zien dalin kolona avujsh të bardhë, që bien menjëherë në sy në sfondin blu të qiellit. Kur zbardh dita, pylli «këndon», kur miliona e miliona gjethe që i ka zënë bryma, bien përtokë me një tingëllimë të lehtë, sikur lajmërojnë gjithë delikatesë se dimri po troket.
[Kutia në faqen 19]
NJË LIQEN VDEKJEPRURËS!
MË 1996, një vullkan që mendohej i zhdukur, shpërtheu poshtë liqenit të Karimskit dhe krijoi dallgë 10 metra të larta, që rrafshuan pyjet përreth. Brenda pak minutash liqeni u bë tepër acid për gjallesat. Megjithatë, siç shpjegon studiuesi Endrju Logan, afër liqenit nuk u gjetën kafshë të ngordhura, pavarësisht nga mbeturinat e vullkanit dhe dallgët që shkretuan bregun. Logani thotë: «Përpara shpërthimit, dihej se në liqenin e Karimskit kishte me miliona peshq (kryesisht salmonë dhe trofta). Pas shpërthimit, në liqen nuk kishte më frymë jete.» Megjithatë, shumë peshq mund të kenë shpëtuar. Shkencëtarët mendojnë se ndoshta ndonjë lloj sinjali paralajmërues, siç mund të jetë një ndryshim në përbërjen kimike të ujit, i ka lajmëruar peshqit dhe ata janë larguar drejt lumit të afërt të Karimskit.
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
RUSI
KAMÇATKË