Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Po sikur të më ftojnë «sa për një natë»?

Po sikur të më ftojnë «sa për një natë»?

Të rinjtë pyesin . . .

Po sikur të më ftojnë «sa për një natë»?

«Të rinjtë lidhen sa për të provuar se deri ku mund të arrijnë me njëri-tjetrin dhe për të parë se me sa veta mund të bëjnë seks.»​—Peni. *

«Djemtë flasin pa pikë problemi për këtë. Mburren se kanë një të dashur dhe se njëkohësisht bëjnë seks me shumë vajza të tjera.»​—Eduardi.

«Ata që më ftonin ‘sa për një natë’ ma thoshin troç. S’donin t’ia dinin edhe pse u thoshe jo.»​—Ida.

NË DISA vende quhet «lidhje sa për një natë». Në vende të tjera njihet ndryshe. Për shembull, një vajzë e re e quajtur Akiko, tregon se në Japoni quhet «ftesë». Ajo thotë: «Ekziston edhe fjala sefre, që do të thotë ‘sex friend’ [në anglisht ka kuptimin ‘shok ose shoqe për seks’]. E vetmja arsye pse shoqërohesh me të është për të bërë seks.»

Cilado qoftë fjala, kuptimi mbetet po ai: seks ‘sa për të kaluar kohën’, pa asnjë lidhje emocionale. * Madje disa të rinj mburren se kanë «shokë për përfitim», pra të njohur me të cilët bëjnë seks pa «kokëçarjet» e lidhjeve të gjata romantike. «‘Lidhja sa për një natë’ ta plotëson dëshirën në çast,—thotë një vajzë.—Merr atë që do, pastaj ia mbath pa problem.»

Si i krishterë duhet të ‘ikësh nga kurvëria’. * (1 Korintasve 6:18) Duke ditur këtë, ti bën çmos të shmangësh situata që mund të të futin në telashe. Megjithatë, ndonjëherë vijnë telashet te ty. Sindi thotë: «Në shkollë, shumë djem më kanë ftuar ‘sa për një natë’.» E njëjta gjë mund të ndodhë në punë. «Përgjegjësi më ftonte ‘sa për një natë’,—thotë Margarita.—Këmbëngulte aq shumë saqë m’u desh të lija punën.»

Nga ana tjetër, mos u habit nëse deri diku të pëlqen. Bibla thotë: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jeremia 17:9) Lurdesi e provoi vetë këtë gjë. Ajo pohon: «Më pëlqente djali që më propozoi të bëja seks.» Xhejni kaloi diçka të ngjashme. «Ndjenjat e mia ishin të forta,—tregon ajo.—Të thosha jo, ishte një nga gjërat më të vështira që më është dashur të bëj.» Edhe Eduardi që përmendëm më sipër, pohon se të qëndrosh i dëlirë nuk është e lehtë. «Shumë vajza më kanë ftuar të bëj seks, dhe t’i rezistoj është lufta më e vështirë që duhet të bëj si i krishterë,—thotë ai.—Është e vështirë të thuash jo!»

Nëse edhe ti je ndier si Lurdesi, Xhejni dhe Eduardi, por ke bërë gjënë e duhur në sytë e Jehovait, je për t’u lavdëruar, sepse ke bërë atë që është e drejtë. Ndoshta, mund të lehtësohesh po të dish se edhe apostulli Pavël kishte një betejë të vazhdueshme me prirjet e gabuara.—Romakëve 7:21-24.

Cilat parime biblike duhet të mbash parasysh në rast se të ftojnë të bësh seks ‘sa për të kaluar kohën’?

Pse është gabim të shkosh «sa për një natë»?

Bibla i dënon marrëdhëniet seksuale jashtë martese. Në të vërtetë, kurvëria është një mëkat kaq i rëndë, saqë ata që e praktikojnë, «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1 Korintasve 6:9, 10) Që t’i rezistosh tundimit për të bërë seks ‘sa për të kaluar kohën’, duhet që ti vetë ta shohësh këtë praktikë siç e sheh Jehovai. Dëlirësia duhet të jetë zgjedhja jote.

«Jam plotësisht e bindur se rruga e Jehovait është mënyra më e mirë e jetesës.»​—Kareni, Kanada.

«Humbet shumë po të shpërfillësh ligjet morale të Jehovait vetëm për ca çaste kënaqësie.»​—Viviana, Meksikë.

«Mos harro se je djali ose vajza e dikujt, ke shumë miq dhe je pjesë e kongregacionit. Po të dorëzohesh, do të zhgënjesh gjithë këta njerëz.»​—Piteri, Britani.

Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.» (Efesianëve 5:10) Duke fituar pikëpamjen e Jehovait për kurvërinë, do të arrish ‘të urresh të keqen’, edhe pse mishit të papërsosur mund t’i duket joshëse.​—Psalmi 97:10.

