Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Gjatë dekadës së fundit, rreth 40 milionë bujq kinezë kanë humbur tokën për shkak të urbanizimit të shpejtë.—CHINA DAILY, KINË.
▪ Gjatë vitit 2005, në mbarë botën pati 28 luftëra të mëdha dhe 11 konflikte të armatosura.—VITAL SIGNS 2006-2007, INSTITUTI WORLDWATCH.
▪ Një ekip nga Instituti Teknologjik i Tokios ia doli me sukses të ngrinte në fluturim një avion shumë të lehtë me pilot. Avioni peshonte më pak se 55 kg dhe punonte vetëm me bateri si ato të pajisjeve shtëpiake. Ai bëri 391 metra në 59 sekonda.—MAINICHI DAILY NEWS, JAPONI.
▪ Në Holandë, nga përdoruesit e Internetit në moshat 12 deri në 20 vjeç, që dërgonin filmime me videokamera në disa site të ashtuquajtura «rrethe shoqërore», «40 për qind e djemve dhe 57 për qind e vajzave thanë se u kishin kërkuar të zhvisheshin ose të kryenin ndonjë akt seksual përpara kamerës».—RUTGERS NISSO GROEP, HOLANDË.
A mund të biesh në varësinë e videolojërave?
«Reagimet e trurit të njerëzve që e teprojnë me lojërat në kompjuter ngjajnë me reagimet e trurit të atyre që janë në varësinë e alkoolit ose të kanabisit.» Kështu thotë psikologu Ralf Taleman, drejtues i një grupi që merret me studime rreth rënies në varësi, pranë Qendrës Spitalore Universitare «Sharité» në Berlin, Gjermani. Mendohet se ngacmimi që vjen kur teprohet me lojërat në kompjuter, mund të shkaktojë rritjen e sasisë së dopaminës që çlirohet në trurin e njeriut. Kjo krijon një gjendje kënaqësie që mund të çojë në «varësi». Gjatë një ankete u pa se kjo mund të ndodhë te më shumë se 10 për qind e njerëzve që luajnë me videolojëra.
Të pasurit shpesh janë «të pasigurt dhe të shqetësuar»
«Milionerët ndihen të pasigurt dhe të shqetësuar»,—thuhet në gazetën e Pekinit China Daily. U bë një anketë me njerëz nga Kina Lindore dhe nga Kina Jugore, që kishin një pasuri e cila shkonte mesatarisht 2,2 miliardë juanë (220 milionë euro). Studiuesit që shqyrtuan «qëndrimin [e të pasurve] ndaj fesë, martesës, jetës, karrierës dhe parasë» panë se «shumica e milionerëve e donin, por në të njëjtën kohë edhe e urrenin paranë». Shumë të anketuar thanë se përveç pozitës shoqërore dhe ndjenjës së arritjes, «gjëja kryesore që u ka sjellë paraja është acarimi».
Bujqësia u bën mirë të sëmurëve mendorë
Më shumë se 100 specialistë nga 14 vende u mblodhën kohët e fundit në Stavager të Norvegjisë për të mësuar rreth «kujdesit të gjelbërt», një koncept që kombinon bujqësinë, mësimdhënien dhe kujdesin shëndetësor. Sipas kompanisë radiotelevizive NRK, disa që kanë vuajtur për vite nga sëmundje mendore nuk kanë më nevojë të shtrohen në spital kur fillojnë të merren me bujqësi. Ajo «bën mirë për mendjen dhe trupin». Më shumë se 600 ferma tradicionale në Norvegji përdorin «kujdesin e gjelbërt», dhe nga kjo gjë nxjerrin edhe të ardhura.
Përdorim i ri i kambanoreve
«Kishat e Anglisë së Re [zonë në Shtetet e Bashkuara] kanë gjetur një zgjidhje për të kompensuar rënien e buxhetit: t’ua japin me qira kambanoret mbresëlënëse kompanive të telefonisë celulare, që kërkojnë vende për antenat»,—thuhet në revistën Newsweek. Ndërtimi i kullave që transmetojnë dhe marrin mesazhe nga celularët kufizohet nga ligjet për planimetrinë e zonave të banuara dhe veç kësaj, banorët nuk duan të kenë antena që u prishin bukurinë lagjes. Kështu, kompanitë e celularëve po i fshehin pajisjet brenda kambanoreve të kishave. Presidenti i një shoqërie këshilluese për kishat thotë: «Kisha e parë ku punuam tani ka antenat e tri kompanive dhe merr 74.000 dollarë në vit për një sipërfaqe që askush nuk po e shfrytëzonte më.»