Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngjyrosja e rrobave: Dje dhe sot

Ngjyrosja e rrobave: Dje dhe sot

Ngjyrosja e rrobave: Dje dhe sot

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

A E KENI vënë re se sa ndikojnë ngjyrat në ndjenjat tona? Nuk është e habitshme që gjatë gjithë historisë njerëzit u kanë dhënë ngjyrë copave, duke përdorur procesin që njihet si ngjyrosje.

Kur blejmë rroba a orendi ose materialet që duhen për to, nuk duam që ngjyra t’u venitet ose t’u dalë nga larja. Për të mësuar se cilat procese përdoren që pëlhurat të kenë ngjyra rezistente dhe si u zhvilluan metodat tradicionale të ngjyrosjes, vizituam Muzeun e Ngjyrave të hapur nga Shoqëria e Specialistëve të Ngjyrave dhe të Ngjyrosjes në Bredford, në veri të Anglisë. * Atje pamë kampionë të disa lëndëve të rralla që janë përdorur si ngjyrues gjatë shekujve.

Ngjyruesit në shekujt e kaluar

Deri në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, lëndët që përdoreshin për të ngjyrosur pëlhurat vinin të gjitha nga burime natyrore, siç ishin bimët, insektet dhe molusqet. Për shembull, nga një lloj kryqoreje përftohej ngjyra blu (1), nga djegësi verbues merrej ngjyra e verdhë (2), kurse e kuqja përftohej nga rrëzorja ngjyruese. Nga druri i bakëmit përftohej një ngjyrë e zezë, kurse nga një lloj likeni, ngjyra vjollcë. Nga molusqet mureks bëhej një bojë e purpurt shumë e kushtueshme, e njohur si e purpurta e Tirit ose perandorake (3). Me këtë bojë ngjyroseshin veshjet e perandorëve romakë.

Shumë kohë përpara perandorëve romakë, të famshmit dhe të pasurit kishin veshje të ngjyrosura me ngjyrues natyrorë. (Estera 8:15) Për shembull, bojërat e kuqe prodhoheshin nga femra e insektit që jep ngjyrën e kërmëzit (4). Me sa duket, prej tyre përftohej ngjyra e kërmëzit që përdorej për pëlhurat e tabernakullit, si edhe për rrobat e kryepriftit në Izraelin e lashtë.—Dalja 28:5; 36:8.

Procesi i ngjyrosjes

Në Muzeun e Ngjyrave kuptojmë se shumë procese të ngjyrosjes janë shumë më të ndërlikuara sesa thjesht zhytja e fillit të tekstilit ose e copës në solucionin ngjyrosës. Shpesh gjatë një faze të procesit të ngjyrosjes përdoret një ngulitës ngjyre. Është një lëndë që vepron si te boja ashtu edhe te filli i copës. Nëpërmjet tij, boja ngulitet te filli dhe nuk tretet më në ujë. Si ngulitës përdoren shumë lëndë kimike, disa prej të cilave janë të rrezikshme.

Gjatë disa proceseve të ngjyrosjes krijohet një erë e rëndë. Një prej këtyre proceseve është procesi i gjatë dhe i ndërlikuar që përdorej për të bërë të kuqen turke. Ky proces përdorej për të pambuktat dhe jepte një të kuqe të ndezur që i qëndronte dritës, larjes e lëndëve larëse. Dikur ky proces përfshinte 38 faza dhe duheshin katër muaj që të përfundonte. Disa nga veshjet më të bukura të ekspozuara janë ato të ngjyera me të kuqen turke (5).

Shpikja e ngjyruesve sintetikë

Merita për ngjyruesin e parë sintetik i takon Uilliam-Henri Perkinit. Shpikja e tij është e vitit 1856. Në muze shpjegohet se si Perkini shpiku ngjyruesin e purpurt të ndezur. Nga fundi i shekullit të 19-të kishin dalë shumë bojëra të tjera sintetike me ngjyra të ndezura. Sot prodhohen më shumë se 8.000 bojëra sintetike (6). Të vetmit ngjyrues natyrorë që ende përdoren vazhdimisht janë bakëmi dhe koçinilja.

Në Galerinë e Ngjyrave dhe të Tekstileve në Muzeun e Ngjyrave shpjegohen proceset e veçanta që duhen sot për të ngjyrosur materiale sintetike, siç është mëndafshi artificial. Mëndafshi viskoz, që është mëndafshi artificial më i përdorur sot, u prodhua për herë të parë për tregun në vitin 1905. Meqë kimikisht ngjason me pambukun, shumica e bojërave të asaj kohe ishin të përshtatshme për të. Megjithatë, duhej të prodhoheshin disa ngjyrues të tjerë për materiale sintetike më të vonshme, si për fijet e mëndafshit acetat, për poliestrën, najlonin dhe akrilikun.

Përpjekje për bojëra rezistente

Kur blejmë rroba ose gjëra të ndryshme duam që ato ta ruajnë ngjyrën. Megjithatë, në shumë raste ngjyra venitet nga dielli ose nga larjet e vazhdueshme, sidomos kur përdoren lëndët larëse. Ndonjëherë copat mund të çngjyrosen nga djersa ose të ndryshojnë ngjyrë kur lahen me rroba të tjera. Qëndrueshmëria e bojës gjatë larjes varet nga sa fort janë ngjitur molekulat e bojës te filli. Larjet e vazhdueshme dhe lëndët larëse që përdoren për të hequr njollat ndajnë bojën nga filli, dhe kjo çon në zbehje të ngjyrave. Prodhuesit e ngjyrosësve e provojnë cilësinë e produkteve të tyre për të parë nëse ndikimi i dritës, larjes, lëndëve larëse dhe djersës është brenda kufirit të pranueshëm.

Kjo vizitë na nxiti ta vërejmë më me vëmendje materialin e rrobave që veshim. Por veç kësaj, mësuam se çfarë procesesh mjeshtërore duhen që veshjet tona të ruajnë ngjyrën pavarësisht nga larjet e shpeshta.

[Shënimi]

^ par. 4 Kjo shoqëri merret me kërkime në fushën e ngjyrave

[Burimi i figurës në faqen 24]

Fotografitë 1-4: me mirësjellje nga Muzeu i Ngjyrave, Bredford (www.colour-experience.org)

[Burimet e figurave në faqen 25]

Fotografia 5: me mirësjellje nga Muzeu i Ngjyrave, Bredford (www.colour-experience.org); Fotografia 6: Clariant International Ltd., Zvicër