Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh i krishterë?

Ç’do të thotë të jesh i krishterë?

Pikëpamja e Biblës

Ç’do të thotë të jesh i krishterë?

«NË VENDIN tim, të jesh i krishterë do të thotë të shkosh në kishë një herë në javë»,—thotë Kingzli, që është nga një vend afrikan. Radi nga Lindja e Mesme, shpjegon: «Në komunitetin tonë, të krishterët shihen si një grup që ndjek zakonet dhe traditat e Perëndimit për sa i përket veshjes, festave dhe trajtimit të grave.»

Por, a do të thotë të jesh i krishterë thjesht që të shkosh një herë në javë në shërbesa kishtare dhe të ndjekësh disa zakone e tradita shoqërore? Logjikisht, a nuk duhet që fjala «i krishterë» të tregojë një mënyrë jetese që pasqyron qëndrimet, vlerat dhe sjelljen që Krishti predikoi dhe la si shembull? * Çfarë nënkuptonte të ishe i krishterë në fillimet e krishterimit?

Krishterimi i hershëm—Një mënyrë jetese

Jezui u tha dishepujve të tij: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Meqë mësimet e Jezuit ndikonin në të gjitha fushat e jetës së tyre, dishepujt e Krishtit në fillim e quanin fenë e tyre ‘Udha’. (Veprat 9:2) S’kaloi shumë dhe ata «u quajtën të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor». (Veprat 11:26) Emri i ri që morën do të thoshte që besonin se Jezui ishte Biri i Perëndisë dhe se i kishte treguar njerëzimit vullnetin e Atit të tij qiellor. Ky besim i udhëhoqi drejt një udhe ose mënyre jetese që ndryshonte nga jetesa e botës përreth.

Mësimet e Krishtit i nxitën dishepujt e tij të zbatonin mësimet e Biblës, që do të thoshte të rrinin larg nga «kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, marrja me spiritizëm, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, . . . dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto». (Galatasve 5:19-21; Efesianëve 4:17-24) Apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve në Korint se disa prej tyre dikur i praktikonin këto gjëra. Pastaj shtoi: «Mirëpo jeni larë, jeni shenjtëruar, jeni shpallur të drejtë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht.»—1 Korintasve 6:9-11.

Në librin e tij Lindja e krishterimit (anglisht), E. U. Barnsi thotë: «Në dokumentet e saj të hershme, lëvizja e krishterë paraqitet si një lëvizje që në thelb kishte moralin dhe respektimin e ligjeve. Anëtarët e saj dëshironin të ishin nënshtetas të mirë dhe të besueshëm. Ata i shmangnin gabimet dhe veset e paganizmit. Në jetën private përpiqeshin të ishin fqinjë paqësorë dhe miq të besueshëm. U mësohej të ishin të matur, punëtorë dhe të bënin një jetë të pastër. Nëse u qëndronin vërtet besnikë parimeve të tyre, ata mbeteshin të ndershëm e të drejtë në mes të korrupsionit dhe të shfrenimit moral që i rrethonte. Kishin norma të larta në aspektin seksual: lidhja martesore respektohej dhe bënin një jetë të pastër familjare.» Këto ishin disa veçori të një të krishteri në kohët e hershme.

Një shenjë tjetër e dallueshme e krishterimit të hershëm ishte vepra e zellshme ungjillëzuese. Krishti i urdhëroi dishepujt e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mateu 28:19, 20) Zhan Bernardija, profesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, Francë, tha: «[Të krishterët] duhej të dilnin dhe të flitnin kudo dhe me këdo, në rrugët kryesore, në qytete, në sheshet publike dhe nëpër shtëpi, edhe nëse ishin të mirëpritur, edhe nëse nuk ishin. Ata duhej t’u flitnin të varfërve dhe të pasurve që i kishte zënë si në rrjetë pasuria e tyre. . . . Duhej të udhëtonin, t’u hipnin anijeve dhe të shkonin deri në viset më të largëta të tokës.»

Krishterimi i vërtetë sot

Sot të krishterët e vërtetë duhet të dallohen për mënyrën e ndryshme të jetesës, siç dalloheshin edhe në shekullin e parë. Në përputhje me këtë, Dëshmitarët e Jehovait bëjnë çmos që ta zbatojnë pikë për pikë modelin që lanë të krishterët e hershëm. Të tjerët i vënë re përpjekjet e tyre për të jetuar në përputhje me mësimet e Biblës.

Për shembull, New Catholic Encyclopedia pohon se Dëshmitarët e Jehovait njihen si «një nga grupet me sjelljen më të mirë në botë». Në gazetën Deseret News të Solt-Lejk-Sitit, në Jutë të SHBA-së, thuhej se Dëshmitarët e Jehovait «ndihmojnë që lidhjet familjare të jenë të forta dhe i mësojnë njerëzit të bëhen shtetas të dobishëm e të ndershëm». Gazeta shtonte: «Anëtarët i përmbahen një kodi të fortë moral. Ata besojnë se pirja e duhanit, teprimi në të pirë, abuzimi me drogën, bixhozi, shthurja seksuale dhe homoseksualizmi dëmtojnë marrëdhënien me Perëndinë. Ata u mësojnë të tjerëve të jenë të ndershëm e punëtorë.»

Gjithashtu, Dëshmitarët e marrin seriozisht përgjegjësinë që kanë për të qenë ungjillëzues të zellshëm. Duke komentuar rreth kësaj, New Catholic Encyclopedia thotë: «Detyrimi kryesor i çdo anëtari . . . është të japë dëshmi për Jehovain, duke lajmëruar se Mbretëria e Tij po afrohet. . . . Që të jesh Dëshmitar i vërtetë, duhet të predikosh me efektshmëri në ndonjë mënyrë ose në një tjetër.»

Është e qartë se të jesh anëtar i njërës prej kishave të krishterizmit nuk do të thotë se je i krishterë i vërtetë. Vetë Jezui paratha se do të dilnin të krishterë të rremë. (Mateu 7:22, 23) Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë të merrni njohuri për atë që Jezui u mësoi të tjerëve dhe zbatoi edhe vetë. Pikërisht kjo do të thotë të jesh i krishterë. Jezui tha: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur do të jeni po t’i zbatoni.»​—Gjoni 13:17.

[Shënimi]

^ par. 4 Sipas një fjalori, të jesh i krishterë do të thotë të besosh se Jezui është Krishti dhe të ndjekësh fenë e bazuar në jetën dhe në mësimet e tij.

A DONI TË DINI?

▪ Cilët quajti Jezui miq të tij?​—Gjoni 15:14.

▪ Cilat sjellje duhet të shmangin të krishterët e vërtetë?​—Galatasve 5:19-21.

▪ Në cilën vepër duhet të marrin pjesë të krishterët?​—Mateu 28:19, 20.

[Figurat në faqen 26]

Të krishterët e vërtetë janë predikues të zellshëm siç ishin edhe shekuj më parë