Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ti mund të mësosh një gjuhë të huaj!

Ti mund të mësosh një gjuhë të huaj!

Ti mund të mësosh një gjuhë të huaj!

«Nuk do ta ndërroja me asgjë këtë përvojë»,—thotë Majku. Felpsi shton: «Ishte një nga vendimet më të mira të jetës sime.» Të dy e kanë fjalën për mësimin e një gjuhe të huaj, diçka që kërkon përpjekje, por gjithsesi e morën përsipër.

RRETH e rrotull botës, sa vjen e rritet numri i atyre që mësojnë gjuhë të huaja për arsye të ndryshme—ca për arsye personale, ca për arsye ekonomike dhe ca të tjerë për arsye fetare. Zgjohuni! intervistoi disa njerëz që po studiojnë një gjuhë të huaj. Ndër pyetjet që iu bënë janë: ‘A është e vështirë të mësosh një gjuhë të huaj kur je i rritur? Çfarë mund ta ndihmojë njeriun të mësojë një gjuhë të huaj?’ Informacioni i mëposhtëm bazohet në komentet e tyre. Sugjerimet mund t’ju duken inkurajuese dhe të mençura, sidomos nëse po mësoni një gjuhë të huaj ose po mendoni ta filloni. Për shembull, shqyrtoni disa cilësi të rëndësishme që të intervistuarit mendonin se ishin thelbësore për të zotëruar një gjuhë të huaj.

Durim, përulësi dhe përshtatje

Ndërkohë që fëmijët e vegjël mund të kapin kollaj dy ose më shumë gjuhë njëkohësisht, madje shpesh vetëm duke i dëgjuar, zakonisht të rriturit e kanë shumë më të vështirë të mësojnë një gjuhë të huaj. Një arsye është se duhet të kenë durim, pasi mund të duhet një kohë e gjatë për të mësuar një gjuhë të huaj. Dhe me programin e ngjeshur që kanë, shpesh kjo nënkupton që disa gjëra të tjera t’i shtyjnë për më vonë.

«Përulësia është e domosdoshme,—thotë Xhorxhi.—Kur nuk e njeh gjuhën, duhet të jesh gati të flasësh si fëmijë dhe në disa aspekte të të trajtojnë si fëmijë.» Në librin Si të mësosh një gjuhë të huaj (anglisht) theksohet: «Duhet ta lësh disi mënjanë sedrën dhe të mos merakosesh shumë për dinjitetin, nëse vërtet dëshiron të përparosh.» Pra, mos u vër tepër në siklet për gabimet. «Nëse nuk bën kurrë gabime, nuk po e përdor sa duhet gjuhën e huaj»,—thotë Beni.

Mos u shqetëso nëse të tjerët qeshin me gabimet që bën, përkundrazi, qesh edhe ti me ta. Ka të ngjarë që një ditë të tregosh barcaleta me gjërat që ke thënë. Gjithashtu, mos ki frikë të bësh pyetje. E ndihmon kujtesën po të kuptosh se përse diçka thuhet kështu ose ashtu.

Meqë mësimi i një gjuhe të re shpesh do të thotë të njihesh me një kulturë të re, është mirë të jesh njeri që përshtatesh e të kesh një mendje të hapur. «Mësimi i një gjuhe të huaj më ka ndihmuar të kuptoj se nuk ekziston vetëm një këndvështrim dhe nuk ka vetëm një mënyrë për t’i bërë gjërat,—thotë Xhuli.—Një mënyrë e caktuar nuk është medoemos më e mirë se të tjerat, thjesht është e ndryshme». Xhei këshillon: «Përpiquni të zini shoqëri me njerëz që flasin atë gjuhë dhe të kënaqeni kur jeni me ta.» Pa dyshim, të krishterët sigurohen që këta shokë të jenë një shoqëri e mirë, që përdorin një të folur të pastër. (1 Korintasve 15:33; Efesianëve 5:3, 4) Xhei shton: «Po panë se interesohesh për ta, për ushqimin e tyre, për muzikën e kështu me radhë, do t’i bësh për vete vetvetiu.»

