Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse më bie të fikët?

Pse më bie të fikët?

Pse më bie të fikët?

Mjeku donte të më maste tensionin e syve. Gjatë këtij kontrolli duhej të ma prekte kokërdhokun me një instrument mjekësor. E dija se çfarë do të më ndodhte. Përsëritet gjithnjë e njëjta histori. Kështu më ndodh edhe kur infermierja më merr gjak me gjilpërë për analiza. Ndonjëherë mjafton të flas për plagët dhe trupi reagon njësoj, më bie të fikët.

Sipas një raporti kanadez, rreth 3 për qind prej nesh shpesh humbin ndjenjat kur janë në një nga situatat e mësipërme. Nëse edhe ju keni të njëjtin shqetësim, mund të keni provuar metoda për ta parandaluar, por më kot. Ndoshta keni provuar të shkoni në banjë që të mos ju bjerë të fikët në mes të njerëzve. Sidoqoftë, kjo nuk është një ide e mirë. Papritur, mund t’ju bjerë të fikët rrugës për në banjë dhe të vriteni. Meqë më kanë rënë shpesh të fikët, vendosa të zbuloja nga se shkaktohet kjo gjë.

Pasi fola me një mjek të gjindshëm dhe kontrollova në disa libra, zbulova se kjo gjë quhet reaksion vazovagal. * Mendohet se është keqfunksionim i një sistemi të trupit që rregullon qarkullimin e gjakut, si për shembull në rastin kur ndryshoni pozicionin nga ulur në këmbë.

Në disa rrethana, si për shembull kur shihni gjak ose kur bëni një vizitë sysh, ajo pjesë e sistemit nervor që drejton veprimet e pavullnetshme, reagon sikur të ishit shtrirë, kur në fakt, ju jeni ulur ose në këmbë. Në fillim, zemra ju rreh shpejt nga ankthi. Pastaj pulsi ngadalësohet menjëherë dhe enët e gjakut te këmbët bymehen ose zgjerohen. Si pasojë, gjaku shkon më shumë te këmbët dhe më pak në kokë. Trurit i mungon oksigjeni, dhe kështu ju bie të fikët. Si mund ta parandaloni këtë gjë?

Mund ta ktheni kokën nga ana tjetër kur ju marrin gjak për analiza ose mund të shtriheni gjatë kësaj procedure. Siç e thamë, para se të nisë reaksioni vazovagal, shpesh ju mund të dalloni disa shenja paralajmëruese. Pra, zakonisht keni kohë të merrni masa para se t’ju bjerë të fikët. Shumë mjekë sugjerojnë të shtriheni dhe t’i mbështetni këmbët te një karrige ose te muri. Kjo do të bëjë që gjaku të mos grumbullohet te këmbët, e kështu mund ta parandaloni ecurinë e procesit. Brenda pak minutash ka shumë të ngjarë të ndiheni më mirë.

Nëse ky informacion ju ndihmon edhe ju siç më ka ndihmuar mua, do të jeni në gjendje t’i dalloni shenjat e para të një reaksioni vazovagal. Kështu, mund të merrni masa menjëherë dhe ta ndalni para se të ndodhë.—Nga një bashkëpunëtor.

[Shënimi]

^ par. 4 Termi «vazovagal» i referohet veprimit që ka tek enët e gjakut një nerv i gjatë që quhet nervi vagus. Fjala latine vagus do të thotë «endacak».

[Diçitura në faqen 28]

Mund të jetë mirë që të shtriheni gjatë një procedure mjekësore