Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mençuria e natyrës»

«Mençuria e natyrës»

«Mençuria e natyrës»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË JAPONI

KJO temë jehoi nga Aiçi i Japonisë, vendi ku u zhvillua panairi «Ekspo 2005», në të cilin morën pjesë 121 vende. Nxitja që u bëhej vizitorëve ishte të mësonin nga natyra dhe «të bënin përpjekje serioze për të gjetur mënyra si ta shfrytëzojnë natyrën pa prishur ekuilibrin ekologjik». Vendi ku u zhvillua panairi ndodhej afër Nagojes, në Japoninë Qendrore, dhe kishte pyje, liqene të vogla e lule. Veçanërisht një rrugë për këmbësorë e quajtur Kthesa e Botës, ishte interesante. Ajo ishte ndërtuar në një vend të ngritur. Kjo rrugë, 2,6 kilometra e gjatë dhe gati 21 metra e gjerë, u jepte mundësi vizitorëve të soditnin panoramën, ndërkohë që bukuria natyrore që shtrihej poshtë këmbëve të tyre, mbetej e paprekur.

Njësh me natyrën

Si një pupë gjigante, një «mbështjellëse» e thurur me 23.000 kërcej bambuje, mbulonte pavijonin japonez dhe e mbronte nga nxehtësia e diellit. Kërcejtë e bambusë ishin mesatarisht 7 metra të gjatë, kurse ndërtesa ishte 19 metra e lartë, 90 metra e gjerë dhe 70 metra e thellë. Ajo ishte një nga ndërtesat më të mëdha prej bambuje në botë. Ky pavijon kishte një sistem videoje sferik. Brenda një sfere me diametër 12,8 metra, vizitorët mund të shihnin nga të gjitha anët pjesë të filmuara, e mund të ndiheshin, si të thuash, njësh me natyrën dhe me larminë e jetës që gëlon në tokë.

Me anë të kompjuterëve, në pavijonin malajzian shfaqeshin pamje të pyjeve të shiut dhe shkëmbinjve koralorë të Malajzisë. Në pavijonin e Tajlandës, skenat tronditëse të tsunamit, të 26 dhjetorit 2004, u kujtonin të gjithëve se «njeriu nuk është zot i natyrës». Duke nxjerrë në pah rrezikun e zhdukjes së llojeve, në pavijonin e Afrikës së Jugut tregohej një model i mëzit kuaga, gjitar që ngjason me zebrën, i cili endej në pllajat e Afrikës së Jugut derisa në shekullin e 19-të, gjuetia çoi në shfarosjen e tij.

Në një dhomë frigoriferike, ngjitur me pavijonin në qendër të panairit, ishin mbetjet e një mamuthi të zbuluar në akullin e përhershëm të Siberisë, në Rusi, në vitin 2002. Kjo kafshë e quajtur mamuthi i Jukagirit, sipas vendit të zbulimit, është një nga llojet e zhdukura të elefantëve. Mamuthi kishte dy dhëmbë gjigantë të harkuar dhe sytë e tij ishin pjesërisht të hapur. Kokën e kishte ende të mbuluar me lëkurë dhe tufa qimesh. Ky ekzemplar mbresëlënës, shërbente si një përkujtues tjetër i trishtueshëm për zhdukjen e llojeve.

A do të ketë një të ardhme më të mirë?

Si mund t’i trajtojnë njerëzit problemet që kërcënojnë të ardhmen e planetit tonë, siç është ndotja dhe ngrohja globale? Në panair ishte ngritur një mur masiv «i gjelbër», i quajtur mushkëria biologjike. Ky mur, 150 metra i gjatë dhe 15 metra i lartë, u cilësua si «simbol i Ekspo-s 2005». Ai ishte bërë me 200.000 bimë që u përkitnin 200 llojeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe lule. U sugjerua se disa «mushkëri» të tilla, që mund të përshtaten sipas stinës, mund të shërbejnë si organ frymëmarrjeje dhe filtër ajri për qytetet, duke thithur dyoksidin e karbonit e duke çliruar oksigjenin.

Në panair kishte edhe mjete transporti, përfshirë edhe autobusë elektrikë që shfrytëzonin burime të ndryshme energjie. Ndërkohë që këto mjete shkonin e vinin plot me vizitorë, e vetmja gjë që shkarkonin ishte uji. Një kënaqësi tjetër për të pasionuarit e teknologjisë ishte treni maglev Linimo, treni i parë linear me fushë magnetike, që u përdor në Japoni. Në saje të magneteve të fuqishme, Linimo rrëshqiste pa zhurmë gati 8 milimetra mbi shina. Gjithashtu, në panair kishin paraqitur tramvaje me bateri, taksi-biçikleta dhe disa tipa autobusësh që mund të ecnin me ose pa shoferë. Teksa ecnin nga dy ose nga tre dhe me shumë shpejtësi, këto mjete që i përkasin së ardhmes, shfrytëzonin gazin natyror që është më i pastër se lëndët djegëse të zakonshme.

