Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ku po shkon kjo botë?

Ku po shkon kjo botë?

Ku po shkon kjo botë?

BIBLA e paratha shumë kohë më parë rënien morale që po ndodh sot, dhe e përshkroi kështu: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, . . . të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.»​—2 Timoteut 3:1-5.

Ndoshta edhe ju jeni dakord se kjo profeci biblike është një përshkrim i saktë i botës sot. Por ajo u shkrua gati 2.000 vjet më parë. Profecia fillon me fjalët: «Në ditët e fundit.» Çfarë do të thotë shprehja «ditët e fundit»?

«Ditët e fundit» të kujt?

Shprehja «ditët e fundit» është bërë shumë e përhapur. Vetëm në gjuhën angleze ka qenë në titullin e qindra librave. Për shembull, të marrim një libër të kohëve të fundit Ditët e fundit të pafajësisë—Amerika në luftë, 1917-1918 (anglisht). Në parathënien e librit tregohet qartë se, kur përdoret termi «ditët e fundit», libri i referohet një kohe të caktuar gjatë së cilës ka pasur një degradim moral të jashtëzakonshëm.

Në parathënie shpjegohet: «Në vitin 1914, vendi po ndryshonte më shpejt se në çdo periudhë tjetër të historisë.» Vërtet, viti 1914 shënoi fillimin e një lufte mbarëbotërore, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Në libër thuhet: «Kjo ishte një luftë e përgjithshme, një konflikt jo midis ushtrive, por midis kombeve.» Kjo luftë, siç do ta shohim, nisi në fillim të asaj periudhe që Bibla e quan «ditët e fundit».

Bibla tregon se, para se të merrte fund, kjo botë do të kalonte një periudhë të caktuar të quajtur «ditët e fundit». Bibla thotë se një botë që ekzistonte dikur, tashmë ka kaluar ose ka përfunduar dhe shpjegon: «Bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.» Për çfarë kohe bëhet fjalë dhe çfarë ishte kjo botë që mori fund? Ishte «një botë me njerëz të paperëndishëm», që ekzistonte në lashtësi, në kohën e Noesë. Po kështu, edhe bota e sotme do të marrë fund. Megjithatë, ata që i shërbejnë Perëndisë do t’i mbijetojnë fundit, ashtu si Noeja dhe familja e tij.​—2 Pjetrit 2:5; 3:6; Zanafilla 7:21-24; 1 Gjonit 2:17.

Çfarë tha Jezui për fundin?

Jezu Krishti foli edhe për «ditët e Noesë», për kohën kur «erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». Ai i krahasoi kushtet që ekzistonin para Përmbytjes, pra pak përpara se të merrte fund ajo botë, me kushtet që do të mbizotëronin gjatë kohës që ai e quajti ‘përfundimi i sistemit’. (Mateu 24:3, 37-39) Një përkthim tjetër i Biblës përdor shprehjen ‘mbarimi i botës’.​—Diodati i Ri.

Jezui paratha se si do të ishte jeta në tokë pak para se të përfundojë kjo botë. Në lidhje me luftërat, ai tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» Historianët kanë vërejtur se kjo ka ndodhur duke filluar nga viti 1914. Kështu, parathënia e librit të mësipërm fliste për 1914-n si një vit që shënoi fillimin e ‘një lufte të përgjithshme, . . . jo midis ushtrive, por midis kombeve’.

Në profecinë e tij, Jezui shtoi: «Do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» Në vazhdim ai tha se ndër gjërat e tjera, do të kishte edhe një ‘rritje të paligjshmërisë’. (Mateu 24:7-14) Natyrisht e kemi parë se kjo po ndodh në ditët tona. Rënia e sotme morale është kaq e thellë, saqë po përmbushet profecia biblike.

Si duhet të jetojmë gjatë kësaj kohe kaq të degjeneruar? Vini re çfarë u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Romë për shthurjen morale. Ai nxori në pah ‘urinë e turpshme seksuale’ të njerëzve, duke thënë: «Edhe femrat e tyre i ndryshuan marrëdhëniet e natyrshme seksuale me marrëdhënie të panatyrshme. Edhe meshkujt i lanë marrëdhëniet e natyrshme seksuale me femrat, dhe epshet e tyre u ndezën fort kundrejt njëri-tjetrit, meshkuj me meshkuj, duke bërë gjëra të ndyra.»​—Romakëve 1:26, 27.