Si sugjerim mund të lexosh: Zanafilla 39:7-9. Vër re qëndrimin e patundur të Jozefit përballë tundimit seksual, dhe çfarë e ndihmoi atë të mos dorëzohej.

Ji krenar për bindjet e tua

Nuk është e pazakontë që të rinjtë të jenë krenarë dhe ta mbrojnë një çështje së cilës i besojnë. Si i krishterë, ke privilegjin të mbrosh emrin e Perëndisë me anë të sjelljes sate shembullore. Mos ki turp për pikëpamjen tënde të patundur për seksin para martese.

«Që në fillim bëje të qartë se ke parime morale.»​—Aleni, Gjermani.

«S’ka pse të ndihesh në siklet për bindjet e tua.»​—Estera, Nigeri.

«Shokët nuk do ta respektojnë qëndrimin tënd për ‘lidhjen sa për një natë’, nëse u thua diçka si: ‘Prindërit nuk më lejojnë të lë takime.’ Duhet t’ua bësh të qartë shokëve se nuk të intereson ty të lësh takime me ta.»​—Xhaneta, Afrika e Jugut.

«Djemtë që kisha në shkollë të mesme, e dinin kush isha dhe e dinin se kot sa të harxhonin frymën me mua.»​—Viki, Shtetet e Bashkuara.

Po të qëndrosh i patundur në bindjet e tua, tregon se po bëhesh një i krishterë i pjekur.​—1 Korintasve 14:20.

Si sugjerim mund të lexosh: Proverbat 27:11. Vër re se veprimet e tua mund të mbrojnë çështjen më të madhe të të gjitha kohërave​—shenjtërimin e emrit të Jehovait!

Ji i vendosur!

Të thuash jo është e rëndësishme. Por, disa mund ta keqkuptojnë refuzimin tënd e t’u duket sikur luan e u thua «më arri po qe i zoti».

«Përgjigjja jo mund të kuptohet edhe si një sfidë, një pengesë që duhet kapërcyer, diçka që e bën të duket më shumë si gjueti.»​—Lorena, Kanada.

«Çdo gjë e jotja, duke filluar që nga mënyra si vishesh, si flet, me kë flet dhe si sillesh, duhet të tregojë qartë se refuzimi yt nuk lë shteg për keqkuptime.»​—Xhoi, Nigeri.

«Jo-ja jote duhet të jetë e prerë dhe me plot gojën.»​—Danieli, Australi.

«Tregohu e fortë! Kur një djalë më propozoi për seks, i thashë: ‘Ma hiq atë dorë nga supi!’ dhe ika duke e parë vëngër.»​—Elena, Britani.

«Duhet të flasësh troç e të thuash se nuk të intereson dhe as që ka për të të interesuar kurrë. Nuk është momenti të tregohesh e butë!»​—Xhini, Skoci.

«Një djalë më ngacmonte me ftesa dhe me fjalë tallëse. Kishte ardhur koha kur duhet të tregohesha tepër e prerë. Vetëm atëherë hoqi dorë e nuk më ra më në qafë.»​—Huanita, Meksikë.

«Duhet ta bësh të qartë se nuk do të dorëzohesh kurrë. Kurrë mos prano dhurata nga djem që përpiqen të të fitojnë. Mund ta shfrytëzojnë këtë gjë kundër teje, sikur duhet t’u japësh diçka në shkëmbim.»​—Lara, Britani.

Jehovai do të të ndihmojë, nëse je i vendosur. Nisur nga përvoja e vet, psalmisti David tha për Jehovain: «Me atë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»​—Psalmi 18:25.

Si sugjerim mund të lexosh: 2 Kronikave 16:9. Vër re se Jehovai mezi pret t’i ndihmojë ata që e duan me gjithë zemër.

Tregohu largpamës

Bibla thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Si mund ta ndjekësh këtë këshillë? Duke u treguar largpamës.

«Qëndroju sa më larg njerëzve që flasin për këto gjëra.»​—Naomi, Japoni.

«Ruhu nga shoqëritë dhe rrethanat që mund të jenë të rrezikshme. Për shembull, kam njohur disa që janë dorëzuar, pasi ishin nën efektin e alkoolit.»​—Isha, Brazil.

«Mos jep të dhëna personale siç është adresa ose numri i telefonit.»​—Diana, Britani.

«Mos i puth në faqe pa problem shokët e klasës.»​—Estera, Nigeri.

«Kujdes me veshjen. Rrobat e tua nuk duhet të jenë provokuese.»​—Hajdi, Gjermani.

«Do të jesh shumë e mbrojtur po të kesh një marrëdhënie të mirë me prindërit dhe po të flasësh me ta për këtë çështje.»​—Akiko, Japoni.

Mendo me kujdes për të folurit, sjelljen, shoqëritë dhe vendet ku shkon. Pastaj pyet veten: ‘Mos pa dashje po jap ndonjë shenjë ose po e vë veten në një pozitë që mund të nxitë propozimet për seks?’

