T’i ndihmojmë të rinjtë të plotësojnë nevojat e tyre
T’i ndihmojmë të rinjtë të plotësojnë nevojat e tyre
TË RINJTË kanë nevojë për dikë që të bisedojnë për synimet, shpresat dhe problemet që kanë. Gjithashtu kanë nevojë për miq të mirë. Teksa rriten, të rinjtë kanë nevojë të kuptojnë se kush janë dhe se kanë individualitetin e tyre. Kur prindërit i ndihmojnë fëmijët e tyre të plotësojnë këto nevoja, i mbrojnë nga lidhjet që mund t’i dëmtojnë, duke përfshirë edhe ato që krijohen fare kollaj në Internet.
▪ Të rinjtë kanë nevojë të bisedojnë. Kur vjen puna për të shprehur ndjenjat, adoleshenti mund të të japë përshtypjen se është i ftohtë ose se dëshiron t’i mbajë gjërat sekret. Megjithatë, ji i sigurt se dëshiron të bisedojë, po, pikërisht me ty, prindin e vet, si për gjëra të rëndësishme ashtu edhe për gjëra të vogla. Pyetja është: a je gati dhe a ke dëshirë ta dëgjosh?—Jakovi 1:19.
Mos lejo që streset e jetës të të rrëmbejnë mundësitë e çmuara për të biseduar me fëmijët e tu. Nëse ke vështirësi në këtë drejtim, ndoshta është koha që të mendosh seriozisht për këshillën e mençur biblike: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (Filipianëve 1:10) E ç’mund të jetë më e rëndësishme se fëmijët e tu?
Mos nxirr shpejt përfundimin se të rinjtë preferojnë më shumë të shkojnë te shokët e tyre për ndonjë këshillë, sesa te prindërit. Në një anketë, më shumë se 17.000 nxënësve të moshës rreth 12 deri 18-vjeçare iu tha që me një numër nga 0 në 5 të tregonin se sa ndikoheshin nga prindërit, shokët, njerëzit e famshëm, media dhe mësuesit. Përgjigjja me «0» tregonte që nuk ndikoheshin fare, kurse «5-a» që ndikoheshin jashtë mase. Gati gjysma i vunë numrin 5 ndikimit të prindërve.
Është e qartë se si prind mund të luash një rol jetësor te vlerat morale dhe te synimet që do të ndjekin fëmijët e tu. «Ndoshta jo çdo fjalë që thua do të ndikojë tek ata,—tha një prind.—Por, nëse nuk bisedon, nuk do të ndikosh fare.»
▪ Të rinjtë kanë nevojë për miq. «Prindërit zakonisht nuk e dinë se me kë komunikojnë fëmijët në Internet ose thjesht nuk bëhen merak ta dinë»,—thotë një vajzë 15-vjeçare. Siç kanë ardhur kohët, prindërit nuk mund të jenë indiferentë për shokët që zënë fëmijët e tyre. A e di me kë e kalojnë kohën fëmijët e tu, qoftë ballë për ballë, qoftë nëpërmjet Internetit? Bibla thotë: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e 1 Korintasve 15:33) Po, ka arsye të forta përse duhet t’i mbikëqyrësh me kujdes shoqëritë e fëmijëve të tu.
dobishme.» (Të kujdesesh për të rinjtë nuk do të thotë thjesht t’i mbrosh nga ndikimet e këqija. Fëmijët kanë nevojë për miqtë e duhur. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.» (Proverbat 13:20) Prandaj, është e nevojshme t’i ndihmosh fëmijët të gjejnë shoqëri të mira, përfshirë këtu edhe të rinj të tjerë që po lënë një shembull të shkëlqyer, duke kujtuar Krijuesin e tyre.—Eklisiastiu 12:1.
Perëndia Jehova i zgjedh me kujdes miqtë dhe ne duhet të përpiqemi ta imitojmë. (Psalmi 15:1-5; Efesianëve 5:1) Një nga gjërat më të vlefshme për jetën që mund t’u mësosh fëmijëve, edhe me fjalë, edhe me shembullin tënd, është që të zgjedhin shoqëri të mira.—2 Selanikasve 3:6, 7.
▪ Të rinjtë kanë nevojë të kuptojnë se kanë individualitetin e tyre. Pjesë jetësore e rritjes është edhe formimi i individualitetit, pra i disa veçorive unike që e dallojnë një fëmijë nga të tjerët. Një proverb biblik thotë: «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij.» (Proverbat 20:11) Një nga detyrat e tua si prind është t’u rrënjosësh në zemër fëmijëve parime të drejta.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Ta ilustrojmë: zakonisht, kur fëmija është i vogël, ia zgjedhin prindërit rrobat që do të veshë çdo ditë, duke shpresuar se djali ose vajza do të mësojë të vishet me shije. Por a e imagjinon dot që një 30-vjeçar normal ta veshin ende prindërit? Është absurde vetëm ta mendosh! Duke përdorur për analogji veshjen, Bibla na nxit: «Vishni personalitetin e ri.» Kjo do të thotë një personalitet si i Krishtit. (Kolosianëve 3:10) Mund t’i ndihmosh fëmijët të veshin personalitetin e ri, me anë të disiplinës që jepet me dashuri dhe këshillave që ndikojnë në mënyrën e të menduarit. (Efesianëve 6:4) Pastaj, ndërsa rriten e bëhen më të pavarur, ata mund të zgjedhin vetë që ‘personaliteti i ri’ të jetë «rroba» që do të veshin, duke e konsideruar diçka vërtet të bukur dhe tërheqëse.—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
Pyet veten: ‘Çfarë mendojnë vërtet fëmijët e mi për vlerat që na mëson Fjala e Perëndisë? Si mund t’i ndihmoj “të jetojnë me mendje të shëndoshë”?’ (Titit 2:12) Synimi yt nuk është të rritësh një fëmijë që bindet si një robot. Disa fëmijë e bëjnë shkëlqyeshëm gjithçka që u thuhet, pa bërë pyetje, pa e diskutuar dhe pa u rebeluar. Por një fëmijë që sot thjesht i bindet asaj që ti dëshiron të bëjë, nesër mund t’i bindet asaj që dëshiron bota. Prandaj, mësoji fëmijët të zhvillojnë ‘fuqinë e tyre për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1) Ndihmoji të kuptojnë pse parimet biblike janë të arsyeshme dhe si na sjellin dobi të gjithëve.—Isaia 48:17, 18.
Po, duhen përpjekje për t’i ndihmuar të rinjtë të plotësojnë nevojat që kanë. Por ia vlen! Nëse fëmijët e tu jetojnë sipas parimeve të drejta që u ke mësuar, do të thuash me gjithë zemër se fëmijët janë vërtet «trashëgimi nga Jehovai».—Psalmi 127:3.
[Figurat në faqen 9]
Ndihmoji fëmijët të zgjedhin shoqëri të mira të krishtere