Historianët thonë se ndërkohë që shoqëria njerëzore e asaj kohe zhytej gjithnjë e më thellë në një degjenerim moral, «bashkësitë e vogla të krishtere, me përkushtimin dhe virtytin e tyre, e bënin të ndihej në siklet botën pagane të marrosur pas kënaqësive». Kjo duhet të na bëjë të ndalemi e të pyesim: ‘Po unë dhe ata që i zgjedh si shokë? A dallohemi si të ndryshëm, si të drejtë nga ana morale, ndryshe nga ata që kryejnë gjëra të pamoralshme?’​—1 Pjetrit 4:3, 4.

Beteja që kemi

Bibla na mëson se pavarësisht nga ambienti i pamoralshëm që na rrethon, duhet të jemi «të paqortueshëm dhe të pafaj, fëmijë të Perëndisë pa asnjë të metë mes një brezi dredharak e të shtrembër». Për të bërë këtë, duhet të mbahemi «fort pas fjalës së jetës». (Filipianëve 2:15, 16) Ky pohim i Biblës tregon çelësin se si të krishterët mund të qëndrojnë të pandotur nga korruptimi moral i botës: ata duhet të ndjekin me besnikëri mësimet e Fjalës së Perëndisë dhe të pranojnë se normat e saj morale janë mënyra më e mirë e jetesës.

Satana Djalli, «perëndia i kësaj bote», po përpiqet të fitojë zemrat e njerëzve. (2 Korintasve 4:4) Bibla tregon se ai «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite». Edhe shërbëtorët e tij, pra ata që i shërbejnë duke vepruar si ai, bëjnë të njëjtën gjë. (2 Korintasve 11:14, 15) Ata premtojnë liri dhe kënaqësi, por siç thotë Bibla, «për vete janë skllevër të prishjes».​—2 Pjetrit 2:19.

Mos u mashtroni! Ata që shpërfillin normat morale të Perëndisë do të vuajnë pasoja të rënda. Psalmisti shkroi në Bibël: «Shpëtimi është shumë larg të ligjve, sepse ata nuk i shqyrtojnë me kujdes rregullat e [Perëndisë].» (Psalmi 119:155; Proverbat 5:22, 23) A jemi të bindur për këtë? Nëse po, le të mbrojmë mendjet dhe zemrat nga propaganda që çdo sjellje është e tolerueshme.

Megjithatë, shumë veta mund të bëjnë një arsyetim jo të mençur: ‘Nëse ajo që bëj nuk është e paligjshme, atëherë çdo gjë është në rregull.’ Por nuk është ashtu. Me dashuri, Ati ynë qiellor na jep drejtim moral, jo për të na e bërë jetën të mërzitshme dhe tepër kufizuese, por për të na mbrojtur. Ai ‘na mëson se si të nxjerrim dobi për vete’. Dëshiron që të na mbrojë nga vuajtjet e të kemi një jetë të lumtur. Po, siç mëson Bibla, kur i shërben Perëndisë ke «premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë». Kjo është ‘jeta e vërtetë’, jeta e përhershme në botën e re që ai ka premtuar.​—Isaia 48:17, 18; 1 Timoteut 4:8; 6:19.

Pra, krahasoni dobitë që vijnë kur ndiqni mësimet biblike me dëshpërimin që provojnë në fund ata që nuk bëjnë kështu. Të kesh miratimin e Perëndisë, duke i vënë veshin atij, është vërtet mënyra më e mirë e jetesës. Perëndia premton: «Ai që më dëgjon, do të banojë i sigurt dhe i patrazuar nga tmerri i gjëmës.»​—Proverbat 1:33.

Një shoqëri e drejtë moralisht

Bibla thotë se kur të kalojë kjo botë, «i ligu nuk do të jetë më». Gjithashtu thotë: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të.» (Psalmi 37:10, 11; Proverbat 2:20-22) Kështu, toka do të pastrohet nga çdo gjë e pamoralshme, duke përfshirë edhe të gjithë ata që nuk duan t’u binden mësimeve dobiprurëse të Krijuesit tonë. Me kalimin e kohës, ata që e duan Perëndinë, do ta kthejnë mbarë tokën në një parajsë si ajo ku Perëndia vuri çiftin e parë.​—Zanafilla 2:7-9.

Mendoni ç’kënaqësi do të jetë të jetosh në një tokë të tillë të pastruar e me bukuri parajsore. Ndër ata që do të kenë privilegjin ta shohin, do të jenë edhe miliarda veta që do të ringjallen. Gëzoni në premtimet e Perëndisë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

[Diçitura në faqen 9]

Kur një bote i erdhi fundi, ata që i frikësoheshin Perëndisë mbijetuan

[Figura në faqen 10]

Pasi të përfundojë kjo botë, toka do të bëhet parajsë