Si sugjerim mund të lexosh: Zanafilla 34:1, 2. Vër re se fakti që një vajzë me emrin Dina, ishte në vendin e gabuar, solli pasoja tragjike për të.

Mos harro: seksi ‘sa për të kaluar kohën’ nuk është një çështje sa për të kaluar kohën për Perëndinë Jehova; nuk duhet të jetë e tillë as për ty. Bibla thotë: ‘Asnjë kurvar a i ndyrë nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.’ (Efesianëve 5:5) Duke qenë i vendosur për atë që është e drejtë, mund të mbash një ndërgjegje të pastër dhe të ruash respektin për veten. Një vajzë me emrin Karla tha: «Pse ta lësh veten që dikush ‘të të shfrytëzojë’ sa për të plotësuar në çast dëshirën e vet? Ruaji ato që i ke arritur me aq mund!»

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 7 Ky term mund t’i referohet edhe veprimeve të tjera intime, siç janë përkëdheljet dhe puthjet plot pasion.

^ par. 8 Kurvëria përfshin praktika si, marrëdhëniet seksuale, seksin oral dhe anal, marrëdhëniet homoseksuale, masturbimin e personit tjetër dhe akte të tjera që kryhen midis dy njerëzve të pamartuar me njëri-tjetrin që përfshijnë qartë keqpërdorimin e organeve gjenitale.

PËR TË MENDUAR

▪ Edhe pse marrëdhëniet seksuale jashtë martese mund të jenë joshëse për mishin e papërsosur, përse janë të gabuara?

▪ Ç’do të bësh nëse dikush të fton «sa për një natë»?

[Kutia në faqen 27]

▪ Bibla thotë se ai që praktikon kurvërinë, «mëkaton kundër trupit të vet». (1 Korintasve 6:18) Në ç’kuptim është e vërtetë kjo? Përpiqu të gjesh disa aspekte në të cilat këto fjalë janë të vërteta, dhe renditi më poshtë.

․․․․․

Sugjerim: Për t’iu përgjigjur pyetjes së mësipërme mund të të ndihmojë libri Të arsyetojmë nga Shkrimet, faqja 275 dhe Kulla e Rojës, 15 qershor 2002, faqja 21, paragrafi 17, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 29]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

«Në shkollë, një shok i klasës më propozoi të shkonim bashkë. Në fillim nuk e kapa se ku e kishte fjalën. Isha vetëm 11 vjeçe.»​— Lea.

Fëmijët po përballen në moshë fare të njomë me temën e seksit. Shumë kohë më parë Bibla paratha se «në ditët e fundit» do të kishte «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», dhe njerëzit do të ishin «pa vetëkontroll» e «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1, 3, 4) Përhapja e lidhjeve ‘sa për një natë’, që u trajtua në artikullin për të rinjtë, është një nga treguesit e shumtë që provon se kjo profeci ka dalë e vërtetë.

Bota sot është krejt ndryshe në krahasim me brezin e kohës suaj. Prapëseprapë, deri diku problemet mbeten po ato. Pra mos u ndieni të pafuqishëm dhe mos u trembni përballë ndikimeve të këqija që rrethojnë fëmijët tuaj. Përkundrazi, jini të vendosur që t’i ndihmoni të bëjnë siç i nxiti të krishterët apostulli Pavël 2.000 vjet më parë. Ai tha: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.» (Efesianëve 6:11) Shumë të rinj të krishterë janë për t’u lavdëruar, pasi po bëjnë vërtet një luftë për të bërë atë që është e drejtë, pavarësisht nga ndikimet e këqija përreth. Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të bëjnë të njëjtën gjë?

Një mënyrë është ta përdorni këtë artikull për të hapur bisedën me djalin ose vajzën tuaj. Pjesët që sugjerohen për lexim kanë shkrime që të vënë në mendime. Në to jepen shembuj nga jeta e disave që bënë me vendosmëri atë që ishte e drejtë dhe morën bekime ose e të tjerëve që i shpërfillën ligjet e Perëndisë dhe vuajtën pasojat. Shkrime të tjera në pjesët e sugjeruara tregojnë parime që mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj të kuptojnë privilegjin e madh që keni si ju, ashtu edhe ata: të jetoni sipas ligjeve të Perëndisë. Përse të mos programoni që tani ta shqyrtoni këtë material me ta?

Ndjekja e normave të Perëndisë është gjithnjë për të mirën tonë. (Isaia 48:17, 18) Shpërfillja e tyre të çon patjetër në dëshpërim. Botuesit e revistës Zgjohuni! urojnë që Jehovai t’ju bekojë teksa përpiqeni me gjithë shpirt të rrënjosni ligjet dhe parimet e Perëndisë në zemrat e fëmijëve tuaj!​—Ligji i përtërirë 6:6, 7.

[Figura në faqen 28]

Duhet ta bësh të qartë se nuk do të dorëzohesh kurrë