Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pjalmi—Pluhuri i jetës

Pjalmi—Pluhuri i jetës

Pjalmi—Pluhuri i jetës

KUR troket pranvera, bletët s’i zë vendi dhe pjalmi mbush ajrin. Atyre që vuajnë nga alergjia, pjalmi më shumë u hap punë, sesa u sjell ndonjë të mirë. Por, para se ta shohim pjalmin thjesht si element të bezdisshëm të natyrës, duhet të mbajmë parasysh rolin që luan ky pluhur i pashoq. Mund të habitemi kur të mësojmë se sa shumë varet jeta jonë prej tij.

Çfarë është pjalmi? Në botimin The World Book Encyclopedia thuhet: «Pjalmi përbëhet nga kokrriza fare të vogla që prodhohen në organet mashkullore të bimëve me lule dhe të halorëve.» E thënë thjesht, bimët e prodhojnë pjalmin për t’u riprodhuar. Siç e dimë, te njeriu, veza e femrës duhet pllenuar nga spermatozoidi i mashkullit që të krijohet një fëmijë. Po kështu, organi femëror i lules (pistili) ka nevojë për pjalmin që vjen nga organi mashkullor (theku), që të pllenohet e të prodhojë frytin. *

Kokrrizat e pjalmit janë kaq të vockla, saqë mezi shihen me sy të lirë; megjithatë, ato mund të shihen me mikroskop. Vrojtuesi mund të dallojë se edhe përmasat, edhe format janë unike për çdo lloj bime. Meqë pjalmi nuk kalbet, vlen për t’u përmendur se shpesh shkencëtarët studiojnë veçoritë karakteristike të kokrrizave të llojeve të ndryshme të pjalmeve që gjejnë nën tokë. Në këtë mënyrë, ata mund të përcaktojnë bimët që kultivonin njerëzit shekuj më parë. Diçka e rëndësishme është se veçoritë dalluese të çdo lloj pjalmi bëjnë të mundur që lulet ta njohin pjalmin e llojit të vet.

Udhëtimi i pjalmit

Pjalmi i shumë bimëve transportohet nëpërmjet ajrit, pasi del nga resat ose bohçet kur i tund era. Edhe uji transporton pjalmin e disa bimëve të ujit. Meqë pjalmimi me anë të erës bëhet kuturu, pemët dhe bimët që varen nga kjo metodë prodhojnë sasira të jashtëzakonshme pjalmi. * Njerëzve që vuajnë nga alergjia e ‘barit’, përhapja e pjalmit me shumicë u sjell shumë probleme.

Ndonëse era ndihmon në pjalmimin e shumë llojeve të pemëve dhe bimëve barishtore, bimët me lule, që nuk rriten në grumbuj të mëdhenj, kanë nevojë për një metodë më të efektshme. Si arrin pjalmi i këtyre bimëve me kilometra larg, deri te bimë të tjera të ngjashme? Me anë të një shërbimi shumë cilësor shpërndarës që bëjnë lakuriqët e natës, zogjtë dhe insektet. Por, sigurisht që edhe ata kanë leverdi kur e çojnë pjalmin nga një lule në tjetrën.

Lulet u servirin këtyre pjalmuesve nektarin, një lëng i shijshëm të cilit nuk i rezistojnë dot. Teksa mundohet të thithë nektarin, vizitorit i ngjitet në trup një sasi e bollshme me pluhur pjalmi. Duke kërkuar të thithë edhe ca nektar, vizitori e çon pjalmin te një lule tjetër.

Insektet kryejnë pjesën më të madhe të pjalmimit, sidomos në vendet me klimë të butë. Ato vizitojnë çdo ditë mori lulesh, duke u ushqyer me nektar dhe pjalm. * «Ndoshta ndihma më e çmuar që japin insektet për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut,—thotë specialistja Mei Berënbaum,—është ajo për të cilën marrin pak merita, pra pjalmimi.» Zakonisht pemët frutore kanë lule që varen nga pjalmimi i kryqëzuar për të prodhuar fryte me bollëk. Nga kjo mund të kuptoni se sa i rëndësishëm është për ne transportimi i pjalmit.

Si joshen pjalmuesit?

Lulet duhet që jo vetëm t’i bëjnë për vete pjalmuesit, por edhe t’i ushqejnë. Si e bëjnë këtë? Ato mund t’u ofrojnë pjalmuesve një strehëz të ngrohtë në një vend me diell. Veç kësaj, në përgjithësi e reklamojnë mallin e tyre me pamjen e tyre tërheqëse dhe erën e mirë. Gjithashtu, shumë lule japin disa «udhëzime» të vlefshme në formën e pikave ose vijave me ngjyra. Në këtë mënyrë, vizitorët lajmërohen se ku mund ta gjejnë nektarin.