Përfytyroni sikur mbeturinat organike, siç janë mbeturinat e ushqimeve, t’i kthenim në energji elektrike dhe pleh. Pikërisht për të realizuar këtë, një central elektrik në panair shfrytëzonte një proces të quajtur fermentimi i metanit. Në vend që të digjeshin, në këtë central mbeturinat fermentoheshin dhe ktheheshin në gaz metan, nga i cili përftohej hidrogjeni. Bateritë me lëndë djegëse, që shfrytëzojnë reaksionet kimike për të prodhuar energji elektrike, oksidonin hidrogjenin për të prodhuar energji. Nënproduktet ishin uji dhe plehu. Në këtë central përpunoheshin të gjitha mbeturinat organike që mblidheshin në panair dhe me energjinë e prodhuar, furnizoheshin disa pavijone.

Kërkime të konsiderueshme po bëhen edhe në fushën e robotëve, për të krijuar makineri të lehta që të shërbejnë si ndihmëse të njerëzve. Duke shfaqur disa nga arritjet e teknologjisë së robotëve, shtatë robotë ecnin në platformën e një pavijoni dhe i bënin për vete turmat me muzikën që luanin. Disa luanin në vegla frymore dhe me «gishtërinj» u binin tasteve tërë shkathtësi, kurse njëri u binte daulleve. «Lëvizjet e tyre ishin kaq të natyrshme e të zhdërvjellëta, saqë i merrje për njerëz të maskuar»,—tha një vizitor.

Dy shpikje të tjera të teknologjisë së lartë ishin materialet plastike të dekompozueshme, të prodhuara me niseshte e lëndë të parë të ngjashme dhe nanoflluskat—flluska gazi me diametër më të vogël se 200 nanometra. Një fije floku e ka diametrin rreth 50.000 nanometra. Këto flluska të vockla normalisht janë shumë të paqëndrueshme dhe zhduken sa hap e mbyll sytë. Megjithatë, shkencëtarët japonezë kanë zhvilluar një teknologji për të prodhuar nanoflluska oksigjeni të qëndrueshme, të cilat rritin «aftësinë e peshqve dhe të molusqeve për t’u përshtatur me ndryshimet e mjedisit». Dhe vërtet, në një akuarium plot me nanoflluska oksigjeni jetonin fare mirë disa lloje peshqish, qoftë të ujërave të ëmbla, qoftë të ujërave të kripura. Studiuesit shpresojnë të gjejnë mënyra të tjera për ta zbatuar këtë teknologji të re në kultivimin e peshqve, në bujqësi dhe në fusha të tjera.

A po dëgjon bota?

Ndonëse në panairin «Ekspo 2005» u theksua nevoja për të dëgjuar «mençurinë e natyrës», në përgjithësi, bota nuk po ia vë veshin. Zëri i injorancës, i lakmisë dhe i korrupsionit e mbyt zërin e mbrojtësve të natyrës. Për pasojë, siç u tha në një nga ekspozitat, toka është kthyer në një «planet të plagosur». Por edhe ata që kanë synime të mira, nuk e dinë se cila është zgjidhja e duhur për problemet e njerëzimit dhe plagët ekologjike të tokës. Sipas Biblës, kjo zgjidhje është përtej njohurisë dhe mençurisë njerëzore. (Jeremia 10:23) Megjithatë, gjendja nuk është aspak e pashpresë. Pse themi kështu?

Bibla na tregon se Burimi më i lartë i mençurisë, Krijuesi ynë, do të ndërhyjë në çështjet e tokës para se njerëzit të rrënojnë veprën e duarve të tij. (Zbulesa 4:11; 11:18) Në Psalmin 37:10, 11 thuhet: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.» Sigurisht, tregohemi të mençur po të dëgjojmë natyrën, por tregohemi shumë më të mençur po të dëgjojmë Krijuesin, duke lexuar e zbatuar Fjalën e tij, Biblën e Shenjtë. (2 Timoteut 3:16) Të gjithë ata që veprojnë kështu do ta shohin planetin tonë të sëmurë, plotësisht të shëruar dhe të transformuar në një parajsë.​—Luka 23:43.

[Figura në faqen 24]

Ekspozim i nanoflluskave

[Figura në faqen 24]

Autobusë pa shoferë

[Figura në faqet 24, 25]

Sistem sferik videoje

[Figura në faqen 25]

Mushkëria biologjike ishte bërë me 200.000 bimë që u përkitnin 200 llojeve

[Figura në faqen 25]

Robotët argëtonin vizitorët me muzikë