Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Sipas një studimi, «njerëzit që flasin me celular, ndërkohë që ngasin makinën, madje edhe kur kanë celularë që nuk nevojitet të përdorësh duart, janë njësoj si shoferët e dehur».​—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.

Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2006, në autobusët publikë të qytetit të Guatemalës, ndodhën 30.200 grabitje me armë. U vranë dhjetë pasagjerë, si dhe katërmbëdhjetë shoferë ose ndihmës të tyre.—GAZETA PRENSA LIBRE, GUATEMALË.

Nga 124 vendet që u përgjigjën në një anketë të organizuar nga OBSH-ja për konservimin e gjakut dhe analizat e tij, 56 vende «nuk bënin për çdo sasi gjaku të dhuruar analizat për HIV-in, hepatitin B dhe C dhe sifilizin».—ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË, ZVICËR.

Në vitin 2003, numri i australianëve që bashkëjetonin para martesës u rrit nga 5 për qind që ishte në vitet 60 në më shumë se 70 për qind.—UNIVERSITETI I MELBURNIT, AUSTRALI.

Diabeti—Epidemi botërore

Në gazetën The New York Times thuhet se sipas disa të dhënave nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit, në 20 vitet e fundit, numri i njerëzve të diagnostikuar me diabet në mbarë botën është rritur nga 30 milionë në 230 milionë. Nga dhjetë vendet me numrin më të madh të të sëmurëve me diabet, shtatë janë vende në zhvillim. «Diabeti është një ndër katastrofat më të mëdha shëndetësore që ka parë bota»,—thotë dr. Martin Silinku, presidenti i federatës. «Në disa nga vendet më të varfra të botës, sëmundja çon me të shpejtë drejt vdekjes»,—thuhet në artikull.

Hekurudha më e lartë në botë

Hekurudha më e lartë në botë, e përuruar në korrik të vitit 2006, lidh Pekinin me kryeqytetin e Tibetit, Lhasën, një largësi rreth 4.000 km. Gazeta The New York Times thotë: «Hekurudha është një mrekulli inxhinierike që kalon nëpër terrene të paqëndrueshme me akull të përhershëm dhe arrin në një lartësi më të madhe se 4.800 metra mbi nivelin e detit.» Ndër vështirësitë që kaluan inxhinierët ishte ta mbanin të ngrirë gjithë vitin bazamentin e hekurudhës, që ta bënin terrenin disi më të qëndrueshëm. Për shkak të lartësisë së madhe, nevojitet që në vagonë të pompohet ajër. Vagonët janë të pajisur edhe me bombola oksigjeni për përdorim individual.

«Studentët fantazma»

Gazeta Le Figaro thotë se 10 deri në 20 për qind e studentëve të vitit të parë të regjistruar për letërsi në një universitet francez, «nuk shkojnë kurrë në leksione». Falë statusit të studentit, disa përfitojnë nga sigurimet shoqërore, u bëhen ulje në biletat e avionit, në hotele, në transportin publik dhe në kinema. Për të pasur këto favore, «studentët fantazma» regjistrohen në ato degë ku numri i studentëve është më i vogël se ai që pritej, si për shembull në gjuhën bjelloruse, finlandeze ose suahili. Regjistrimet sa për të thënë janë të zakonshme, sepse nuk verifikohet pjesëmarrja. Në artikull shpjegohej se «studentët» regjistrohen nëpërmjet Internetit dhe e marrin kartën e studentit brenda disa ditësh.

«E izoluar nga bota»

Sipas gazetës The Jerusalem Post, shkencëtarët izraelitë mendojnë se kanë zbuluar tetë lloje të reja jovertebrorësh (të gjitha kafshët ishin të gjalla, përveç njërës) në një shpellë që «kishte qenë e izoluar nga bota» për shumë shekuj. Gërmuesit që punonin në një gurore zbuluan një të çarë të vogël që zbriste në një shpellë, e cila ishte e gjatë rreth 2,5 km dhe kishte një liqen. Ndër llojet e zbuluara, disa prej të cilave ngjasojnë me akrepat, janë dy lloje krustacesh të ujërave të kripura, dy të ujërave të ëmbla dhe katër lloje jovertebrorësh që jetojnë në tokë.