Diçka më e qëndrueshme se arti
Diçka më e qëndrueshme se arti
Treguar nga Rakela Koivistoja
Në vitin 1950, ideja ime për një monument që do të ngrihej në nderim të viktimave të Luftës II Botërore, fitoi në një konkurs kombëtar. Pas një viti, kur monumenti gjigant prej graniti që kisha bërë unë u përurua gjatë një ceremonie solemne në Tusula, Finlandë, nuk mora pjesë. Ja t’ju tregoj përse.
LINDA në vitin 1917 dhe isha më e vogla në një familje me tetë fëmijë. Jetonim në një fshat në jug të Finlandës. Ndonëse ishim të varfër, ndihesha e lumtur dhe e sigurt. Prindërit e mi ishin të arsyeshëm, e nderonin Perëndinë dhe na mësuan të çmonim njohurinë për Perëndinë. Në familjen tonë e vlerësonim shumë një Bibël që e kishte blerë babai.
Kur isha e vogël, gdhendja statuja të vogla me dru. Të afërmit thoshin se punimet e mia ishin të shkëlqyera, prandaj më nxitën të vazhdoja për art. Si përfundim, kërkesa që bëra për të studiuar në Universitetin e Arteve Industriale në Helsinki, u pranua. Kjo shkollë me emër, që ishte edhe zemra e artit finlandez, ishte një mjedis magjepsës për një vajzë të vogël fshati, kështu që më përpiu të tërën. Kur u diplomova në vitin 1947, mendova se mund të lija në këtë botë diçka që do t’i qëndronte kohës.
Një pikë kthese
Më vonë synimet e mia ndryshuan rrënjësisht. Një ditë, ime motër, Auna, erdhi dhe më tha tërë entuziazëm: «E gjeta të vërtetën!» Kishte marrë librin «Le të dalë Perëndia i vërtetë», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mua nuk më bëri pikë përshtypjeje. S’kaloi shumë dhe të njëjtin libër ia pashë një vajze, me të cilën kisha qenë në universitet. Kur unë nisa të tallesha, ajo ma ktheu: «Mjaft qeshe! Ky libër do të të ndihmojë të kuptosh Biblën.» E mora librin dhe e lexova gati njëherësh nga fillimi në fund. Nuk u talla më; u binda se Dëshmitarët kishin të vërtetën. Gjithashtu kuptova se Perëndia Jehova po më ofronte diçka që arti nuk ta jep dot—jetën e përhershme.
Kur u njoha në fillim me Dëshmitarët, ata nuk më ftuan në mbledhje. Mendova se mbledhjet ishin vetëm për anëtarët. Kështu që i pyeta vetë nëse mund të shkoja edhe unë në mbledhje. Sa u gëzova kur mora vesh se në mbledhjet e krishtere dera ishte e hapur për të gjithë! Mbledhjet ma forcuan besimin dhe vendosa t’ia kushtoja jetën Jehovait. E bëra të njohur publikisht këtë vendim më 19 nëntor 1950, kur u
pagëzova bashkë me motrën. Ishte një gëzim për ne kur me kalimin e kohës u bënë Dëshmitare edhe katër motrat tona dhe prindërit tanë të dashur.Cilën karrierë duhet të zgjedh?
Teksa studioja Biblën me Dëshmitarët, karriera ime artistike po ecte mirë. Pasi u diplomova në shkollën e artit, punova si ndihmësja e një profesori skulpture. Pastaj, siç e thashë edhe në hyrje, ideja ime për monumentin kushtuar të rënëve të Luftës II Botërore fitoi në një konkurs kombëtar. Titulli që propozova ishte «Rruga pa kthim», i cili pasqyronte edhe pikëpamjen time të re për luftën. (Isaia 2:4; Mateu 26:52) Kur u përurua statuja, më shumë se 5 metra e lartë, unë nuk mora pjesë, pasi ceremonia ishte patriotike dhe binte ndesh me bindjet e mia të bazuara në Bibël.
Meqë reputacioni im si artiste u rrit, u bëra e famshme dhe mora oferta pune shumë të mira. Megjithatë, shqyrtova cilat ishin gjërat më të rëndësishme për mua. Ndonëse e kisha pasion punën time, dëshira për të ndihmuar të tjerët të lidhnin miqësi me Jehovain ishte më e fortë. Ja përse në vitin 1953 fillova të shërbej si pioniere, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që predikojnë në kohë të plotë.
Ndonjëherë më thoshin se po e çoja dëm talentin. Por kuptova se çdo sukses si skulptore do të ishte i përkohshëm. Edhe monumentet prej graniti me kalimin e kohës rrënohen. Kurse si pioniere mund ta shfrytëzoja shumicën e kohës për të ndihmuar të tjerët të ecnin në rrugën drejt jetës së përhershme. (Gjoni 17:3) Megjithatë nuk e harrova skulpturën. Herë pas here bëja skulptura të vogla për kënaqësinë time dhe për t’i shitur që të mbaja veten ekonomikisht.