Metodat për t’i bërë për vete pjalmuesit ndryshojnë shumë nga lulja në lule. Disa lule lëshojnë një erë kalbëzimi për të tërhequr insektet fluturuese. Të tjera ua hedhin me marifet pjalmuesve që të pjalmohen. Për shembull, disa orkide duken si bletë, dhe kështu bletët që duan të çiftëzohen, gënjehen dhe shkojnë tek ato. Disa lule i «mbajnë rob» insektet dhe i lirojnë vetëm pasi të kenë kryer detyrën e pjalmimit. «Askund tjetër në mbretërinë e bimëve ‘inxhinieria’ botanike nuk vepron me kaq delikatesë, saktësi e mjeshtëri, sa në këtë çështje kaq jetësore, pra të sigurojë çka nevojitet për pjalmimin e luleve»,—shkruan botanisti Malkolm Uilkins.

Nëse Krijuesi nuk do të kishte marrë masa që bimët të ishin tërheqëse në mënyrë që të pjalmoheshin, miliona bimë nuk do të riprodhoheshin. Duke folur për rezultatin e kësaj vepre të jashtëzakonshme, Jezui tha: «Shihni se si rriten zambakët e fushës, dhe mësoni prej tyre. Ata nuk robtohen dhe nuk tjerrin, megjithatë unë po ju them se as Solomoni, me gjithë lavdinë që kishte, nuk ishte i veshur si një prej tyre.»—Mateu 6:25, 28, 29.

Falë pjalmimit, bimët lulëzojnë dhe prodhojnë ushqimin nga i cili varet jeta jonë. Vërtet, disa prej nesh pjalmi mund t’i bezdisë, por të gjithë duhet të jemi mirënjohës për pjalmuesit e palodhur që shpërndajnë këtë pluhur të jetës. Prodhimet e mbara varen shumë nga ky proces i mrekullueshëm natyror që dëshmon për veprën mahnitëse të Krijuesit tonë.

[Shënimet]

^ par. 3 Pllenimi mund të kryhet ose nëpërmjet pjalmimit të kryqëzuar (kur pjalmi vjen nga një bimë tjetër), ose vetëpjalmimit (pjalmi vjen nga po ajo bimë). Megjithatë, pjalmimi i kryqëzuar siguron shumëllojshmërinë, e kështu edhe bimë më të shëndetshme e më rezistente.

^ par. 6 Për shembull, vetëm një resë mështekne mund të lëshojë më shumë se pesë milionë kokrriza pjalmi, dhe një pemë e zakonshme mështekne mund të ketë disa mijëra resa.

^ par. 9 Për një kilogram mjaltë, duhet që bletët të bëjnë rreth dhjetë milionë xhiro nga lulja në lule.

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

Pjalmuesit

INSEKTET FLUTURUESE DHE BRUMBUJT

Këta janë disa nga heronjtë e pjalmimit, të cilëve nuk u njihen sa duhet meritat. Nëse ju pëlqen çokollata, për këtë falënderoni një insekt të vogël që bën punën jetësore të pjalmimit të luleve të pemës së kakaos.

LAKURIQËT E NATËS DHE POSUMËT

Disa nga pemët më madhështore të botës, siç janë kapoku dhe baobabi, pjalmohen me ndihmën e lakuriqëve të natës. Disa lakuriqë jo vetëm që ushqehen me nektar, por edhe hanë frutat dhe shpërndajnë farat, duke bërë kështu dy shërbime. Në Australi, disa gjitarë të vegjël me xhep, që quhen posumë shkojnë te lulet për të marrë nektarin. Gjatë këtyre vizitave, me gëzofin e tyre e çojnë pjalmin nga lulja në lule.

FLUTURAT

Për këto insekte tërheqëse nektari është ushqimi kryesor. Dhe kur shkojnë sa në një lule në tjetrën, marrin edhe pjalmin. Disa orkide të bukura varen plotësisht nga fluturat e natës për pjalmimin.

ZOGJTË E DIELLIT DHE KOLIBRAT

Këta zogj shumëngjyrësh fluturojnë vazhdimisht nëpër lule, duke thithur nektarin. Pjalmi mbetet në ballin dhe në gjoksin e zogut.

BLETËT DHE GRERËZAT

Trupat me qime të bletëve dhe grethave e marrin fare kollaj pjalmin, siç thithin syzet pluhurin. Prandaj, ata janë pjalmues të shkëlqyer. Vetëm një greth mund të mbajë 15.000 kokrriza pjalmi. Në shekullin e 19-të, çuan gretha nga Anglia në Zelandën e Re. Falë kësaj, sot atje fushat me tërfil lulëzojnë duke siguruar ushqim për bagëtinë.

Bleta mjaltëse është pjalmuesja kryesore në botë. Ajo zakonisht përqendrohet vetëm te lulja që gjendet më me shumicë afër zgjoit të saj. Entomologu Kristofor Otuli thotë se «gati 30 për qind e të gjitha ushqimeve të njeriut varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pjalmimi i kryer nga bletët dhe grethat». Bletët nevojiten për të pjalmuar bimë si bajamet, mollët, kumbullat, qershitë dhe kivit. Në disa vende, bujqit i paguajnë bletërritësit për shërbimin që bëjnë bletët e çdo zgjoi.

[Figura në faqen 18]

Orkide si bletë