Sa më shumë ta studiosh gjuhën e sidomos, sa më shumë ta përdorësh, aq më shpejt do të ecësh. «Ashtu si pula që i ha kokrrat e grurit një nga një, po kështu edhe ne e kapim një gjuhë pak nga pak,—thotë Xhorxhi.—Kokrrat e vogla, në vetvete nuk ngrenë shumë peshë, por shtohen vazhdimisht.» Billi, një misionar që mësoi disa gjuhë, thotë: «Kudo që shkoja, merrja me vete lista me fjalë dhe u hidhja një sy sa herë që kisha pak minuta.» Shumë veta kanë parë se është më frytdhënëse kur studiojnë rregullisht dhe me seanca të shkurtra, sesa kur studiojnë për orë të tëra, por me hope.

Ka lloj-lloj mjetesh për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë gjuhë të huaja, duke përfshirë librat, regjistrimet e ndryshme, kartonët e vegjël me figura a fjalë, etj. Megjithatë, pavarësisht nga gjithë këto mjete, shumë njerëz shohin se mësojnë më mirë kur marrin pjesë në ndonjë klasë të organizuar. Përdor atë metodë që të përshtatet më mirë. Megjithatë, ki parasysh se gjuha e huaj nuk mësohet pa përpjekje dhe këmbëngulje. Por, ka mënyra për ta bërë mësimin më të lehtë dhe më argëtues. Një mënyrë është të jeni më shumë në kontakt me gjuhën dhe me kulturën e atij vendi.

«Pasi i zotëron disa nga njohuritë bazë të gjuhës dhe fjalori yt është të paktën në nivelin fillestar,—thotë Xhorxhi,—do të ishte ideale po të shkoje për njëfarë kohe në një vend ku flitet ajo gjuhë.» Barbi bashkohet me këtë mendim: «Qëndrimi në atë vend të ndihmon të kapësh të veçantën e gjuhës.» Ç’është më e rëndësishmja, të rrethohesh nga një ambient i tillë të ndihmon të mendosh në atë gjuhë. Sigurisht, shumë njerëz mund të mos kenë mundësi të shkojnë në një vend tjetër. Por edhe në vendin e tyre, mbase kanë mundësi të jenë më shumë në kontakt me gjuhën dhe me kulturën. Për shembull, në gjuhën që po mëson, mund të ketë botime ose emisione të moralshme dhe edukative në radio a në televizor. Kërko në zonën tënde njerëz që e flasin mirë atë gjuhë dhe komuniko me ta. «Në fund të fundit, praktika është rregulli numër një për të përparuar»,—thuhet në librin Si të mësosh një gjuhë të huaj. *

Kur përparimi ngec

Teksa vazhdon të punosh, ndonjëherë mund të të duket sikur përparimi ka ngecur dhe, megjithëse përpiqesh, ke mbetur në vend-numëro. Ç’mund të bësh? Së pari, mendo për arsyet përse nise ta mësoje këtë gjuhë. Shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë mësuar një gjuhë të huaj për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë Biblën. Reflektimi mbi synimet që kishe në fillim, mund të ta shtojë vendosmërinë.

Së dyti, mos kërko tepër nga vetja. «Ndoshta kurrë nuk do të flasësh si dikush që e ka gjuhën e vet,—thuhet në librin Si të mësosh një gjuhë të huaj.—Nuk është ky synimi. Ti thjesht dëshiron që të tjerët të të kuptojnë.» Prandaj, në vend që të mërzitesh ngaqë nuk e flet këtë gjuhë aq rrjedhshëm sa gjuhën e nënës, përqendrohu në synimin për të komunikuar qartë, duke përdorur ato që ke mësuar tashmë.