Transferohem në një zonë fshatare
Në 1957-n, pasi kisha shërbyer katër vjet si pioniere në Helsinki, nga zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë më ftuan të shërbeja në Jalasjarvi, një komunë në rajonin e Ostrobothnisë Jugore. Atje duhej të shërbeja bashkë me Anja Keton, që ishte 17 vjet më e vogël se unë. Edhe pse nuk e njihja Anjën, e pranova me kënaqësi caktimin dhe u transferova bashkë me të. Ishim të vetmet Dëshmitare në atë zonë, kështu që pothuajse gjithë kohës predikonim bashkë. Shpejt u bëmë shoqe të pandara.
Transferimi në Jalasjarvi do të thoshte t’u kthehesha kushteve të fshatit, ku kisha jetuar 20 vjet përpara, para se të bëhesha pjesë e qarqeve artistike të kryeqytetit. Sidomos dimri ishte i vështirë dhe ndonjëherë na duhej të çanim përmes dëborës që na arrinte gjer në brez. Jetonim në një shtëpizë që nuk ishte aspak luksoze. Mbushnim ujë te një burim aty afër e ndonjëherë uji që kishim brenda ngrinte gjatë natës. Por kishim gjithçka që na nevojitej. (1 Timoteut 6:8) Ato ishin ditë të lumtura dhe plot aktivitet.
Plot me aktivitet shpërblyes
Megjithatë, në fillim dukej sikur përpjekjet tona nuk kishin shumë sukses, pasi banorët vendës na paragjykonin. Për t’i ndihmuar që të kuptonin veprën tonë, morëm masa për të shfaqur filma të prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait, siç ishin Shoqëria Bota e Re në veprim dhe Lumturia e Shoqërisë Bota e Re. Me anë të këtyre filmave, njerëzit na njohën ne dhe organizatën tonë, dhe kjo i ndihmoi të shihnin ndikimin e mirë të veprës sonë te njerëzit në mbarë botën. Shumë veta mblidheshin gjatë shfaqjes së filmave.
Një herë Ero Muraineni, një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait, shfaqi në një sallë publike filmin Shoqëria Bota e Re në veprim. Erdhën kaq shumë njerëz, saqë mezi gjeta një vend për vete, diku në cepin më të largët. M’u desh të rrija me një këmbë dhe të mbështetesha pas murit, se s’kishte vend as të vija në tokë këmbën tjetër. Kur mbaroi filmi, shumë veta u afruan dhe na kërkuan t’u bënim vizita në shtëpi.
Përdornim edhe një magnetofon të madh, që familjet nëpër ferma të dëgjonin fjalime biblike të regjistruara. Një herë kishim organizuar që të dëgjonim një fjalim në orën 7 të mbrëmjes
në një familje dhe kishim ftuar gjithë fshatin. Herët në mëngjes u hipëm biçikletave për të predikuar në një fshat rreth 25 kilometra larg, duke menduar se gjer në mbrëmje kishim kohë. Por kur u larguam nga fshati, rruga ishte tërë baltë nga shiu.Si përfundim, biçikletat tona u mbushën kaq shumë me baltë, saqë rrotat nuk xhironin, dhe na u desh t’i ngrinim deri në shtëpi. Kështu, nuk u nisëm dot në kohë për mbledhjen që kishim organizuar, por u nisëm vonë në mbrëmje. E mbajtëm në krahë magnetofonin tonë të rëndë dhe arritëm në 10 të natës. Ishim të sigurta se do të kishin ikur të gjithë. Por sa u çuditëm kur pamë se shtëpia ishte plot me fshatarë që po na pritnin! Pas fjalimit, u ndez një bisedë e gjallë. Si përfundim, u kthyem në shtëpi në orët e para të mëngjesit. Vërtet ishim telef, por na gufonte zemra nga gëzimi.
Fshatrat ishin kaq larg njëri-tjetrit, saqë Dëshmitarët e zonës na ndihmuan të blinim një makinë, një automjet të vjetër, prodhim rus. Kjo na e lehtësoi shumë punën. Më vonë makina jonë u bë e famshme, sepse gjatë vizitës së tij, peshkopi i dioqezës u tha anëtarëve të kishës të mos na pranonin në shtëpi. Ai u foli për dy gra me një makinë blu. Menjëherë paralajmërimet e tij ndikuan te njerëzit. Ata donin të dinin kush ishin këto gra dhe pse ishin kaq të rrezikshme. Kureshtja e tyre çoi në shumë biseda biblike të shkëlqyera. Po, janë të vërteta fjalët e Isaisë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—Isaia 54:17.
Me kalimin e kohës, vepra jonë dha fryt. Filluam të mbanim mbledhjet javore me një grup të vogël të interesuarish. Me kohë grupi u rrit dhe në 1962-shin u formua një kongregacion me 18 Dëshmitarë, ku shumica ishin gra. Pas dy vjetësh, unë dhe Anja u transferuam në komunën e Uelistaros po në atë rajon.
