Të rinjtë në Internet
Të rinjtë në Internet
Përfytyroni sikur është natë dhe fëmija juaj dhjetëvjeçar po endet i vetëm rrugëve.
Përfytyroni sikur fëmija juaj adoleshent po organizon një festë në shtëpi, dhe ju nuk dini asgjë.
Përfytyroni sikur djali ose vajza juaj të bëjë kopje të çelësave të shtëpisë suaj dhe t’ua japë ato njerëzve që as i njeh fare.
NËSE fëmija juaj mund të përdorë Internetin, situatat e mësipërme nuk janë edhe aq absurde sa ç’mund të duken. «Interneti krijon si kurrë më parë, mundësi pa fund e nga më të ndryshmet që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin, duke filluar që nga mesazhet në forumet elektronike e deri te komunikimi aty për aty me postën elektronike dhe te të ashtuquajturat site të rretheve shoqërore»,—thuhet në revistën Science News.
Të rinjtë janë mësuar shpejt me Internetin. Në vitin 2004, pothuajse 9 në çdo 10 veta në Shtetet e Bashkuara, të moshës 12 deri në 17 vjeç, përdornin Internetin, që është në dispozicion pothuajse në çdo cep të globit.
Vështirë se ndonjë do t’ia hidhte poshtë vlerat Internetit. Por, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që mbart ai. Për shembull, shumë të rinj enden vetëm «rrugëve» të Internetit dhe disa po krijojnë rrethe shoqërore me njerëz që as ju, e madje as fëmijët tuaj, nuk do ta çonit nëpër mend t’i ftonit në shtëpi.
Disa të rinj naivë arrijnë deri aty sa gabojnë, duke dërguar në Internet të dhëna personale, fotografi ose filmime të vetes dhe duke treguar hapur se çfarë mendojnë. Sipas profesorit Zheng Jan, pranë Universitetit Shtetëror të Nju-Jorkut, të rinjtë «shpesh nuk e kuptojnë se sa shumë njerëz kanë mundësi t’i marrin këto informacione, përfshirë këtu edhe maniakët seksualë».
Le të shohim më nga afër se ç’bëjnë në Internet shumë të rinj. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë problemet që mund të lindin, të kuptojmë se çfarë kërkojnë fëmijët tanë dhe se si t’i ndihmojmë për të plotësuar nevojat e arsyeshme që kanë. Gjithashtu, ky shqyrtim do t’i ndihmojë të rinjtë e krishterë që të përballojnë vështirësitë e t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë në këto kohë të vështira.—2 Timoteut 3:1-5