Së treti, përpiqu të dallosh disa ndryshime për të kuptuar sa ke përparuar. Të mësosh një gjuhë të huaj është sikur të shohësh barin që rritet. Ti nuk e dallon rritjen, por ditë pas dite bari bëhet më i lartë. Po kështu, nëse e kthen kokën prapa dhe kujton si ishe në fillim, pa dyshim që do të shohësh se ke ecur. Mos u krahaso me të tjerët. Është mirë të ndjekësh një parim që gjendet në Bibël te Galatasve 6:4. Aty thuhet: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»

Së katërti, shihe këtë proces si një investim afatgjatë. Mendo për këtë: sa i aftë për të folur është një fëmijë tre-katër vjeç? A përdor ai fjalë të vështira dhe gramatikë të ndërlikuar? Sigurisht që jo! Megjithatë është në gjendje të bëjë një bisedë të thjeshtë. E pra, edhe fëmijëve u duhen disa vjet për të mësuar gjuhën.

Së pesti, praktikoje gjuhën e re sa më shumë të jetë e mundur. «Më dukej sikur nuk bëja përpara kur nuk e ushtroja gjuhën rregullisht»,—thotë Beni. Pra përdore vazhdimisht. Komuniko, komuniko dhe vetëm komuniko në atë gjuhë. Sigurisht, mund të ndihesh keq teksa mundohesh të komunikosh ndërkohë që fjalori yt është sa ai i një fëmije të vogël. «Gjëja më e vështirë për mua është që nuk jam në gjendje të them çfarë dëshiroj dhe kur dëshiroj»,—thotë me keqardhje Mileva. Por, pikërisht kjo keqardhje mund të të nxitë të ngulmosh. «Më vinte inat që s’kuptoja dot historitë e shakatë,—thotë Majku.—Mendoj se kjo ndjenjë më shtynte të punoja më shumë dhe ta kaloja atë fazë.»

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

Si mund ta ndihmojnë të tjerët individin që po mëson gjuhën e tyre? Billi, që përmendëm më sipër, sugjeron: «Flitni ngadalë, por saktë, jo me një gjuhë fëmijësh.» Xhuli thotë: «Kini durim dhe mos e përfundoni ju fjalinë në vend të atij që po mëson.» Toni sjell ndër mend: «Ata që dinin dy gjuhë, zakonisht flitnin me mua në gjuhën time. Por, kjo e ngadalësoi përparimin tim.» Prandaj, disa u kanë kërkuar shokëve të tyre që në raste të caktuara t’u flasin vetëm në gjuhën e re dhe t’u tregojnë se ku duhet të punojnë konkretisht. Veç kësaj, ata që po mësojnë një gjuhë, kënaqen kur dikush i lavdëron sinqerisht për përpjekjet që bëjnë. Xhorxhi tha: «Nuk do t’ia kisha dalë mbanë pa dashurinë dhe inkurajimin e miqve të mi.»

Pra, a ia vlejnë përpjekjet për të mësuar një gjuhë të huaj? «S’diskutohet,—thotë Billi, i cili siç e thamë më parë flet disa gjuhë.—Kjo e ka zgjeruar pikëpamjen time për jetën dhe më ka ndihmuar t’i shoh gjërat nga këndvështrime të tjera. Sidomos kur je në gjendje të studiosh Biblën me njerëz që flasin këto gjuhë e i sheh që pranojnë të vërtetat biblike dhe përparojnë frymësisht, kënaqësia që ndien të bën ta harrosh mundimin. Një gjuhëtar që flet 12 gjuhë, një herë më tha: ‘Të kam zili. Unë i mësoj gjuhët thjesht se e kam pasion; kurse ti i mëson për të ndihmuar njerëzit.’»

[Shënimi]

[Diçitura në faqen 11]

Dëshira për të ndihmuar të tjerët është një shtysë e fortë për të mësuar një gjuhë të huaj