Mjedis frymëzues
Në caktimin tonë të ri na pëlqente bukuria dhe qetësia e fshatit, por sidomos njerëzit. Në përgjithësi ishin mikpritës dhe miqësorë. Është e vërtetë se shumë ishin tepër fetarë dhe patriotë të flaktë, e ndonjëherë të zemëruar na pritnin me këmbët e para, por kishte edhe të tjerë që e respektonin thellësisht Biblën. Shumë herë, kur nxirrnim Biblën, gratë linin punët e shtëpisë, kurse burrat hiqnin kapelet, që zakonisht dukej sikur i kishin të ngjitura në kokë, aq rrallë i hiqnin. Ndonjëherë kur studionim Biblën me dikë, e gjithë familja, madje edhe komshinjtë, vinin dhe uleshin për të ndjekur studimin.
Njerëzit e ndershëm e të sinqertë që takoja në shërbim, më frymëzonin për punën artistike. Kur kisha kohë, merrja ca argjilë dhe e punoja. Meqë gjithnjë më kanë pëlqyer veçoritë tërheqëse dhe që të bëjnë për të qeshur te njerëzit, pothuajse të gjitha skulpturat i bëja me njerëz. Shumë prej tyre paraqitnin gra duke bërë punët e shtëpisë. Një artikull në një revistë thoshte për skulpturat e mia: «Ato rrezatojnë ngrohtësinë e tokës dhe paqe, si edhe humor, natyrshmëri dhe ekuilibër . . . Këto statuja
burojnë nga përzemërsia e ngrohtë për njerëzit dhe nga një mjeshtëri e pasur artistike.» Gjithsesi, bëja kujdes të mos i kushtohesha shumë artit. I qëndroja besnike vendimit tim për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë.Në vitin 1973 më bënë një ofertë pune që as nuk më shkonte ndër mend ta refuzoja. Më thanë të bëja një reliev të madh prej argjile për sallën e pritjes në hyrje të zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Vanta. Si motiv i këtij punimi ishte zgjedhur Psalmi 96:11-13. Sa e lumtur isha që do të përdorja aftësitë e mia për të lëvduar Jehovain!
Meqë gjatë kohës që shërbeja si pioniere, punimet artistike i kisha bërë më shumë për kënaqësinë time, u habita kur nga fundi i viteve 70 më dhanë pension si artiste. Sigurisht që e vlerësova atë ndihmë financiare, por thashë me vete: ‘A është kjo gjithçka që do të merrja si shpërblim po t’i kisha kushtuar jetën artit? Ca para më tepër për më shumë siguri financiare gjatë viteve të pensionit?’ Sa pak ishte kjo në krahasim me shpërblimin e jetës së përhershme!—1 Timoteut 6:12.
Kthim në qytet
Viti 1974 solli një ndryshim të madh në jetën dhe në shërbimin tonë. U caktuam në Turku, një qytet i madh. Në atë kohë, atje po ndërtoheshin shumë banesa dhe nga dyndja e njerëzve lindi nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë. Në fillim, nuk ishim shumë entuziaste për caktimin në qytet. Të predikoje në qytet dukej më e vështirë, pasi shumë veta ishin indiferentë. Por pak nga pak që përshtateshim me territorin e ri, gjetëm shumë njerëz që i çmonin të vërtetat biblike.
Gjatë viteve, unë dhe Anja kemi pasur privilegjin të ndihmojmë më shumë se 40 veta që t’ia kushtojnë jetën Jehovait. Sa shumë na gëzojnë këta fëmijë frymorë! (3 Gjonit 4) Vitet e fundit shëndeti im ka marrë të tatëpjetën, por e kam ndier më shumë ndihmën e Jehovait, dashurinë e kongregacionit dhe ‘ndihmën fuqizuese’ të shoqes sime të dashur pioniere, Anjës. (Kolosianëve 4:11; Psalmi 55:22) Kur e takova Anjën gati 50 vjet më parë, mendoj se asnjërës prej nesh nuk i shkoi në mendje se do të shërbenim së bashku si pioniere për gjithë jetën.
Një shprehje e njohur thotë: «Jeta është e shkurtër, por arti është përgjithmonë.» Megjithatë, kjo shprehje nuk ka qenë motoja ime. Jam dakord me fjalët e apostullit Pavël te 2 Korintasve 4:18: «Gjërat që shihen janë të përkohshme, por gjërat që nuk shihen janë të përhershme.» Të gjitha gëzimet që kam pasur si artiste, pra «gjërat që shihen», kanë qenë të përkohshme. Sigurisht, ato as që krahasohen me gëzimet që kam pasur në shërbimin e Jehovait dhe nuk më japin jetën e përhershme. Jam kaq e lumtur që ua kushtova jetën ‘gjërave që nuk shihen’, gjërave që janë më të qëndrueshme se arti!
[Figura në faqen 19]
Duke punuar për monumentin prej graniti
[Figura në faqen 21]
Me Anjën (majtas) në vitin 1957
[Figura në faqen 22]
Me Anjën (djathtas) sot